Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2026 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Qeveria e koalicionit në Rumani i mbijetoi votës së mosbesimit

Vota e parë e mosbesimit, e paraqitur nga opozita e ekstremit të djathtë kundër qeverisë të koalicionit pro-evropian të Rumanisë, e udhëhequr nga kryeministri Ilie Bolozhan, u rrëzua nga parlamenti rumun, njoftoi AGERPRES. Vota u kërkua nga Aleanca për Bashkimin e Rumunëve, Partia e të Rinjve dhe SOS Rumania, për shkak të rritjes së taksave dhe shkurtimeve buxhetore me qëllim uljen e deficitit shtetëror prej 9.3%, i cili është më i larti në BE për vitin 2024.

Në një intervistë për televizionin Antena 3 CNN, ministri i financave Alexandru Nazare deklaroi se këtë vit borxhi publik i vendit do të arrijë në 60% të PBB-së. Vetëm në pesë vitet e fundit borxhi është rritur me 20% në krahasim me PBB-në vjetore. “Prej 3 vitesh Brukseli i kërkon Bukureshtit të marrë masa”, tha Nazare dhe theksoi se kjo do të ndikojë në standardin e jetesës dhe mbi inflacionin.

Serbia dhe Kina do të zhvillojnë manovra të përbashkëta ushtarake
Ushtarët e Ushtrisë Serbe qëndrojnë pranë një sistemi raketash kinez me rreze të mesme veprimi FK-3
Në fund të korrikut, ushtarët serbë do të marrin pjesë për herë të parë në një stërvitje të përbashkët ushtarake me ushtrinë kineze në provincën Hebei pranë Pekinit. Në këtë mision do të nisen edhe forcat speciale serbe, raporton BTA. Gazeta shtetërore kineze Global Time publikoi një intervistë me nënkolonelin Dalibor Aleksiç, komandant i një njësie të mbrojtjes ajrore, e cila përdor dy sisteme kineze: FK-3 dhe HQ-17AE. “Blerja e sistemeve kineze të mbrojtjes ajrore kontribuoi në forcimin e mëtejshëm të miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve”, tha Aleksiç dhe shtoi se si ekspert është i mahnitur nga “shumë sisteme të tjera kineze të armatimit”. Serbia është i vetmi vend kandidat për anëtarësim në BE që planifikon të zhvillojë një stërvitje të përbashkët ushtarake me Kinën, komentojnë mediat serbe dhe ndërkombëtare.

Përfundoi aventura e Al Jazeera-s në Ballkan

Pas 14 vitesh transmetim, projekti televiziv “Al Jazeera Balkans” do të mbyllet më 31 korrik 2025, raportoi portali klix.ba dhe televizioni n1info.rs. Media e Sarajevës është degë e Al Jazeera-s nga Katari dhe mbulonte tregun rajonal me zyra në Beograd, Zagreb, Podgoricë, Shkup, Lubjanë dhe Prishtinë.

“Al Jazeera Balkans” ishte veçanërisht e njohur për përmbajtjen e saj origjinale, dokumentarët dhe gazetarinë hulumtuese. Ishte stacioni i parë i kompanisë katariote që transmetonte program në gjuhë tjetër përveç arabishtes dhe anglishtes.

Në vitin 2018, Al Jazeera Balkans krijoi AJB DOC – një festival për film dokumentar, i cili mbahet çdo shtator në Sarajevë. Arsyet për mbylljen janë financiare, theksojnë mediat boshnjake.

Pallatet minoike në Kretë u bënë trashëgimi kulturore botërore e mbrojtur

“Komplekset e pallateve minoike në ishullin Kretë u regjistruan si trashëgimi botërore nga UNESCO”, njoftoi ministrja greke e kulturës Lina Mendoni pas sesionit të 47-të të Komitetit për Trashëgimi Botërore, raportoi ekathimerini.com. Pallatet në Knosos, Festos, Zakros, Malia, Zomintos dhe Kidonia janë ndërtuar mes viteve 1900–1100 p.e.s. dhe u vlerësuan për shkak të vlerës universale dhe autentikes së tyre, që përfaqësojnë shoqërinë e lulëzuar minoike. “Nga të gjitha kandidaturat e diskutuara këtë vit, ajo greke ishte e vetmja që u votua në mënyrë unanime”, theksoi Mendoni.

Kandidatura e parë për përfshirjen e pallateve të Kretës në UNESCO ishte në vitin 2003, por u pezullua për shkak të shqetësimeve mjedisore rreth Knososit. Në vitet në vijim u bënë shumë përmirësime, duke hequr pengesa dhe ndërtime të paautorizuara. 

Kryeministri kroat bën thirrje për çmime të arsyeshme në turizëm dhe shërbim

Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviç bëri thirrje për çmime të arsyeshme në turizëm, raportoi agjencia kroate HINA. Në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së Këshillit për Sllavoni, Baranja dhe Srem, Plenkoviç tha: “Edhe vende të tjera kanë det, diell, ishuj, hotele, kampe, akomodim privat dhe infrastrukturë. Por 50% e udhëtarëve në Evropë zgjedhin destinacionin e tyre bazuar në çmim. Viti tjetër do të sjellë një sezon të ri, kështu që biznesi duhet të mendojë mirë se çfarë është e arsyeshme”, theksoi kryeministri.

Qeveria mund të bëjë vetëm thirrje dhe të përpiqet të bindë përfaqësuesit e sektorit të shërbimeve, por nuk mund të vendosë kontroll çmimesh, shtoi ai. “Vendosja e kufijve të çmimeve në një ekonomi të tregut nuk është realiste, është një relike e së kaluarës”, tha Plenkoviç.

Përpiloi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto:AP/BTA, Reuters, n1info.rs, greece-is.com, hina.hr

Më shumë nga rubrika

Hristijan Mickoski

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut po tallet me bullgarin maqedonas të sulmuar Vllado Perev

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski akuzoi gazetarin bullgar maqedonas të sulmuar Vlladimir Perev për inskenim dhe vetëlëndim, raportoi BGNES. Më 21 nëntor, në një dyqan në qendër të Shkupit, Perev u sulmua para..

botuar më 25-11-27 9.52.PD
Vlladimir Perev

Gjuha e urrejtjes në Shkup çoi në sulm ndaj gazetarit Vllado Perev

Në një dyqan në Shkup, publikisht, me fjalë dhe goditje, u sulmua gazetari dhe doajen i komunitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut, Vlladimir Perev. Për ngjarjen informoi vetë ai në një publikim në faqen “Tribuna”. Perev, i cili është 80 vjeç, u..

botuar më 25-11-25 10.48.PD
Georg Georgiev

Shkupi duhet t’i përfshijë bullgarët në kushtetutë

Bisedova shumë herë me ministrin e jashtëm të Maqedonisë së Veriut Timço Mucunski. Ai e di shumë mirë dhe qartë qëndrimin tonë. Roli i tij është të bindë qeverinë e vet të respektojë konsensusin e vitit 2022. Këtë e tha ministri i jashtëm bullgar Georg..

botuar më 25-11-24 9.59.PD