Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Buxheti 2025 rezulton i parealizueshëm – arsyet dhe parashikimet

Foto: BTA

Buxheti shtetëror i Bullgarisë për vitin aktual 2025 "nuk mjafton". Kemi lëshuar dreqin nga shishja, shteti kurrë nuk ka shpenzuar kaq shumë – alarmojnë ekspertët financiarë. Deri në fund të vitit ka mbetur pak kohë, dhe pavarësisht përpjekjeve të mëdha të institucioneve si Agjencia Kombëtare e të Ardhurave dhe Agjencia e Doganave, gjithçka tregon se të ardhurat në arkën shtetërore do të jenë më të ulëta se sa të planifikuarat. Kujtojmë se gjatë miratimit të buxhetit shtetëror në fund të muajit mars të këtij viti, në të u përcaktuan parametra për të ardhurat, si për shembull rritja e TVSH-së me një rekord prej 33% krahasuar me vitin e kaluar – për të cilën pothuajse të gjithë ekspertët paralajmëruan se është e parealizueshme.
Temenuzhka Petkova
4,2785 miliardë leva ose 1,96% e PBB-së është deficiti deri në fund të korrikut, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të publikuara me vonesë në fillim të shtatorit. Dhe tradicionalisht, shteti përfundon "në defiçit" në fund të vitit, kur shpenzimet rriten ndjeshëm. Sipas fjalëve të ministres së financave Temenuzhka Petkova, grumbullimi i TVSH-së është rritur me 22%, ndërsa të ardhurat tatimore në përgjithësi rriten me 16,7% krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, janë rritur edhe shpenzimet – me 17,7%. Kështu shqetësimet e ekonomistëve po bëhen realitet – "Buxheti 2025" është i parealizueshëm.

Një parashikim të tillë kishte bërë edhe Këshilli Fiskal në fillim të prillit, duke parashikuar mospërmbushje të të ardhurave të planifikuara me 4,2 miliardë leva.
Ljubomir Dacov
"Më e rëndësishmja në fushën e financave, qoftë në sektorin bankar privat apo në financat publike, është besimi dhe sinjalet që transmeton – për bankat ndaj klientëve të tyre, për financat publike ndaj tatimpaguesve. Veprimet e pabazuara ulin besimin. Gjatë muajve të fundit, në mënyrë krejtësisht të pajustifikuar, Ministria e Financave uli standardet e veta për publikimin e të dhënave buxhetore – ky është muaji i radhës me vonesë. Ky fakt, pavarësisht nga rezultatet, ngjall dyshime. Sa i përket vetë të dhënave, zor se ndokush është i habitur – tendenca e përgjithshme, si në pjesën e të ardhurave ashtu edhe në atë të shpenzimeve, është ajo që pritej – nuk ka asgjë të re. Është fakt që grumbullimi i taksave është i mirë, krahasuar me performancën ekonomike, por nuk është ndryshe nga muajt e mëparshëm. Arsyeja për atë që u tha – se ka një mbledhje pak më të lartë, sidomos për TVSH-në gjatë korrikut – lidhet kryesisht me rritjen e shpenzimeve buxhetore, mbi të cilat është paguar TVSH-ja." – kështu e analizon situatën aktuale Ljubomir Dacov, ish-zv.ministër i Financave dhe aktualisht anëtar i Këshillit Fiskal, një organ i pavarur për monitorimin dhe analizën e kornizës buxhetore me qëllim ruajtjen e financave publike të qëndrueshme. "Si Agjencia Kombëtare e të Ardhurave (NAP), ashtu edhe Doganat po e bëjnë punën e tyre mjaft mirë në raport me treguesit ekonomikë, por nuk mund të presim përmirësim të mbledhjes së të ardhurave deri në fund të vitit – sepse nuk ka nga t’i gjejmë ato." – sqaron Dacov. Përveç kësaj – deficiti i planifikuar brenda kufirit 3% të PBB-së, që është maksimumi i lejuar si kriter për anëtarësim në eurozonë, madje ka qenë 'i lartë në mënyrë jorealiste', sipas ekspertit:

"Buxheti është me deficit, i cili është tepër i lartë në raport me ekonominë. Pa komentuar sa i përket besueshmërisë së të ardhurave ose nëse do të realizohen të gjitha shpenzimet kapitale. Llogaritjet që kemi bërë treguan se për këtë vit, deficiti maksimal nuk duhet të kalojë 0,8% – madje do të ishte mirë të ishte rreth zeros. Aktualisht kemi një deficit të parashikuar prej 3%, dhe të ardhurat tatimore ndoshta nuk do të realizohen me rreth 5–6 miliardë leva. Nuk është aspak ide e mirë vazhdimi i përdorimit të formulave automatike për indeksimin e shpenzimeve (si pensionet dhe pagat në sektorin buxhetor)."

Roli i Këshillit Fiskal – thekson Dacov – është të propozojë zgjidhje sa më të mira makroekonomike, jo politike, por është gjithashtu disi e kuptueshme që politikanët të zbatojnë masa si ato që po shohim aktualisht, për t’u bërë të pëlqyeshëm për votuesit.

Sipas ekonomistit, parametrat e buxhetit të parashikuar – të cilët për momentin janë të parealizueshëm – nuk janë formuluar për të përmbushur kriteret e famshme të Mastrihtit (për anëtarësim në eurozonë: deficiti, inflacioni dhe borxhi). Më shumë ka të bëjë me një inercion të krijuar gjatë katër viteve të fundit, kur filluan shpenzimet e mëdha buxhetore bujare në shumë fusha.

"Por kështu nuk mund të vazhdohet më," është i prerë Ljubomir Daxov, sipas të cilit, në buxhetin për vitin 2026 duhet të ndërmerren dy masa urgjente:

"Këto dy gjëra të rëndësishme janë: së pari, nëse do të gjendet vullneti politik për të hequr formulat automatike për përcaktimin e të ardhurave dhe shpenzimeve në buxhet. Dhe së dyti – që niveli i deficitit për vitin e ardhshëm të caktohet maksimalisht në 2%."
Simeon Djankov
Megjithatë, aktualisht nuk ka shenja që shteti do të veprojë në këtë drejtim, sepse nëse ekzistonte synimi për të bërë ndryshime kaq serioze, ato duhej të ishin vënë në tryezë dhe të diskutoheshin publikisht nga autoritetet. Në lidhje me këtë, kryetari i Këshillit Fiskal, Simeon Djankov, paralajmëroi para disa ditësh: për shkak të politikës financiare të shpenzimeve të tepruara, mund të jetë e nevojshme rritja e TVSH-së nga 20% në 22%.

"Të paktën prej 2 vitesh po them se, nëse nuk merren masa, do të vijë koha kur do të na duhet të rrisim taksat, sepse përmes huamarrjes nuk do të jetë më aq e lehtë të mbulojmë nevojat. Sa i përket çështjes së TVSH-së, unë dhe z. Djankov kemi të njëjtin qëndrim. Por dua të theksoj se ne nuk rekomandojmë rritjen e TVSH-së – po themi se, nëse nuk merren masa për të kontrolluar shpenzimet, atëherë presioni për të rritur taksat do të bëhet i pashmangshëm", deklaroi Ljubomir Dacov.
Rosen Zheljazkov
Ndërkohë, të paktën për momentin, qytetarët duhet të jenë të qetë. Kryeministri Rosen Zheljazkov ishte i prerë: qeveria nuk ka asnjë qëllim për të rritur barrën tatimore.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: BTA, BGNES, Pexels


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Kristine Lagarde thekson përfitimet për Bullgarinë nga adoptimi i euros

Me hyrjen në fuqi të euros më 1 janar, Bullgaria do të përfitojë nga stabiliteti, likuiditeti dhe të gjitha avantazhet që ofron monedha e përbashkët evropiane. Kështu u shpreh presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, në një..

botuar më 25-10-20 11.39.PD
Тomislav Donçev dhe drejtoresha e Agjencisë së Investimeve Mila Nenova në prezantimin e hartës

Prezantuan hartën e parë interaktive të investimeve në Bullgari

Ministria e Inovacionit dhe Rritjes prezantoi hartën e parë interaktive të investimeve në Bullgari .  Qëllimi i platformës është t'u ofrojë investitorëve bullgarë dhe të huaj informacion të dobishëm dhe të azhurnuar në një vend dhe ta bëjë më të lehtë..

botuar më 25-10-17 12.14.MD

Banka Kombëtare Bullgare i bën thirrje shtetit të ndjekë një politikë financiare konservatore

Rritja e ekonomisë kombëtare në tremujorin e dytë të vitit 2025 u përshpejtua me 3.5% në bazë vjetore. Sipas një analize nga Banka Kombëtare Bullgare - BNB nga numri 3 i "Pasqyrës Ekomomike", faktorët kryesorë për përshpejtimin janë rënia e importeve..

botuar më 25-10-16 1.36.MD