Më 6 gusht, Kisha Ortodokse Bullgare kremton një nga Dymbëdhjetë Festat e Mëdha të Zotit – Shpërfytyrimin e Zotit tonë Jezu Krisht. Kjo festë lidhet me një nga ngjarjet më të rëndësishme ungjillore – shfaqjen e Jezu Krishtit në lavdinë e Tij qiellore përpara tre prej nxënësve të Tij më të afërt.
Ndërsa i përgatiste për ngjarjet që do të vinin, Ai shpesh u fliste atyre për vuajtjet që e prisnin, për vdekjen dhe Ringjalljen e Tij të lavdishme. Dhe për të forcuar besimin e nxënësve të Tij, Jezu Krishti u tregoi tre prej apostujve Thelbin e Tij Hyjnor.Së bashku me Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, Zoti u ngjit mbi malin Tabor në Galile. Ai u largua pak prej tyre dhe nisi të lutej, ndërsa nxënësit e Tij ranë në gjumë. Kur u zgjuan, panë Mësuesin e tyre tërësisht të shndërruar – fytyra e Tij ndriçonte si dielli dhe petkat e Tij shkëlqenin si drita.
Jezusi po bisedonte me dy nga përfaqësuesit më të mëdhenj të Dhiatës së Vjetër – profetët Moisiu dhe Elia. Përballë këtij vegimi të mrekullueshëm, apostujt ranë përmbys në tokë nga frika dhe dridhja. Kur Biri i Perëndisë iu afrua, apostulli Pjetër mori guximin dhe foli i pari: “Për ne është mirë të jemi këtu, o Zot; le të bëjmë tri çadra: një për Ty, një për Moisiun dhe një për Elian”.
Në atë çast, një re e ndritshme i mbështolli ata që po bisedonin, dhe nga ajo re u dëgjua një zë i fuqishëm: "Ky është Biri Im i dashur, në Të është kënaqësia Ime – Atë dëgjoni!". Që nga ai moment, nuk kishte më asnjë dyshim: Jezusi është Biri i Perëndisë.
Qëllimi i Shpërfytyrimit është që Zoti Jezu Krisht t’i sigurojë nxënësit e Tij se Ai nuk është një mbret tokësor, por Mbret Qiellor i lavdisë – thekson atë Klimenti Harizanov nga kisha “Shpërfytyrimi i Zotit” në Sofje, në një intervistë nga arkivi i Radio Bullgarisë. – Në shërbesën e kësaj feste vihet theksi mbi kuptimin e Shpërfytyrimit – që kur apostujt ta shohin Jezu Krishtin të pështyrë, të rrahur, të përqeshur, me kurorën e gjembave mbi kokë dhe të kryqëzuar, të kujtojnë pikërisht atë lavdi në malin Tabor. Që të mos zhgënjehendhe të mos bien në dëshpërim, por të dinë se Ai është Mbreti i botës dhe se lavdia e vërtetë nuk qëndron në gjërat e kota dhe kalimtare të kësaj toke, por në bashkimin me botën qiellore, shpirtërore, dhe në pasqyrimin e realitetit hyjnor."
Sipas fjalëve të Atit Kliment, kjo ngjarje e madhe ka kuptim edhe për ne, sepse tregon në çfarë lavdie do të vishen besimtarët gjatë Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit. “Atëherë të gjithë të vdekurit do të ringjallen, dhe ata që janë gjallë në tokë në një çast do të shndërrohen, dhe ashtu siç u shndërrua Zoti ynë Jezu Krisht, edhe gjithë të drejtët dhe shenjtorët do të shkëlqejnë në Mbretërinë e Qiellit”, thekson prifti.
Edhe sot njeriu kërkon pajtim me Perëndinë, thekson Ati Klimenti. Sidomos në momentet e dhimbjes dhe provave të rënda, kur nga askund nuk ka shpresë, njerëzit drejtohen te Perëndia. Atëherë ndodh përmbysja brenda njeriut dhe ai shndërrohet, për të hapur shqisat e tij shpirtërore. Vjen momenti i pendesës dhe i rrëfimit.
“Për këtë arsye, në Kishë është vendosur sakramenti i shenjtë i pendimit, në të cilin njeriu lahet nga mëkatet që ka kryer pas pagëzimit të shenjtë. Sakramenti i shenjtë i pendimit është një spital shpirtëror dhe është vendi ku njeriu mund të bëjë reflektimin e jetës së tij. Ai mund të bëjë atë që quhet vetëkritikë sakrale, të vlerësojë jetën e tij në dritën e Ligjit të Zotit. Ku ndodhet tani? Ku nuk ka qenë i drejtë? Dhe të rrëfejë sinqerisht para priftit mëkatet e tij, të pajtohet me Zotin dhe me njerëzit. Prandaj, Krishterimi është feja e faljes së gjithanshme. Ashtu si Zoti na fal, edhe ne duhet të falim në të njëjtën mënyrë. Të jemi bujarë ndaj njerëzve, nëse duam të marrim falje edhe nga Zoti ynë Jezu Krisht.”
Pikërisht në këtë përqendrohet edhe kuptimi i Shpërfytyrimit – prandaj për të gjithë besimtarët e krishterë, deri në ditët tona, Shpërfytyrimi i Zotit lidhet me një përmbysje shpirtërore, me shpresën për një ndryshim drejt së mirës.
Më shumë rreth festës, mund të lexoni edhe në publikimet nga koleksioni i Radio Bullgarisë:
Teksti: Darina Grigorova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Darina Grigorova
Në vitin 2025 shënohen 80 vjet nga bombardimi atomik mbi qytetin japonez Hiroshima. Sipas traditës, në shenjë solidariteti me viktimat e sulmit, çdo vit më 6 gusht shoqëria bullgare ka mundësi të shohë një relikte unike – “Guri nga Hiroshima”. Ai..
Në zonën Predella, më 2 gusht, do të shënohet 122-vjetori i shpërthimit të Kryengritjes së Ilindenit me një ceremoni vendosjeje kurorash dhe lulesh para monumentit “Ilindeni”. Bashkia e Razllogut njofton se ceremonia do të mbahet me pjesëmarrjen e një..
Më 20 korrik (sipas stilit të ri) Kisha Ortodokse Bullgare nderon profetin e Dhiatës së Vjetër Ilia. Populli ynë e quan festën Ilinden dhe tregon legjendën e mëposhtme: Kur Zoti po shpërndante botën, Shën Ilias iu dha "bubullimat e verës". Për të..
Në vitin 2025 shënohen 80 vjet nga bombardimi atomik mbi qytetin japonez Hiroshima. Sipas traditës, në shenjë solidariteti me viktimat e sulmit, çdo vit..