Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Interesi për arsimin e lartë në Bullgari po rritet mes bullgarëve nga Ukraina, Moldavia dhe Maqedonia e Veriut

Foto: BGNES

Vazhdon të jetë i qëndrueshëm interesi për universitetet bullgare nga të rinjtë me origjinë bullgare që jetojnë jashtë vendit, të cilët aplikojnë përmes Dekretit Nr. 103 të Këshillit të Ministrave të vitit 1993. Ky vendim parashikon kushte preferenciale për bashkatdhetarët nga diasporat, që nuk kanë shtetësi bullgare.

Për vitin e ardhshëm akademik, numri më i madh i studentëve të regjistruar vjen nga Ukraina, Moldavia, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, tha në një intervistë për Radio Bullgaria zëvendësministri i arsimit, akademik Nikollaj Vitanov. 

Nikollaj Vitanov

“Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e Bullgarisë (MON) aktualisht ofron 2000 vende për studim në universitetet shtetërore për bullgarët që jetojnë jashtë vendit – shpjegon akademik Nikollaj Vitanov. – Prej tyre: 40 vende janë për doktoraturë, dhe 240 për kualifikime pasuniversitare. Shteti bullgar mbështet financiarisht këta studentë dhe specializantë me bursa mujore nga 240 leva (rreth 123 euro) për studentët dhe 1227 leva (rreth 627 euro) për doktorantët dhe specializantët. Studentët nga shtatë vende – Maqedonia e Veriut, Serbia, Shqipëria, Kosova, Kazakistani, Ukraina dhe Moldavia – gëzojnë privilegje të veçanta, si: përjashtim nga tarifat e shkollimit, strehim në konvikte dhe ushqim në mensa të subvencionuara, sigurim shëndetësor i detyrueshëm dhe kurs i detyrueshëm i gjuhës bullgare, pa pagesë.”

Sipas analizave, interesi për të studiuar në Bullgari sipas Dekretit nr. 103 të Këshillit të Ministrave (1993) mbetet i qëndrueshëm ndër vite, me 800 deri mbi 1000 studentë të rinj që pranohen çdo vit.

Për vitin e ardhshëm akademik, numri më i madh i studentëve të regjistruar nga diasporat bullgare vjen nga Ukraina (847 studentë), Moldavia (410), Maqedonia e Veriut (254) dhe Serbia (160). Në tri shtetet e para regjistrohet një rritje e ndjeshme e numrit të të interesuarve për të studiuar në Bullgari, ndërsa për Serbinë ka një ulje prej 14 studentësh, krahasuar me vitin e kaluar akademik. 

Rosica Koleva

“Interesi më i madh është për specialitetet “Mjekësi”, “Mjekësi dentare” dhe “Farmaci” - shpjegon për Radio Bullgaria Rosica Koleva, drejtoreshë e Drejtorisë për Arsimin e Lartë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. – Përveç provimit të detyrueshëm të përgjithshëm në gjuhën dhe letërsinë bullgare si dhe historinë e Bullgarisë, këta kandidat-studentë japin edhe një provim specializues në biologji dhe kimi, i cili zhvillohet në platformën online të Ministrisë së Arsimit. Ka interes edhe për drejtimet “Arkitekturë”, “Ndërtimi i godinave dhe objekteve” dhe “Drejtësi”.  Specialitetet ekonomike "Administrim Biznesi", "Ekonomia e Turizmit", "Menaxhim Biznesi", "Marketing" i gëzojnë gjithashtu një interes të madh.”

Logjikisht, duke pasur parasysh orientimin profesional të studentëve, universitetet tona më të preferuara për regjistrim janë universitetet mjekësore në Sofje, Varna, Pleven dhe Plovdiv. Ndër institucionet e tjera të preferuara të arsimit të lart janë Universiteti i Sofjes “Shën Klimenti i Ohrit”, Universiteti Kombëtar për Studime Ekonomike dhe Politike (UNSS), Universiteti Ekonomik në Varna, si dhe universitetet teknike në Sofje dhe Varna. Studentë nga diasporat bullgare mund të ndjekin gjithashtu studime në universitetet e qyteteve Plovdiv dhe Veliko Tërnovo, si dhe në Universitetin Jugperëndimor.

Procesi i aplikimit për ata që dëshirojnë të studiojnë në Bullgari është lehtësuar dhe zhvillohet veçanërisht online përmes platformës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Atje, pas regjistrimit dhe marrjes së një numri unik identifikimi, kandidatët dorëzojnë certifikatat për prejardhjen bullgare dhe diplomën e përfunduar të arsimit – të mesëm ose të lartë. Pas miratimit të dokumenteve të tyre, ata kalojnë në zgjedhjen e specialiteteve dhe universiteteve. Kandidatët për bachelor kanë të drejtë të aplikojnë deri në pesë specialitete, ndërsa ata për master dhe doktoratë – deri në tre specialitete.

Renditja bëhet mbi bazë të dokumenteve arsimore të dorëzuara. Ata që klasifikohen marrin një certifikatë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës që vërteton pranimin e tyre, e cila u jepet nga universiteti me mbërritjen e tyre në Bullgari. Për lehtësinë e tyre, në platformë publikohen kontaktet e personave përgjegjës për regjistrimin në fakultetin përkatës dhe për vendosjen në konvikt. Kjo certifikatë shërben gjithashtu edhe për lëshimin e vizës afatgjatë për qëndrim në Bullgari me qëllim studimin.

Përveç një procesi më të lehtë aplikimi, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës po bën përpjekje për të rritur interesin ndaj universiteteve tona përmes takimeve të rregullta dhe fushatave informuese në komunitetet bullgare jashtë vendit. Po punohet në mënyrë aktive edhe me drejtorët e shkollave bullgare të së dielës, për t’u shpjeguar në detaje të gjithë procesin, në mënyrë që ata të mund të ndihmojnë dhe inkurajojnë nxënësit e tyre të ndjekin studimet në Bullgari.

Po ashtu, mbahet një lidhje e fortë ndërinstitucionale me konsujt tanë në këto vende dhe punohet ngushtë me Agjencinë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit.

Lexoni më shumë mbi temën nga arkivi i Radio Bullgarisë:


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: BGNES, Ivan Gergov, aba.government.bg, far.rs, BTA, Universiteti Mjekësor - Sofje




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Mbetjet e dinozaurëve u gjetën pranë qytetit Trën

Shkencëtarë zbuluan kocka të reja të dinozaurëve dhe kafshëve të tjera kurrizore pranë qytetit Trën, në Bullgarinë Perëndimore. Zbulimi u bë gjatë Ekspeditës së Tetë Paleontologjike të organizuar nga Muzeu Kombëtar i Historisë Natyrore pranë Akademisë..

botuar më 25-08-19 2.51.MD

Fushata e WWF-Bullgaria siguroi pajisje për vullnetarët që marrin pjesë në shuarjen e zjarreve

Formacione vullnetare nga e gjithë Bullgaria, që marrin pjesë në shuarjen e zjarreve, morën pajisje të blera falë donacioneve nga mbi 1800 persona përmes një fushate të organizuar nga WWF-Bullgaria, njoftoi organizata për mbrojtjen e natyrës, e..

botuar më 25-08-19 10.08.PD

Gjithnjë e më shumë të rinj nga diasporat bullgare nëpër botë duan të studiojnë në Bullgari

Interesi i të rinjve me origjinë bullgare nga jashtë vendit për të studiuar në institucionet e arsimit të lartë në Bullgari po rritet. Ndër të regjistruarit për vitin e ardhshëm akademik, më të shumtët janë nga Ukraina, Moldavia, Maqedonia e Veriut..

botuar më 25-08-18 4.49.MD