Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Vampirët në trojet tona nuk janë një dukuri e re. Kush është vampiri bullgar?

Këtë temë e studion Dr. Viktoria Basham nga Universiteti Salisbury në SHBA.

Foto: bnt.bg

Çdo njeri në vendin tonë ka dëgjuar që në fëmijëri histori të frikshme për vampirë të rrezikshëm. Sot i njohim më së shumti përmes mënyrës se si i paraqesin autorët e romaneve dhe sidomos titujt e famshëm në kinematografi. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se shfaqja e vampirëve si figura folklorike është një temë që është studiuar nga shumë shkencëtarë dhe studiues të folklorit. Sipas hulumtimeve të tyre, vampirët janë shfaqur fillimisht në besimet e popujve sllavë, dhe kjo ka ndodhur shumë kohë para se Evropa Perëndimore të merrte vesh për ekzistencën e kont Drakulës.

Përfytyrimet për vampirët në trevat tona kanë qenë të ndryshme që në shekullin IX. Sipas besimeve më të përhapura, vampiri jeton në varr dhe e del nga aty pas perëndimit të diellit përmes një vrime që është hapur. Meqë nuk ka eshtra dhe është një shpirt, ai mund të hyjë përmes çdo hapësire, madje edhe përmes vrimës së çelësit të derës. Më shpesh, ai kthehet në shtëpinë ku ka jetuar më parë, bën prapësi të ndryshme – bie tavanit, thyen enë, derdh ujë nga ibriku, dëmton bagëtinë dhe pi gjakun e tyre.
Dr. Viktoria Basham
Për të studiuar posaçërisht temën e vampirit folklorik bullgar, në vendin tonë është kthyer Dr. Viktoria Basham, shkencëtare dhe etnografe nga Universiteti Salisbury, SHBA. 

Për interesin e madh që ngjall "vampiri folklorik", si në vendin tonë, ashtu edhe në botë, studiuesja e re ndan mendimet e saj në një intervistë për Radio Bullgarinë.

"Kam përfshirë një gamë të gjerë karakteristikash të vampirit bullgar – çfarë bën ai, si duket, pse dikush bëhet vampir, si mund të mbrohemi prej tij. Kam mbledhur 396 regjistrime dhe burime për 'vampirin folklorik bullgar'. Ka mjaft rrëfime nga të ashtuquajtur dëshmitarë okularë, tregime për besime, përralla popullore, këngë popullore, si dhe shumë mallkime interesante që lidhen me temën. Pjesa përfundimtare e projektit tashmë është realitet – është gati një platformë digjitale që ofron një përshkrim të gjerë të vampirit folklorik bullgar. Ajo është në bullgarisht dhe anglisht, dhe u ofron të interesuarve lidhje me burime shumë të dobishme. Aty ka 12 ilustrime origjinale të realizuara nga artisti Mirosllav Bonov (Mibo), të krijuara sipas tregimeve dhe përshkrimeve reale për vampirët."

Në këtë hartë digjitale dygjuhëshe, Dr. Basham ka shënuar të gjitha vendet gjeografike nga ku ka marrë burimet dhe regjistrimet. Ato janë të shoqëruara me informacione të dobishme, të cilat lexuesi mund t’i shikojë me vetëm një klikim mbi një vend të caktuar në hartë. Dr. Basham zbulon se njerëzit në të kaluarën vërtet besonin në vampirë, kishin frikë prej tyre, dhe një nga arsyet kryesore për këtë ishte mbrojtja nga rreziqet. Akoma mbi vëzhgimet e etnografes:

“Një nga arsyet kryesore pse dikush bëhej vampir, ishte sepse ata ishin njerëz që kishin jetuar në mënyrë imorale, kishte parregullsi në jetën e tyre. Kush janë këta njerëz të këqij dhe çfarë ndëshkimi i pret, kjo është një çështje për të cilën jepet përgjigje në folklorin tonë, dhe përmes saj përcaktohen vlerat morale dhe traditat në psikologjinë popullore të bullgarëve. Po ashtu vendosen kufij dhe norma sjelljeje për të mbrojtur të gjallët nga vampiri. Me këtë qëllim janë krijuar ndalimet që të mos dalësh vonë natën, të mos shkosh në vende të braktisura, të mos i përgjigjesh dikujt që të thërret me emër në errësirë, dhe shumë rregulla të tjera të ngjashme, të cilat kanë shërbyer si një busull për shoqërinë për të ditur çfarë është e drejtë dhe për t’u mbrojtur nga rreziqet. Kështu që vampiri luan edhe këtë rol mbrojtës.”

"Vampiri folklorik bullgar" është një nga krijesat më të qëndrueshme, shumëdimensionale dhe interesante në gjithë traditën folklorike. Përmes figurës së vampirit reflektohet botëkuptimi, besimet dhe praktikat rituale të popullit tonë. Deri në mesin e shekullit XX, njerëzit i kanë ndjekur me shumë përpikmëri edhe ritualet për të parandaluar mundësinë që dikush të shndërrohej në vampir pas vdekjes. Çfarë u tregon kjo shkencëtarëve? – më shumë nga Dr. Basham:

"Kemi një shumëllojshmëri të madhe masash parandaluese për të mos lejuar trupin e të vdekurit të bëhet vampir, si dhe masa mbrojtëse në rast se një vampir tashmë ekziston. Pra, figura e vampirit na zbulon jo vetëm botëkuptimin e popullit bullgar, por gjithashtu përmbledh fakte interesante, pikëpamje dhe prirje që lidhen me historinë, kulturën dhe besimet e etnive të ndryshme në vendin tonë – kjo është figura e vampirit në folklorin tonë."
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: Gergana Mançeva, bnt.bg


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Shije dhe tradita banate në festivalin në fshatin Asenovo

Edicioni i katërmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar Kulinar-Folklorik "Shijet Banate – Traditat e fshatit tim" do të mbahet më 16 gusht 2025, e shtunë, në fshatin Asenovo, komuna Nikopoll. Festivali organizohet nga Vatra e Kulturës "Petër Parçeviç..

botuar më 25-08-16 6.15.PD

Vallet bullgare e ndezën atmosferën në Durrës në "Mbrëmjen e Kulturës së Bullgarisë"

Edicioni i tretë i festivalit "Mbrëmja e Kulturës së Bullgarisë - 2025" në qytetin e Durrësit, Shqipëri, u zhvillua në një atmosferë të mrekullueshme festive. Kjo u njoftua në Facebook nga Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Tiranë. Valltarët nga..

botuar më 25-08-11 4.52.MD
Foto: Muzeu Etnografik pranë Akademisë Bullgare të Shkencave (arkiv)

Tre ditë, gjashtë skena dhe mbi 7000 pjesëmarrës – Koprivshtica bashkon amatorët më të mirë nga Bullgaria

Zemra dhe ritmi i shpirtit bullgar – me këto fjalë mund ta përkufizojmë në mënyrë metaforike Tubimin Kombëtar të Artit Popullor Bullgar. Tradicionalisht që nga viti i largët 1965, eventi organizohet një herë në pesë vjet në fundjavën e parë të gushtit..

botuar më 25-08-07 7.45.MD