Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2026 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Freski, ecje në natyrë dhe pamje mbresëlënëse – shpëtoni nga vapa në Svoge

Foto: Veneta Nikollova

Kur termometrat në Sofje i afrohen pa mëshirë 40°C, ajri bëhet i rëndë si plumbi, rrugët boshatisen dhe njerëzit kërkojnë shpëtim në malet përreth. Vetëm rreth një orë me makinë në veriperëndim të kryeqytetit, shpatet e malit Stara Pllanina në rajonin e qytetit të Svoge bëhen një strehë e freskët. Shumë preferojnë ta vizitojnë këtë cep të mrekullueshëm natyror me tren. Linja hekurudhore gjarpëron nëpër thellësitë e Grykës së Iskërit, duke zbuluar pamje mahnitëse drejt gjarpërinjve të lumit Iskër dhe fshatrave të vendosura në brigjet e tij. Ky terren i egër dhe i thyer ofron jo vetëm freski, por edhe një përvojë të vërtetë, mësojmë nga Krasimir Petkov, kryetar i shoqatës turistike “Gryka e Iskërit”:


Në zonë ka shtigje si Shtegu i njohur Ekologjik i Vazovit. Ai fillon nga fshati Gara Bov dhe të çon në fshatin Zasele. Rruga ndjek hapat e shkrimtarit të madh bullgar Ivan Vazov,  i cili dikur ka krijuar veprat e tij në këtë zonë. Shtegu kalon nën ujëvarën piktoreske Rajskoto Prëskalo - një nga më të lartat në Bullgari. Shëtitja deri në Zasele zgjat rreth një orë dhe është jashtëzakonisht e këndshme. Shkëmbinjtë mbi shteg ofrojnë pamje mbresëlënëse drejt Grykës Iskër. Një tjetër mundësi për një shëtitje është shtegu i ndërtuar së fundmi "Trite Bora" (“Tre Pishat”), i cili gjithashtu fillon nga Svoge. Është i lehtë, por ofron pamje të bukura drejt qytetit dhe është një zgjedhje e shkëlqyer për një shëtitje të qetë. Nëse dëshironi diçka më ndryshe, mund të ndiqni një shteg mbi fshatin Zhelen. Atje ndodhet një nga rrëshqitjet më të mëdha të dheut në Gadishullin Ballkanik, me gurë të mëdhenj lumi të hedhur mbi njëri-tjetrin. Në pjesën e sipërme të shtegut ka një strehë me pamje drejt qytetit.”

Shkëmbinjtë mbi fshatin Llëkatnik

Zona është karstike, e mbushur me shpella dhe humnera të thella, të cilat ofrojnë freski dhe adrenalinë të lartë. Më i njohuri është labirinti shkëmbor mbi fshatin Llëkatnik - mure të pjerrëta gëlqerore, në vende mbi 100 m të larta, nga të cilat duken qartë gjarpërimet e lumit Iskër. Në këmbët e tyre ndodhet shpella “Temnata Dupka” ("Vrima e Errët"). Këtu temperaturat janë 15°C më të ulëta se jashtë. Në verë, e gjithë zona është e freskët dhe ideale për ngjitje ose meditim.

Shpella Temnata Dupka

Ka një itinerar deri në majën Grohoten, i cili është emblematik për Svoge - thotë gjithashtu Krasimir Petkov. - Shtegu është i markuar dhe ka një strehë në majë. Ka edhe një pamje të mrekullueshme nga shkëmbinjtë. Vetë maja Grohoten ndodhet në një lartësi prej rreth 1100 metrash mbi nivelin e detit. Strehimi ndodhet në rreth 900 metra mbi nivelin e detit, ndërsa diferenca e lartësisë përgjatë shtegut është rreth 500–600 metra. Ky është një shëtitje e këndshme nëpër pyll që zgjat rreth dy orë. Është veçanërisht е përshtatshme në ditët e nxehta të verës, kur temperaturat kalojnë 40 gradë - shtegu ofron freski dhe natyrë të bukur."

Rrugët pyjore përgjatë kreshtës së Ballkanit në zonën e fshatit Leskovdoll janë itineraret perfekte për çiklistët malorë dhe motoçiklistët enduro. Zbritjet nëpër pyjet e ahut janë plot me kthesa me hije dhe garantojnë një adrenalinë të lartë. Dhe në "fund" të grykës, të gdhendur nga shtrati i lumit Iskër, mund të freskoheni duke lundruar me kajak. Rruga ujore lidh fshatrat Cerovo dhe Llëkatnik dhe është e përshtatshme për fillestarët.

Fenomeni natyror Xhugllata në fshatin Cerovo

Në kulmin e verës, fluksi turistik në rajonin e Svoge është i madh, thotë Krasimir Petkov, duke shtuar:

"Për dikë që dëshiron të bëjë shëtitje në male, ka mundësi të shkëlqyera. Në të gjitha drejtimet... Për shembull, në majën Cerija, i cili është 1234 metra mbi Svoge ose nga fshati Tompsën lart në mal, por mund të bëni edhe shëtitje dy-ditore. Ka vende për të qëndruar, shtëpi mysafirësh. Mund të organizoni pushime shumë të këndshme në mal. Rajoni ynë është i madh, interesi është i madh dhe kjo është e dukshme, prandaj na vizitojnë shumë njerëz", përfundoi Krasimir Petkov.


Lexoni më tepër në arkivin e Radio Bullgarisë:

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva

Foto: Veneta Nikollova



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Platforma ikonike prej xhami "Maja" në malin Rodope është rinovuar

Platforma panoramike “Vërhët” ("Maja"), një vend ikonik turistik në malin e Rodopeve, është rinovuar. Me iniciativën e Shoqatës Turistike "Kreposta - Mogilica", objekti, i vendosur në 1351 metra mbi nivelin e detit, u rinovua dhe mori një shtresë..

botuar më 25-11-23 6.50.PD
Foto: Facebook/Parada e Verës së Re

"Parada e Verës së Re" në Plovdivin e Vjetër magjeps me aromat dhe frymën e traditës

Festivali i shtatëmbëdhjetë me radhë i verës së re në Plovdiv u hap zyrtarisht më 21 nëntor. Maratona e verës, e cila do të vazhdojë gjatë gjithë fundjavës, premton një udhëtim të paharrueshëm kulinar dhe kulturor në atmosferën autentike të..

botuar më 25-11-22 6.55.PD

Bullgaria tani është pjesë e "Rrugës Evropiane të Verës"

Ministria e turizmit mori një certifikatë zyrtare anëtarësimi në rrugën prestigjioze kulturore evropiane "Rruga e Verës" (Iter Vitis). Ajo iu dorëzua Ministrit të turizmit Mirosllav Borshosh në shenjë njohjeje të përfshirjes së Bullgarisë në..

botuar më 25-11-20 4.26.MD