Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Pavell Balev – dirigjenti botëror i premierave bullgare

7
Foto: pavel-baleff.de

Për tre dekada me radhë, Pavell Balev gëzon një karrierë të jashtëzakonshme në Evropë, Azi dhe Amerikë. Ai është dirigjenti bullgar më i respektuar në Gjermani dhe Austri, Francë dhe Zvicër, Danimarkë dhe Sllovaki, Rusi dhe Kinë, Tajvan dhe Singapor. Intelektual, erudit dhe punëtor i palodhur, interpretues i saktë, i thellë dhe i frymëzuar, fitues i çmimeve prestigjioze, muzikant i klasit botëror, ai nuk pushon së përsërituri se mund të ketë sukses vetëm dhe vetëm si bullgar. Megjithëse shumë rrallë dirigjon në atdhe, kontributi i tij për kulturën muzikore bullgare dhe teatrin kombëtar të operës është i padiskutueshëm – në radhë të parë me premierat e realizuara në Bullgari.



Pas "Arin e Rinit" (2010), "Valkyrie" (2011) dhe "Siegfried" (2012) nga cikli “Unaza e Nibelungëve” e Wagnerit në Operën e Sofjes dhe "Dhelpra dinake" (The Cunning Little Vixen) të Leoš Janáček në Varna (2023), më 20 gusht 2025, në kuadër të festivalit "Opera në Teatrin Veror", Balev do të dirigjojë premierën e parë për Bullgarinë të kryeveprës operistike "Rusalka" të Antonín Dvořák.


Pavell Balev është bullgari i parë që ka marrë pozitën e dirigjentit kryesor në një teatër opere në Francë. Ai ka deklaruar disa herë se kudo paraqitet si muzikant bullgar.



"Unë jam bullgar europian. Dhe mendoj se si bullgar europian, ose si europian bullgar, mund të tregoj më shumë dhe të zgjoj më shumë interes për diçka që mund ta tregojmë – nga këndvështrimi ynë, me zhvillimin tonë, me mentalitetin tonë, me edukimin dhe arsimimin tonë. Mendoj se aty fshihen avantazhet tona – sepse jemi të detyruar të luftojmë dhe të dëshmojmë vazhdimisht. Vetëm kur njeriu arrin vërtet të luftojë, mund të arrijë diçka, dhe këtë mund ta bëjmë vetëm me qëndrueshmërinë bullgare. Ky është mendimi im – unë luftoj si bullgar."



Pavell Balev ka lindur në Çirpan. Ka studiuar në Shkollën Muzikore të Stara Zagorës – qyteti i blinave dhe poetëve, i njohur për respektin ndaj arteve dhe dashurinë e veçantë për operën, si dhe për Festivalin e famshëm të artit operistik dhe baletit. Këtë vit ai do të dirigjojë trupën e Operës së Stara Zagorës në premierën e "Andrea Chénier" të Umberto Giordanos gjatë Festivalit – dhe ky në fakt do të jetë debutimi i tij në Stara Zagora. Një nga muzikantët bullgarë që interpreton shumë muzikë bullgare, Balev arriti të bindë yllin botëror Diana Damrau të këndojë lutjen e Maria Desisllavës nga opera me të njëjtin emër e Parashkev Haxhievit. Së fundmi ai përfshiu Suita Skandinave të Vladigerovit në një program koncertal me orkestrën e qytetit Suxhou në Kinë.



"Gjatë një kohe të gjatë nuk mendoja se isha mjaft i pjekur për të marrë këtë përgjegjësi për interpretimin e titujve bullgarë. Më duhej kohë. Procesi ishte i gjatë dhe i ndërlikuar, por unë preferoj të punoj veprat nga periudha gjermane e Vladigerovit, sepse atje ai është mjaft më klasik, hyn në korniza të bukura, arrin të përmbajë energjinë krijuese dhe ta stilizojë në shumë aspekte në atë mënyrë që të ketë sukses në Perëndim. Dhe mendoj se duhet ta paraqesim pikërisht me këtë universalitet evropian, që e gjej në opusët e tij të parë, të shkruara në Gjermani."


Publiku gjerman ka pëlqyer shumë edhe partiturën e Marin Goleminovit në interpretimin e tij – Variacionet mbi një temë të Dobri Hristovit. Ndërsa tani Balev ka një dëshirë të madhe të interpretojë vepra të Ljubomir Pipkovit, sepse "thelbi i tij muzikor është shumë, shumë i shprehur".



Në fund, kur pyetet për takimin më të rëndësishëm të jetës së tij, ai mendon për pak, por pastaj pohon me siguri se është takimi me bashkëshorten e tij. Muzikanti legjendar me të cilin do të donte të kalonte një mbrëmje është Mozart. E para gjë që i vjen në mend kur dëgjon fjalën Bullgari? " Nuk di si ta formuloj, por është një dashuri e pandërprerë, e dhimbshme… Mund të thuhet edhe 'dhimbja pa të cilën nuk mundem'."



Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: pavel-baleff.de, operalimoges.fr



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Foto: Facebook/Maria Mutafçieva - Mary

Një seri koncertesh vjeshte nga “Mary Boys Band” dhe një këngë e re - "Djali im"

“Mary Boys Band “- grupi që këndoi ndërrimin e verës me vjeshtën - po përgatit një seri koncertesh dhe po prezanton një këngë të re, "Djali im". Të enjten, më 25 shtator, në studion e koncerteve të Radio Varnës në orën 19:00, Maria..

botuar më 25-09-24 1.45.MD

Nina Nikolina me rrëfim dhe dashuri për farefisin dhe atdheun

Gjithmonë e angazhuar me projekte të shumta, Nina Nikolina e pret vjeshtën me disa ngjarje të rëndësishme: një këngë të re, një album dhe një koncert-premierë për prezantimin e albumit. Këngëtarja shënon rikthimin e saj në muzikën pop me albumin e ri..

botuar më 25-09-23 10.14.PD
Foto: Facebook/SY11 Events

Për herë të parë, Sofja do të presë konkursin “Operalia” për yjet e reja

Yjet e operës Sonia Jonçeva dhe Plácido Domingo do të sjellin në Sofje një galaktikë menaxherësh operash dhe 32 këngëtarësh të rinj operistikë nga 17 vende në 5 kontinente. Konkursi më prestigjioz për yjet në ngritje të operës në botë –..

botuar më 25-09-21 5.00.PD