Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Stafi, sezoni i shkurtër apo mungesa e strategjisë – ku çalon turizmi ynë?

Foto: BTA

Në prag të sezonit më aktiv veror, i cili tek ne zgjat jo më shumë se dy muaj – korrik dhe gusht – u konstatua se sektori është relativisht i qetë. Rezervimet janë të mira dhe parashikimet për një rritje prej 6% krahasuar me vitin e kaluar në kulmin e sezonit duken plotësisht të arritshme.

Resortet tona në Detin e Zi po mbushen me pushues, por në kufirin me Greqinë nuk ka qenë kurrë më e ngarkuar – kolonat e makinave janë më të gjata se kurrë, kryesisht nga bullgarë që synojnë plazhet e fqinjit tonë jugor. Pranimi ynë në Shengenin tokësor e ka rritur ndjeshëm fluksin drejt jugut. Pritshmëritë janë që futja e euros si monedhë kombëtare dhe përfundimi i autostradës "Struma" do ta lehtësojnë edhe më shumë udhëtimin drejt Greqisë. Si ndikon e gjithë kjo në resortet tona bregdetare?
Konstantin Zankov
“Turisti bullgar është turisti më i mirë për Bregdetin e Zi bullgar, sepse është përgjithësisht besnik– thotë për Radio Bullgarinë Konstantin Zankov, ekspert i turizmit dhe analist i proceseve në sektor. – Ai mund të bëjë pushime disa herë në vit – si gjatë sezonit, ashtu edhe jashtë tij. Kështu që bullgari është turisti më i mirë. Greqia, natyrisht, është një destinacion i mrekullueshëm që ka shumë për të na ofruar, nuk mund ta mohojmë këtë. Thjesht, ne ofrojmë një produkt turistik ndryshe. Ka shumë rezervime për Greqinë. Por nuk mund të them që heqja e kontrolleve në pikat kufitare me Greqinë ka ndikuar ndjeshëm në sezonin në resortet tona. Ka hotelierë që kanë një politikë shumë të mirë ndaj klientëve bullgarë – kanë një imazh të mirë, paketa të mira, çmime të mira, me një shërbim cilësor tërheqës dhe presin turistë bullgarë të kënaqur.”

Sektori mbështetet edhe në turistët e huaj. Tregu gjerman shënon rritje krahasuar me vitin e kaluar, megjithëse ende nuk ka arritur nivelet e vitit 2019. Ballkani, Britania e Madhe dhe Polonia po ecin në drejtim shumë të mirë, thotë Zankov dhe shton se kapaciteti i vendeve për akomodim në Bregdetin e Zi është i madh dhe pronarët shpresojnë për një rritje më të fortë.

Ndërkohë, sektori përballet sërish me mungesën kronike të stafit të kualifikuar. Përsëri po i drejtohen importit të fuqisë punëtore – kryesisht nga Kirgistani, Kazakistani, Nepali, Tajlanda, Ukraina dhe vende të tjera.

“Për fat të keq, problemi me stafin diskutohet çdo vit në të njëjtën kohë – ose siç thotë një fjalë e urtë bullgare: ‘këngë e vjetër e kënduar nga një zë i ri’, – thotë Konstantin Zankov. – Kjo nuk është një dukuri vetëm në Bullgari, ndodh në mbarë botën. Ka një sërë zgjidhjesh që mund t’i marrim nga përvoja ndërkombëtare. Më e rëndësishmja është të synojmë një sezon më të gjatë dhe një produkt turistik të qëndrueshëm, dhe jo të mbështetemi vetëm në dy muaj për të 'shpëtuar' turizmin dhe investimet. Kjo do të sigurojë edhe staf të përhershëm, dhe jo fuqi punëtore që vjen për një kohë të shkurtër. Punonjësit nga jashtë, tek të cilët mbështetet biznesi, përballen me vështirësi për shkak të vonesave në lëshimin e vizave. Mund të zbatohen praktika të mira si vizat elektronike, të cilat do të lehtësonin qasjen si për stafin, ashtu edhe për turistët.”

Zankov është kategorik – turizmi bullgar ka urgjentisht nevojë për një vizion të qartë, të mbështetur nga një partneritet efektiv midis shtetit dhe biznesit, dhe jo nga një tjetër seri zgjidhjesh afatshkurtra.

“Problemi është se nevojitet një strategji gjithëpërfshirëse për zhvillimin e turizmit në Bullgari. Na duhet një plan taktik për të zbatuar praktikat më të mira botërore, që të mos punojmë në mënyrë të çrregullt. Thjesht të mos vendosim ‘syzet rozë’ dhe të themi ‘çdo gjë është shumë mirë tek ne’, por të ketë një komunikim real midis biznesit dhe shtetit – me marketing adekuat dhe një politikë të qëndrueshme për zhvillimin e turizmit. Problemi është kompleks, nuk është vetëm mungesa e stafit,” përfundon Konstantin Zankov.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: BTA, freepik.com, BNR, arkiva


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Shëtitje në të kaluarën – fshati Medven dhe shtëpitë e tij prej druri që i rezistojnë kohës

Shtëpi druri të vendosura në rrugica plotë pluhur, një përrua që gurgullon lehtë dhe një kurorë pyjesh ahu dhe lisi në zonën përreth – fshati Medven duket si një imazh nga një përrallë fëmijësh. Dhe ndërsa qytetet fqinje Kotell  dhe..

botuar më 25-10-28 4.45.MD

Nga Rodopet deri te Stara Planina – turizmi me kalë, pasuria e fshehur e Bullgarisë

Ecjet me kalë janë një mënyrë jo e zakonshme për të njohur Bullgarinë. Itineraret shpesh kalojnë në vende të paarritshme për turistin masiv dhe janë të mbushura me aventura dhe përvoja kulturore. Një javë me kalë në Bullgari kushton nga 1200 d..

botuar më 25-10-27 4.25.MD

Në prag të sezonit të dëborës – a do ta tejkalojë turizmi ynë nivelin Dimër 2025

Sektori turistik në Bullgari shënon rritje gjatë viteve të fundit, si në sezonin veror, ashtu edhe në atë dimëror. Sipas të dhënave të ministrisë përkatëse deri në fillim të tetorit, qytetarët bullgarë që kanë vizituar destinacione turistike në vend kanë..

botuar më 25-10-20 8.00.MD