Një rrugë e re për Bashkimin Evropian u përvijua nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fjalimin e saj vjetor për gjendjen e Bashkimit para eurodeputetëve në Strasburg disa ditë më parë. Shkurt, baza e kësaj rruge të re është pavarësia ekonomike dhe ushtarake e Unionit, u prekën edhe shumë tema të tjera, siç janë problemet sociale të popullsisë së Kontinentit të Vjetër, migrimi, dezinformimi, madje edhe rrjetet sociale dhe përdorimi i tyre nga fëmijët.
Interesi kryesor, i cili çoi si në lëvdata, ashtu edhe në kritika, u shkaktua nga politika e riarmatimit dhe qëndrimi ende kategorik i Evropës për ndihmën ndaj Ukrainës. Ndihma, përveç asaj ushtarake, do të jetë edhe financiare, dhe mjaft bujare, e cila do të vijë nga interesi mbi asetet financiare të ngrira ruse. U përmend edhe konflikti tjetër i madh - ai midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës, si dhe qëndrimi i Brukselit në favor të krijimit të dy shteteve në rajon - Palestinës dhe Izraelit. Diçka që si Tel Avivi, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara refuzojnë kategorikisht ta diskutojnë.
Çfarë është thelbësisht e re në retorikën e Brukselit dhe si përfshihet Bullgaria në linjën e re?
Biseduam me Ivajllo Vëllçev, eurodeputet nga “Ka një Popull të Tillë” (ITN) dhe Partia Konservatore dhe Reformiste Evropiane.
"Ka probleme reale në Evropë dhe papritmas ajo filloi të bëhet realiste. Pamë një ton mjaftë realist në fjalimin e këtij viti për gjendjen e Unionit. Znj. von der Leyen bëri vërejtje që më dukeshin të paimagjinueshme t'i dëgjoja prej saj vetëm pak muaj më parë. Bëhet fjalë për qëndrimin ndaj migrimit, ndaj industrisë, ndaj sektorit të automobilave, ndaj faktit se Marrëveshja e Gjelbër nuk është ilaçi që menjëherë do ta bëjë Evropën një vend të mrekullueshëm për të jetuar. Dëgjuam gjithashtu qëllime mjaft të mira dhe në drejtimin e duhur. Por pikërisht kjo është fjala kyçe - qëllime. Mbetet të shihet se si do të zbatohen ato në praktikë."
Doktrina ushtarake e BE-së dhe ndihma për Ukrainën, siç pritej, tërhoqën interesin më të madh. Megjithatë, sipas eurodeputetit, Evropa nuk po përgatitet për luftë.
Nuk bëhet fjalë për një aleancë për luftë. Bëhet fjalë për diçka për të cilën kemi folur për një kohë shumë të gjatë - që Evropa duhet të jetë në gjendje të mbrojë veten, të mos varet nga askush. Lind pyetja - çfarë po bëjmë ne vetë për të garantuar sigurinë tonë? "Kjo është e rëndësishme – mbrojtjadhe prodhimi, kontinenti të prodhojë në një mënyrë të tillë, ë të plotësojë nevojat e veta. Në lidhje me Bullgarinë, kjo do të thotë që energjia dhe bujqësia duhet të funksionojnë dhe që ne duhet të bëjmë të domosdoshmen, kështu që të marrim të gjitha fondet që Evropa do të ofrojë tani për ndërtimin e infrastrukturës, për forcimin e kufijve tanë", theksoi Ivajllo Vëllçev.
"Një politikë e bazuar në gënjeshtra, fillimisht e konceptuar si një fushatë PR, por më pas – një politikë e cila mbart rrezikun e ngjarjeve dramatike" - kështu e vlerësoi shumë më ashpër sociologu Kënço Stojçev politikën e udhëheqjes së KE-së.
Sociologu dhe ish-pronari i degës bullgare të Gallup nuk është dakord që Brukseli nuk po i shtyn vendet e BE-së drejt luftës.
“Kemi të bëjmë me politikanë që po e dështojnë projektin tonë evropian. Një projekt që, për mendimin tim, është projekti më domethënës në historinë e njerëzimit. Por ai është më i arsyeshëm si një projekt për paqen. Si një projekt për luftën, ai e shkatërron Evropën. Ajo që po bën von der Leyen me një grup të vetëharruar është vetëvrasja e të gjithëve ne si qytetarë evropianë”, është kategorik Stojçev, por ai parashikon se politika aktuale nuk do të zgjasë shumë, pasi qytetarët duan ndryshim.
Pavarësisht mosmarrëveshjeve të ashpra në nivel evropian dhe shumë pikëpamjeve të kundërta, të paktën në rastin e Bullgarisë mund të nxirret një gjë pozitive shumë e rëndësishme - që nga fillimi i mandatit të Parlamentit të ri Evropian, përfaqësuesit bullgarë në të janë takuar rregullisht, diskutuar dhe punuar së bashku për raste që lidhen me interesin tonë kombëtar - diçka e paparë në mandatet e mëparshme, theksoi Ivajllo Vëllçev. Shembulli më i habitshëm i kësaj është suksesi ynë i fundit në kundërshtimin e përpjekjeve të Shkupit për të përfshirë përmes lobimit "një identitet dhe gjuhë shekullore maqedonase" në raportin mbi progresin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Foto: EPA/BGNES, BGNES, BTA
Bullgaria është ndër vendet që pritet të bllokojnë shumicën e propozimeve të Komisionit Evropian për sanksione kundër Izraelit për shkak të veprimeve të tij në Rripin e Gazës, shkruan "Politico". Kjo pritet të ndodhë më 17 shtator, gjatë një takimi në..
Në kuadër të një vizite pune në Shqipëri sot, më 16 shtator, ministri i mbrojtjes i Bullgarisë, Atanas Zaprjanov, mori pjesë në panelin "Vendet e Evropës Juglindore si garantues të sigurisë së Bashkimit Evropian" në Forumin për Ndërlidhje – Tirana..
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu priti sot, 15 shtator, në Tiranë Ministrin e Mbrojtjes të Bullgarisë Atanas Zaprjanov, i cili bëri vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri, i shoqëruar nga një delegacion i rangut të lartë. Këtë e raportoi në faqen e..
Bullgaria është ndër vendet që pritet të bllokojnë shumicën e propozimeve të Komisionit Evropian për sanksione kundër Izraelit për shkak të veprimeve të..