Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Tubimi i XIII Kombëtar i Artit Popullor Bullgar:

Tre ditë, gjashtë skena dhe mbi 7000 pjesëmarrës – Koprivshtica bashkon amatorët më të mirë nga Bullgaria

13 ansamble me të huaj do të interpretojnë folklor bullgar jashtë programit të konkursit

Foto: Muzeu Etnografik pranë Akademisë Bullgare të Shkencave (arkiv)

Zemra dhe ritmi i shpirtit bullgar – me këto fjalë mund ta përkufizojmë në mënyrë metaforike Tubimin Kombëtar të Artit Popullor Bullgar. Tradicionalisht që nga viti i largët 1965, eventi organizohet një herë në pesë vjet në fundjavën e parë të gushtit në Koprivshtica


Këtë vit, edicioni i 13-të i Tubimit të Festave në vendin tonë do të mbahet më 8, 9 dhe 10 gusht, dhe në të do të marrin pjesë mbi 7000 amatorë dhe dashamirës të folklorit, traditave dhe zakoneve bullgare, shpjegoi për Radio Bullgarinë kryetarja e bashkisë së qytetit të Rilindjes Kombëtare Bullgare, Maria Toromanova. Këngë, valle dhe zakone autentike të ruajtura nga të gjitha zonat gjeografike të vendit do të shfaqen me pjesëmarrjen e muzikantëve që luajnë në instrumente popullore, rrëfimtarëve të legjendave të harruara, si dhe do të bëhen rikrijime të zakoneve vendase. Pikërisht kjo gjithëpërfshirje është arsyeja se pse Tubimi Kombëtar i Artit Popullor Bullgar u regjistrua në vitin 2016 në listën e UNESCO-s për ruajtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit, së bashku me qilimat e Çiprovcit, Gjyshet e Bistricës, nestinarstvo-n dhe zakonin e Survës.  

"Ngjarja është jashtëzakonisht e rëndësishme për ruajtjen e traditave dhe folklorit tonë", është kategorike Maria Toromanova.

Maria Toromanova

"Shumë njerëz e konsiderojnë si një festival të zakonshëm, por ai nuk është vetëm i tillë! Shumë njerëz nuk e dinë natyrën e tubimit. Muaj para festës, mbahen raunde rajonale garash me pjesëmarrjen e të gjitha qendrave kulturore dhe këngëtarëve, valltarëve dhe ansambleve të tyre më të mira. Dhe tek ne, në fakt është finalja e një konkursi në të cilin amatorët më të mirë interpretojnë folklor autentik, të papërpunuar. Duke parë në livadhe shumëllojshmërinë e kostumeve popullore, mund të ndieni emocionin e këtij eventi."


Një meritë e madhe për autenticitetin e së kaluarës, e cila po "lind" para syve tanë sot, u takon edhe specialistëve nga Instituti i Etnologjisë dhe Studimeve Folklorike pranë Muzeut Etnografik në Akademinë Bullgare të Shkencave, bashkëorganizatorë të ngjarjes. 30 etnologë dhe folkloristë, të ndarë në komisione jurie prej pesë anëtarësh, do të bëjnë vlerësimin përfundimtar të shfaqjeve në gjashtë skena për të nderuar më të merituarit mes përfaqësuesve të 28 rajoneve të vendit. Çdo detaj në veshjet e tyre do të vihet re, madje edhe nëse kanë lule natyrale apo artificiale në flokët e tyre, tha Maria Toromanova. Dhe më të mirat do të shpërblehen me diplomën e çmuar, e cila vërteton trashëgiminë e ruajtur.

Lexoni më shumë për traditën e festimit të tubimit folklorik në Koprivshtica në arkivin e Radio Bullgarisë:


Ky nuk është vetëm një festival, por një muze i gjallë i shpirtit bullgar - një vend ku historia, arti dhe krenaria kombëtare bashkohen. Prandaj, vendndodhja e mbajtjes së tij nuk është e rastësishme - livadhet e zonës së Vojvodenecit pranë Koprivshticës së epokës së Rilindjes. "Kjo zonë është specifike, kryesisht për shkak të akustikës. Meqenëse këto gjashtë skena të ndërtuara në livadhe, megjithëse janë shumë afër njëra-tjetrës, ato në fakt nuk ndërhyjnë me njëra-tjetrën për sa i përket tingullit", shpjegon kryetarja e bashkisë Maria Toromanova.


"Njerëzit që nuk janë pjesëmarrës në konkurs janë gjithashtu tërheqës për mua - këto janë grupet e huaja, të cilat vijnë vullnetarisht dhe tërësisht me shpenzimet e tyre. Këtë vit do të ketë mbi 13 prej tyre, përfshirë trupa nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe. Të shtunën, më 9 gusht në orën 19:00 sipas kohës lokale, ata do të jenë në sheshin qendror të Koprivshticës, dhe koncerti me pjesëmarrjen e tyre do të zgjasë pothuajse deri në mesnatë. Është tërheqëse për ne, bullgarët, që shohim njerëz që jetojnë jashtë vendit, të cilët kanë një interes të madh për folklorin tonë. Për shembull, në festivalet e mëparshme kemi pasur mysafirë nga Japonia, të cilët interpretojnë këngë popullore bullgare në dy zëra. Të shohësh një të huaj që nuk di asnjë fjalë nga bullgarishtja duke kënduar folklorin bullgar është një moment i jashtëzakonshëm jashtë programit zyrtar", thotë Maria Toromanova për Radio Bullgarinë.


Me muzikën popullore, vallet, zanatet dhe zakonet, kjo festë madhështore është një dëshmi e trashëgimisë së pasur kulturore të Bullgarisë, e transmetuar brez pas brezi. Tubimi Kombëtar në Koprivshtica transmetohet brez pas brezi, i krijuar nga amatorët - mbrojtës të traditave bullgare për 60 vjet. Hapja madhështore e edicionit të tij të 13-të këtë vit është të shtunën, më 9 gusht, në orën 11:00 sipas kohës bullgare dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT). Po atë ditë, në sheshin qendror të qytetit në orën 21:30, do të prezantohet gjithashtu spektakli "Misteri i Zjarrit Nestinarski" me valle rituale mbi prush.

Organizatorët e Tubimit Kombëtar të Folklorit Bullgar janë Ministria e Kulturës, Bashkia e Koprivshticës, Administrata Rajonale e Rajonit të Sofjes dhe Instituti i Etnologjisë dhe Studimeve Folklorike pranë Muzeut Etnografik pranë Akademisë Bullgare të Shkencave.


Kënga "I bukur je, o pylli im" me tekst nga Ljuben Karavellov dhe muzikë nga Georgi Goranov u shpall në vitin 2014 himni zyrtar i "Kryeqytetit Rebel të Rilindjes Bullgare" - qytetit të Koprivshtica dhe i Tubimit Kombëtar të Folklorit.

Lexoni më tepër në koleksionin e Radio Bullgarisë:

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva

Foto: Muzeu Etnografik pranë Akademisë Bullgare të Shkencave (arkiv), Bashkia e Koprivshticës, Bojan Boçev, Facebook/Diana Minçeva (arkiv), Ministria e Turizmit (arkiv)

Video: Facebook /nestinari.eu (arkiv)


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Turistë nga SHBA-ja, Kanadaja dhe Australia njihen me magjinë e traditës bullgare

Dashuria për folklorin bullgar bashkon turistë nga tre kontinente në një tur kulturor të rajonit të Silistrës. Një nga ndalesat për mysafirët nga SHBA-ja, Kanadaja dhe Australia, të tërhequr nga magjia e traditës bullgare, është fshati Profesor..

botuar më 25-08-06 3.52.MD

"Iglika Kilim Fest" tregon historinë e Bullgarisë me qilima

Fshati piktoresk i Gabrovos, Iglika, i shndërron rrugët dhe oborret e tij në një shesh të madh ekspozitash në ajër të hapur. Nga 1 deri më 3 gusht, "Iglika Kilim Fest" paraqet një koleksion mbresëlënës prej gati 900 qilimash autentikë të..

botuar më 25-08-01 5.43.MD

Vampirët në trojet tona nuk janë një dukuri e re. Kush është vampiri bullgar?

Çdo njeri në vendin tonë ka dëgjuar që në fëmijëri histori të frikshme për vampirë të rrezikshëm. Sot i njohim më së shumti përmes mënyrës se si i paraqesin autorët e romaneve dhe sidomos titujt e famshëm në kinematografi. Megjithatë, nuk duhet të..

botuar më 25-07-24 7.30.PD