Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Tre këndvështrime të historianëve bullgarë mbi Bashkimin e Bullgarisë në vitin 1885

Foto: arkiva

Në korrik të vitit 1878, pas luftës së dhjetë ruso-turke, në Kongresin e Berlinit, territoret e banuara me bullgarë në Ballkan u ndanë në pesë pjesë. Dobruxha Veriore iu dorëzua Rumanisë. Serbia mori sanxhakun e Nishit. Tokat midis Danubit dhe malit Stara Pllanina, së bashku me sanxhakun e Sofjes, formuan Principatën e Bullgarisë, formalisht të nënshtruar ndaj Perandorisë Osmane. Në jug, në Traki dhe Rodope, u krijua një krahinë autonome nën sundimin e sulltanit — e quajtur Rumeli Lindore. Bullgarët në Maqedoni dhe në rajonin e Edrenesë mbetën brenda kufijve të shtetit osman.

Më 6 shtator 1885, Principata e Bullgarisë dhe Rumelia Lindore, kundër vullnetit të Rusisë, u bashkuan nën sundimin e princit bullgar Aleksandër Batenberg. Në rrëmujën diplomatike që pasoi në nëntor, Mbretëria e Serbisë sulmoi Bullgarinë për të penguar Bashkimin. Ushtria bullgare arriti një fitore të papritur dhe statusi i ri u njoh nga Fuqitë e Mëdha.
Profesorët Millko Pallangurski nga Universiteti i Veliko Tërnovos “Shën Kirill dhe Metodij”, Veselin Jançev nga Universiteti i Sofjes “Shën Kliment Ohridski” dhe Petër Stojanoviç nga Instituti për Studime Historike në Akademinë Bullgare të Shkencave, botuan një libër të përbashkët me titull “Tre këndvështrime mbi Bashkimin”. Në studimet e tyre, autorët shqyrtojnë nga këndvështrime të ndryshme rolin e princit Aleksandër I i Bullgarisë në ngjarjet që çuan në bashkimin e parë të rëndësishëm dhe të qëndrueshëm të bullgarëve pas Çlirimit.

Princi 23-vjeçar Aleksandër Batenbergu u caktua sundimtar i Bullgarisë nga xhaxhai i tij – perandori rus Aleksandri II. Por shtatë vjet më vonë ai nuk ishte më i dëshiruar nga Rusia, e cila kërkonte ta rrëzonte nga froni bullgar. Për Radio Bullgarinë, prof. Jançev shpjegon pse u arrit deri në këtë kthesë.
Prof. Veselin Jançev
"Një përgjigje të shkurtër e jep vetë princi Aleksandër, i cili pas abdikimit të tij thotë se mëkati i tij kryesor ndaj Rusisë ishte fakti që vendosi të ndjekë një politikë të pavarur – rrëfen studiuesi. – Vizioni i Rusisë për Principatën e Bullgarisë dhe për princin bullgar ishte që Bullgaria të ishte një territor në Gadishullin Ballkanik, i cili do të zgjeronte ndikimin rus dhe do të shërbente si bazë nga e cila Rusia do të kundërshtonte me sukses depërtimin e Austro-Hungarisë në Ballkan, ose në rast të një lufte të re me Perandorinë Osmane. Përpjekja e princit Aleksandër për të vendosur kontroll mbi ushtrinë dhe për ta vënë atë në shërbim të interesave bullgare, e jo atyre ruse, për mua është thelbi dhe konflikti më të rëndësishëm midis Bullgarisë dhe Rusisë."

Si problem tjetër thelbësor mes “Davidit dhe Goliatit”, siç e përshkruan studiuesi këtë përplasje, është çështja e modernizimit të Bullgarisë. Rusia nuk mund t’i ofronte një rrugë të qytetëruar dhe moderne për zhvillimin e shtetit të ri. Qëndrimi i princit Aleksandër I, se vendi duhej të kishte administratë moderne, industri, tregti dhe komunikime, u perceptua nga diplomacia ruse si një ambicie e fshehur që Bullgaria të shkëputej nga kontrolli dhe ndikimi i Rusisë dhe të orientohej drejt Perëndimit. Diplomatët rusë raportonin në Shën Petersburg se rreth sundimtarit ishin mbledhur agjentë të ndikimit perëndimor. Por e vërteta është tjetër – thekson profesori.
Petër Stojanoviç, Veselin Jançev dhe Millko Pallangurski (nga e majta në të djathtë) në prezantimin e librit.
"Nuk duhet të injorojmë misionin e princit Aleksandër, me të cilin ai erdhi në Bullgari dhe të cilin e deklaroi që përpara se të hynte në të drejtat e tij si sundimtar. Ai tha se do ta respektonte Marrëveshjen e Berlinit për aq kohë sa të ishte e mundur, por qëllimi i tij kryesor do të ishte bashkimi i të gjitha tokave bullgare në një shtet të përbashkët. Siç është shprehur më vonë – dhe kjo është shumë mbresëlënëse, megjithëse pak njihet – “nën skeptrin e përbashkët mbretëror”. Kjo do të thotë se ai kishte idenë se misioni i tij si sundimtar ishte të bashkonte bullgarët dhe të shndërronte Bullgarinë në një mbretëri të pavarur. Sigurisht, kjo nuk mund të ndodhte brenda një dite, as për një vit. Por është fakt që ai mbërriti me këtë mision dhe ka mjaft prova se gjatë gjithë kohës së sundimit të tij, në një formë apo në një tjetër, mbështeti të gjitha iniciativat dhe idetë për bashkimin ndërmjet Principatës së Bullgarisë dhe Rumelisë Lindore. Sigurisht, duke manovruar në mënyrë të kujdesshme mes pozicioneve dhe interesave të Fuqive të Mëdha."
Prof. Petër Stojanoviç
Ideja për krijimin e triptikut libror mbi Bashkimin ishte e profesorit Stojanoviç, rrëfen historiani. Sepse, siç kemi shkruar, çdo këndvështrim është një mendim tjetër, por jo i fundit.
Prof. Millko Pallangurski
"Këndvështrimi i profesorit Millko Pallangurski është përmes idesë kombëtare dhe luftës për bashkim kombëtar, ku Bashkimi shihet si një fazë në këto përpjekje. Një fazë jashtëzakonisht e rëndësishme, që tregon se nuk është gjithmonë i mundur një lloj i tillë bashkimi. Sepse situata në Rumelinë Lindore është rrënjësisht e ndryshme nga ajo në Maqedoni. Për të mos përmendur bullgarët nga sanxhaku i Nishit, në Dobruxha dhe të tjerë. Këto janë tashmë “planete të ndryshme” në të cilat jetojnë bullgarët, dhe bashkimi i tyre mekanik, sado pozitiv të tingëllojë – është i lehtë në hartë, por jo në realitet."

Lexoni më tepër:

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: Ivo Ivanov, BTA, arkiva


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Një port i lashtë nga mijëvjeçari i I para erës sonë ka ekzistuar pranë Kepit Killik

Nga data 17 deri më 23 shtator 2025, në ujërat pranë Kepit Killik, komuna Avren, u zhvilluan kërkime arkeologjike nënujore nën drejtimin e prof. dr. Ivan Hristov, me pjesëmarrjen e zhytësve nga Muzeu Historik Kombëtar, punonjës të Shërbimit Kombëtar të..

botuar më 25-09-25 5.05.PD

22 Shtator 1908 – Dita kur u shpall Pavarësia e Bullgarisë

Më 22 shtator 1908, me një manifest, princi Ferdinand I shpalli Pavarësinë e Bullgarisë dhe kështu u hodhën hapat e Mbretërisë së Tretë Bullgare. Ky akt nuk është bërë rastësisht në kishën "Shën 40 Dëshmorët" në kryeqytetin e vjetër Veliko Tërnovo: atje..

botuar më 25-09-22 5.05.PD

Rrugët historike të Sofjes

Më 17 shtator, Kisha Ortodokse Bullgare nderon kujtimin e martires së shenjtë Sofia dhe tre bijave të saj Besimi, Shpresa, Dashuria, të cilat vdiqën si martire të besimit në shekullin e parë pas Krishtit. Më 17 shtator përkujtojmë martirizimin..

botuar më 25-09-17 6.15.MD