Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Studentët shpikën një robot në ndihmë të fermerëve të vegjël në Bullgari

Martin Georgiev (majtas) dhe Gregori Leon Furi
Foto: Desisllava Shapkarova



Zgjidhje për një punë, të cilën askush nuk dëshiron ta punojë, propozojnë dy shpikës të rinj bullgarë. I linduri në Katar Gregori Leon Furi dhe Martin Georgiev nga Sofja krijojnë sistem të robotizuar për barërat e këqija, duke përdorur inteligjencë artificiale dhe teknologji lazer. Të dy janë studentë në Universitetin Amerikan në Bllagoevgrad, dhe në qershor ekipi i tyre “Robotnik” mori çmim nga konkursi për ide sipërmarrëse rinore nga Bullgaria – “Akademia për Inovacione 2025”.

“Vërejtëm se shumica e inovacioneve janë të drejtuara tek prodhuesi i madh, ndërsa fermeri i vogël dhe bujku janë lënë paksa mënjanë” – thekson Gregori Leon Furi.

“Gjatë disa javëve të fundit u takuam me fermerë në pjesë të ndryshme të Bullgarisë dhe pamë sa problem të madh kanë. Ata mbështeten vetëm dhe vetëm në punën njerëzore – shpjegon Martin Georgiev. – Ajo që më trishtoi, është se njerëz të moshuar – mbi 70-vjeçarë, punojnë në arë, e kjo është jashtëzakonisht punë e rëndë! Fermat e vogla nuk kanë mjaftueshëm fuqi punëtore, ata nuk mund të jenë konkurrues, dhe nuk kanë realisht zgjidhje të problemit.”

Imazh i modelit të përfunduar të inteligjencës artificiale

Vetë roboti do të dallojë nga ata të prodhuar deri tani për madhësinë e tij të vogël – vetëm 60 cm, dhe përdorimin e teknologjisë lazer – dëshmi për shkatërrim preciz të barërave të këqija. Për funksionet e implementuara në prototip tregon Gregori Leon Furi:

“‘Barërat e këqija AI’ në fakt quhet produkti, i cili do të jetë i shënuar në robotin e parë, të quajtur ‘Nik1’. Ky është një nga tre funksionet që do të kemi në robot. Komponenti, i cili do të qëndrojë brenda robotit, do të heqë barërat e këqija me ndihmën e inteligjencës artificiale dhe lazerit. Funksioni i dytë është kamera, e cila do të qëndrojë mbi robot. Ajo do të vëzhgojë gatishmërinë e perimeve dhe bimëve dhe do të njohë shëndetin e tyre – a bëhen më të verdha gjethet, a janë ngrënë etj. Funksioni i tretë është lëvizja autonome.”

Inteligjenca artificiale njeh barërat e këqija

Krahas kësaj, roboti i Martin dhe Gregorit do të ketë mundësinë të zbulojë barërat e këqija gjatë gjithë vitit, si dhe të njohë llojet e tyre të ndryshme. Për shembull, ato që zvarriten në tokë do të përpunohen me funksion lazer shtesë të projektuar posaçërisht. Çmimi është element i rëndësishëm i çdo teknologjie të re, dhe shpikësit kanë bërë llogaritje se sa do të duhet të paguajnë fermerët, nëse duan ta shtojnë “Nik1” në ekipin e tyre të punëtorëve bujqësorë.



“Do të kenë mundësi ta përballojnë – i bindur është Martin. – Bëmë llogaritje fillestare, të cilat tregojnë se do të mund të shitet në diapazon çmimi deri rreth 10 000 euro. Më e rëndësishmja është se një pjesë e madhe e kësaj shume, fermerët do të mund ta kthejnë përmes programeve të ndryshme evropiane, të cilat janë të orientuara drejt automatizimit të bujqësisë.”

Pas përfundimit të arsimit të mesëm, edhe të dy shpikësit e rinj ishin të përballur me dilemë – a të vazhdojnë arsimin e tyre në Bullgari, apo jashtë shtetit. Sot janë të bindur se kanë bërë zgjedhjen e drejtë.

“Unë do të thosha se ky është ndoshta vendimi më i mirë që kam marrë në jetën time – kategorik është Martin, i cili studion administrim biznesi: – Në Bullgari ke mundësi të takohesh me njerëz, të cilët të mbeten miq për gjithë jetën, e gjithashtu takohesh me njerëz të rinj mendimtarë, të cilët me të vërtetë duan të ndryshojnë kushtet dhe gjendjen në vend. Ata duan të bëjnë diçka ndryshe, që të mbetet.”



“Në Bullgari ka me të vërtetë shumë, shumë, shumë… djem dhe vajza të frymëzuar, të cilët duan të zhvillojnë talentet e tyre këtu dhe të kontribuojnë me diçka për shoqërinë... Unë besoj në këtë! E shoh çdo ditë!” – shton Gregori. Thonë se pjesa më e madhe e bashkëstudentëve të tyre planifikojnë të mbeten dhe të punojnë në kompani në Bullgari. Dhe që të jesh i suksesshëm, pa marrë parasysh në cilën fushë, njeriu duhet të posedojë mjaft cilësi të rëndësishme, por në radhë të parë është dëshira të jesh në ndihmë të shoqërisë – pohon Martin:

“Nuk mendoj se arsimi është me aq rëndësi sot, sepse njeriu tashmë mund të vetëarsimohet. Më e rëndësishmja është në shkolla të mësohet mendimi kritik ndaj pyetjeve filozofike – ndan pikëpamjet e tij Gregori. – Si inovatorë të rinj ne arrijmë të lidhim faktorë të ndryshëm dhe t’i bashkojmë – problemet reale dhe mundësitë me teknologjinë. Duhet ta posedosh këtë cilësi, sipas meje! Askush nuk e di saktësisht çfarë do të ndodhë në të ardhmen, si dhe për çfarë do të kemi nevojë. Puna jonë është t’i bëjmë vetes pyetje, të përpiqemi të hyjmë në ditën e nesërme dhe të krijojmë atë, që do të jetë e dobishme për shoqërinë dhe botën. Thjesht nuk ndalojmë së menduari dhe punuari, sa më shpejt dhe sa më efektivisht. Vazhdonim, sepse problemet janë shumë, zgjidhjet do të bëhen gjithnjë e më të lira dhe më të qasshme, dhe ne do të jemi pjesë e kësaj!”


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: Desisllava Shapkarova, qhzvepog.manus.space, arkivi personal i Gregori Leon Furi dhe Martin Georgiev



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Foto: Shkolla e Gjuhës Amtare Bullgare në Budapest

Një brez i katërt fëmijësh bullgarë në Hungari mbushin klasat e shkollës sonë të së dielës

Në ditën e fundit të gushtit, viti i ri shkollor filloi zyrtarisht në ndërtesën e Qendrës Kulturore Bullgare në rrugën “Vágóhíd” Nr. 62 në Budapest. Mësimet shkollore në Hungari filluan më 1 shtator dhe edhe këtë herë, mbi 150 fëmijë, pasardhës të..

botuar më 25-09-02 4.50.MD
Foto: Universiteti i Ruses

Dega e Universitetit të Ruses në Taraklia hapi vitin e saj të parë akademik

Dega e Universitetit të Ruses në Taraklia, Moldavi, filloi vitin e saj të parë akademik. Ngjarja u përcaktua si historike, pasi kjo është dega e parë dhe e vetme e një universiteti bullgar jashtë vendit . Dega u hap më 24 maj të këtij viti, pasi..

botuar më 25-09-02 2.41.MD

A e ngatërrojnë konsumatorin bullgar çmimet e dyfishta në euro dhe leva?

Që nga 8 gushti 2025, ka hyrë në fuqi tregimi i detyrueshëm i çmimeve për të gjitha mallrat dhe shërbimet në dy valuta - në leva bullgare dhe në euro. Ky detyrim do të mbetet i vlefshëm për tregtarët për një periudhë prej një viti - deri më 8 gusht..

botuar më 25-09-01 4.30.MD