Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Eleonora Edreva studion teknikat e vjetra të ngjyrimit në Bullgari

Nëntitull: Kthimi i saj në atdhe është paraprirë nga takimet me indianët në SHBA

Foto: Fulbright Bulgaria



Ngjyrosja me ngjyrat nga natyra – kjo është tema, të cilën e ka zgjedhur të studiojë me qasje etnografike heroina e tregimit tonë të sotëm. Ajo është një bullgare e re, të cilën rrethanat e jetës e çuan në SHBA që në një moshë fare të vogël. Në Çikago Eleonora përfundon diplomën bachelor në letërsi, dhe me një program master vazhdon në Nju Meksiko – një shtet, të cilin ajo vetë e quan “rezervati i indianëve”.

Sot Eleonora është specializante në programin “Fullbright” dhe është përqendruar në fushën e artit tekstil. Tema e punës shkencore, e cila e ktheu në Bullgari, mban brenda vetes ngarkesën e ekologjisë. Studiuesja dëshiron të mbledhë dije nga bullgarët e vjetër për ngjyrat natyrore, të cilat ata i kanë përdorur në përpunimin e veshjeve, qilimave dhe mbulesave të tyre. 



Institucioni pritës i specializantes nga SHBA është Instituti për Etnologji dhe Folkloristikë me Muzeun Etnografik pranë BAN në Sofje. Ata e ftuan Eleonora Edrevën të mbajë një ligjëratë para një audience më të gjerë, dhe tema ishte “Ngjyrosje tradicionale dhe bashkëkohore me ngjyra natyrore në Bullgari”. Ajo provokoi interes serioz te publiku bullgar, ndërsa Eleonora ndau vëzhgimet e saj, se në Bullgari tashmë pothuajse askush nuk praktikon këtë lloj ngjyrosjeje ekologjike. “Ligjërata kaloi shumë mirë, edhe pse kjo është paraqitja e parë që bëj në bullgarisht. Pati shumë pyetje dhe nga të gjithë kuptova, se kjo është një temë, mbi të cilën shumë rrallë bëhen kërkime shkencore” – ndan Eleonora Edreva para Radio Bullgarisë:



“Nuk dija çfarë të prisja para se të mbërrija, nuk gjeta shumë informacion në rrjet. Së pari shkova në Çiprovci – i vetmi vend, për të cilin dija, se do të gjeja të paktën pak të dhëna mbi temën. Atje është Nikolla Nikollov – kimist, mësues dhe drejtor në shkollën vendore, i cili i ka kushtuar shumë kohë dhe energji për të ruajtur mirë traditat vendore të ngjyrosjes. Për fat të keq, për shkak të moshës së tij të thyer, nuk arrita të takohesha me të. Ai megjithatë ka udhëhequr një rreth mbi ngjyrosjen natyrore në shkollë dhe unë u njoha me shumë njerëz në qytet, të cilët ende i ruajnë shënimet nga provat në këtë rreth. Por për fat të keq askush nuk është marrë seriozisht për të vazhduar këtë temë. Tani ka disa njerëz, të cilët merren me endje në Çiprovci dhe përpiqen të bëjnë eksperimente dhe prova.”



Me projektin e saj shkencor mbi temën e ngjyrosjes me materiale natyrore, Eleonora udhëton edhe në vende të tjera në vend, ku ka pasues të traditave të vjetra. Në Muzeun Etnografik në natyrë “Etër” pranë Gabrovos, ajo zbulon një artizanale, e cila merret me ngjyrosje. “Për fat të keq edhe atje ka pasur ndërprerje të traditave dhe mjeshtrja tani përpiqet vetë të ringjallë dijet e vjetra dhe të bëjë eksperimente me bimët vendase. Është interesante të shihet cilat barëra janë ngjyruese, e cilat jo, dhe gjithashtu cilat janë ngjyrat që dalin” – ndan vëzhgimet e saj studiuesja nga SHBA.

Për veten e saj Eleonora thotë, se ka lindur në Bullgari, por ende kur ishte vajzë e vogël, familja e saj u shpërngul të jetonte në Çikago. Megjithatë kurrë nuk reshtën në shtëpi të flasin në bullgarisht. Ajo dhe motrat e saj (të lindura në Çikago) e zotërojnë gjuhën në mënyrë perfekte, dhe kjo e ndihmoi të vazhdonte me projektin e saj në Bullgari. Interesi i saj për teknikat e ngjyrosjes megjithatë është provokuar nga mënyra e jetesës së indianëve në Nju Meksiko:



“Ata e kanë ruajtur shumë mirë kulturën dhe traditat e tyre, ndërsa traditat e tyre tekstile janë shumë të forta – në endje dhe në ngjyrosje. Prej andej fillova të interesohem për këtë temë, sepse ishte interesante edhe si këto fise indiane kanë arritur të ruajnë kaq mirë traditat e tyre dhe arrijnë të jetojnë njëkohësisht në kohën e sotme, dhe në botën e paraardhësve të tyre përmes besimit, zanateve dhe praktikave të ndryshme. Pikërisht kjo më frymëzoi shumë të aplikoj për këtë projekt, kështu u shfaq ideja të kthehem në Bullgari. Për mua është e rëndësishme të kuptoj gjendjen e traditave tona tekstile. Më duket se njerëzit, kur kanë kaluar nëpër vështirësi dhe asimilim, si indianët për shembull, për ta bëhet e rëndësishme të ruajnë traditat dhe t’ua përcjellin brezave të ardhshëm.”



Teknika e ngjyrosjes te indianët është shumë e ngjashme me atë në Bullgari – na tregoi gjithashtu Eleonora Edreva. Dhe përderisa në shkallën më të madhe ajo varet nga bimët vendore, bashkatdhetarja jonë përpiqet të studiojë bimët ngjyruese specifike në Bullgari. Por teknika është e njëjtë – mblidhet lulja ose gjethet, zien uji dhe pastaj futet fija, e cila do të përdoret për ngjyrosje. Më shpesh është përdorur leshi. Interesante është, se leshi dhe mëndafshi shumë më mirë i nënshtrohen ngjyrosjes, sesa pambuku, liri e të tjera. Këtë e dinin edhe indianët, edhe bullgarët, prandaj kanë përdorur produkte me prejardhje shtazore, kur i kanë ngjyrosur pëlhurat e tyre.

Projekti kërkimor i Eleonora Edrevës tashmë ka përfunduar, por me vendim të vet ajo do të qëndrojë përgjithmonë në Bullgari. Ajo i sheh anët pozitive të atdheut të saj dhe mendon, se këtu ka kushte të shkëlqyera për jetesë dhe zhvillim për çdo të ri, i cili, si ajo, dëshiron të punojë në fushën e shkencës. 

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski
Foto: Fulbright Bulgaria, Gergana Mançeva


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Krijues të njohur do të marrin pjesë në punëtorinë artistike “Krijuesi dhe natyra” buzë Danubit

Punëtoria e 29-të kombëtare e arteve pamore “Krijuesi dhe natyra” do të zhvillohet në fshatin Vetren, buzë lumit Danub, nga data 22 deri më 28 gusht, njoftuan për BTA organizatorët nga Shoqata Lokale e Piktorëve dhe Komuna e qytetit Silistra. Në..

botuar më 25-08-22 6.10.PD

Bullgaria është mikpritëse e një forumi evropian për gjuhët klasike

Bullgaria është për herë të parë mikpritëse e konferencës vjetore të Euroclassica – federata evropiane e mësuesve të gjuhëve klasike, njofton BTA. Ngjarja ndërkombëtare, e cila po zhvillohet në Universitetin e Sofjes "Shën Kliment Ohridski", vendos..

botuar më 25-08-21 3.59.MD

Ekspozita “American Art” sjell në Burgas vepra të krijuesve botërorë

Bashkia e qytetit Burgas dhe galeria Vivacom Art Hall Oborishte 5 prezantojnë ekspozitën ndërkombëtare American Art, e cila sjell në Burgas vepra nga disa prej krijuesve më të rëndësishëm amerikanë dhe botërorë të shekullit XX dhe XXI. Hapja zyrtare..

botuar më 25-08-20 12.16.MD