Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Në tunelet e kohës – Muzeu nëntokësor i minierës në Pernik

Foto: Ivan Gergov

I vetmi në Ballkan, por edhe unik për të gjithë Evropën – ky është Muzeu nëntokësor i minierës në Pernik, që ndodhet vetëm rreth 30 kilometra nga Sofja. Ai është ndërtuar në një minierë funksionale, dikur e njohur si "Minierat e Vjetra". Hapja e saj është bërë në vitin 1891, ndërsa sot ajo ndodhet në qendrën ideale të qytetit të madh, vetëm disa qindra metra nga ndërtesa e Bashkisë. Edhe pse tani është vetëm muze, që tërheq shumë vizitorë, miniera e dikurshme ka qenë një nga pikat më të rëndësishme ekonomike në shtetin bullgar të porsaliruar. 



Sa i përket vetë muzeut – ai ndodhet në dy galeri të "Minierave të Vjetra", ndërsa shëtitja nëntokësore është me gjatësi 630 metra. Ekspozita ndjek zhvillimin e nxjerrjes së qymyrit në Bullgari – nga puna me dorë me thikë e çekiç dhe nxjerrja e qymyrit me karroca prej druri e shporta, përmes përdorimit të qerres me kuaj, deri te lokomotivat elektrike "Siemens" dhe komplekset e mekanizuara.

Silvija Noteva

"Muzeu i vetëm në Gadishullin Ballkanik, ka të tillë muze në Evropë në Belgjikë, Francë, Gjermani, por ato nuk janë në galeri të vërteta. Ndërsa muzeu ynë është në galerinë e parë të Minierës Shtetërore të Pernikut nga viti 1891. Kjo është unikja e muzeut tonë minerar, sepse mund të ecni mbi gjurmët e minatorëve, të shihni mjetet e para, makineritë, si është zhvilluar nxjerrja e mineralit. Miniera është paraqitur në 34 nisha ekspozuese. Gjatë çdo pushimi shkollor zhvillohet "Pushim në muze". Ne duam që fëmijët tanë të njohin historinë e Pernikut. Dhe kjo është ambicia jonë – fëmijët të dinë historinë e tyre" – na rrëfen Silvija Noteva, kujdestare e "Historisë së re dhe më të re të Bullgarisë" në Muzeun Historik Rajonal – Pernik.



Minierat në Pernik kanë përfaqësuar fjalë për fjalë një shtet brenda shtetit – kanë pasur polici të tyre, brigadë zjarrfikëse e të tjera. Në to ndër vite kanë punuar mbi 12 mijë vetë. Pikërisht kësaj i detyrohet edhe zhvillimi i vrullshëm i qytetit të madh.



Ekspozita është jo vetëm autentike, por edhe interaktive, gjë që u jep mundësi vizitorëve fjalë për fjalë "të futen në këpucët" e minatorëve, që kanë punuar atje deri në fund të viteve ’70, kur miniera u mbyll.

Millan Millanov

"Ky është unikaliteti, që në këtë muze nëntokësor minerar është treguar tërësisht nxjerrja e qymyrit nga fundi i shekullit XIX deri në fund të viteve ’70 të shekullit XX. Ne u përpoqëm me zë dhe dritë t’i tregojmë në realitet – si me dorë është nxjerrë qymyr, si kanë përdorur kanarinat, që të parandalonin incidentet me gazin grisu (gaz pa ngjyrë, mbytës) dhe të paralajmëronin minatorët të iknin", rrëfen drejtori i muzeut në Pernik, Millan Millanov.



Aktualisht grisu nuk ka – për qetësinë e secilit që dëshiron të vizitojë muzeun. Por megjithatë, pasi bëhet fjalë për një minierë të vërtetë të mëparshme, çdo ditë eksperti bën kontroll, edhe me praninë e sistemit modern të ventilimit që funksionon në objekt.

Edhe pse është i njohur si kryeqyteti minerar i Bullgarisë, sot Perniku aspak nuk mbështetet në nxjerrjen e qymyrit për jetesën e vet. Përkundrazi – në qytet pothuajse nuk ka miniera funksionale, ndërsa shumë nga banorët e tij punojnë në kryeqytetin e afërt Sofje.



"Kjo është temë e dhimbshme – thotë Millanovi. – Perniku ishte i njohur si zemra industriale e Bullgarisë – jo vetëm me nxjerrjen e qymyrit kafe, por gjithashtu edhe me ndërtimin e makinave. Kishte kombinime të mëdha të ndërtimit të makinave, kombinim të madh metalurgjik (Stomana Pernik). Për fat të keq pas vitit 1989, pjesa më e madhe e ndërmarrjeve u mbyllën. Tashmë miniera nëntokësore nuk ka në territorin e shtetit tonë. Mbi 25 mijë vetë udhëtojnë çdo ditë në Sofje. Aktualisht ka nxjerrje të hapur të qymyrit në qytetin tonë, por nga 12-15 mijë vetë (në vitet e kaluara), tani janë të angazhuar rreth 1500-1600. Në kombinatin e madh metalurgjik nga 12 mijë, pasi e bleu firma greke, tani punojnë rreth 1200 vetë. Fabrikat e ndërtimit të makinave janë përfundimisht të mbyllura – nuk ekzistojnë!"



Dhe pavarësisht jetesës së pakësuar në Pernik, pavarësisht shakave dhe miteve për të, qyteti është një destinacion i mrekullueshëm vetëm gjysmë ore rrugë nga Sofja. Dhe vetë qyteti është plot me jetë dhe të rinj, gjë që jep shpresë për të ardhmen e tij. Sa i përket muzeut unik të minierës – të vegjël e të mëdhenj nga afër e larg mund ta vizitojnë çdo ditë. Në Pernik, megjithatë, mund të shihen edhe gjëra të tjera interesante – për shembull kështjella e Krakrës, që ka qenë një nga fortifikimet më të mëdha mesjetare bullgare, si edhe ekspozita e muzeut historik në qytet.



Shihni më tepër nga Arkivi i Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: Ivan Gergov, arkivi personal



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Në prag të sezonit të dëborës – a do ta tejkalojë turizmi ynë nivelin Dimër 2025

Sektori turistik në Bullgari shënon rritje gjatë viteve të fundit, si në sezonin veror, ashtu edhe në atë dimëror. Sipas të dhënave të ministrisë përkatëse deri në fillim të tetorit, qytetarët bullgarë që kanë vizituar destinacione turistike në vend kanë..

botuar më 25-10-20 8.00.MD

Hekurudha e Ngushtë e Rodopeve hyn në një renditje prestigjioze të turizmit të vjeshtës

Hekurudha me binarë të ngushtë e Rodopeve është emëruar si një nga udhëtimet më piktoreske me tren të vjeshtës në botë, sipas një sondazhi të ri ndërkombëtar të kryer nga platforma britanike e udhëtimit JR Pass. Linja e famshme hekurudhore që..

botuar më 25-10-09 10.23.PD
Disa nga manastiret shkëmbore në zonë janë të arritshme për turistët

Lugina e murgjve – nëpër gjurmët e kishave shkëmbore në rajonin Pollomie

Në verilindje të Bullgarisë, lumi Rusenski Llom dhe degët e tij – Çerni, Beli dhe Mallki Llom – kanë skalitur një peizazh shkëmbor të ashpër me shpella të fshehura dhe lugina të qeta, ku jehon vetëm kënga e zogjve. Në këto kanione, gjatë shekujve, janë..

botuar më 25-10-07 7.50.PD