Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

22 Shtator 1908 – Dita kur u shpall Pavarësia e Bullgarisë

Foto: eurochicago.com

Më 22 shtator 1908, me një manifest, princi Ferdinand I shpalli Pavarësinë e Bullgarisë dhe kështu u hodhën hapat e Mbretërisë së Tretë Bullgare. Ky akt nuk është bërë rastësisht në kishën "Shën 40 Dëshmorët" në kryeqytetin e vjetër Veliko Tërnovo: atje edhe vetë princi u shpall mbret. Pse ky akt i 22 shtatorit 1908 është kaq i rëndësishëm? Me të hidhen poshtë edhe lidhjet e fundit vasale me Perandorinë Osmane. Për më tepër, shpallja e Pavarësisë është në lidhje të drejtpërdrejtë me dy ngjarje të tjera shumë të rëndësishme që e paraprinë: Çlirimi në vitin 1878 dhe Bashkimi i Principatës së Bullgarisë me Rumelinë Lindore në vitin 1885.

Lufta ruso-turke e rivendosi Bullgarinë në hartën politike të Evropës, ndërsa Kongresi i Berlinit copëtoi territorin e vendit dhe në këtë mënyrë konfirmoi statusin e saj vasal. Edhe pas Bashkimit të vitit 1885, vendi ynë vazhdonte të ishte vasal i Perandorisë Osmane dhe nuk kishte të drejtë të lidhte marrëveshje tregtare apo politike-ushtarake me shtete të tjera, të vendoste tarifa doganore. Përveç kësaj, Bullgaria duhej të merrte përsipër pagesën e borxhit të madh të jashtëm të Perandorisë Osmane dhe të paguante një taksë vjetore ndaj sulltanit. Nuk mund të kishte përfaqësi diplomatike në asnjë shtet tjetër, ushtri të vetën dhe përballej me shumë kufizime të tjera.
Këshilli i Ministrave, i kryesuar nga Aleksandër Malinov, shpalli pavarësinë e Bullgarisë – shtator 1908.
Gjatë kësaj periudhe lindën kushte të favorshme për shpalljen e Pavarësisë së shtetit të ri.
Kështu erdhi Dita e Pavarësisë, në të cilën figurat kryesore ishin princi Ferdinand dhe kryeministri i tij. Jo më pak i rëndësishëm ishte roli dhe mbështetja e popullit, i cili ndiqte me interes të madh dhe emocion çdo veprim të princit të tij. Kishin kaluar pothuajse 30 vjet nga Çlirimi, dhe fati i Bullgarisë ishte ende në duart e Perandorisë Osmane. Prandaj, Dita e Pavarësisë pritej me vëmendje të madhe dhe entuziazëm, veçanërisht nga banorët e kryeqytetit të vjetër. “Me shpalljen e Pavarësisë, Bullgaria bëhet një shtet, juridikisht i barabartë me të tjerët dhe fiton sovranitet. Edhe pse pjesërisht, ky sovranitet ishte fituar jozyrtarisht edhe më parë”, thotë Dr. Ivan Cërov nga Muzeu Historik i Veliko Tërnovos.
Dr. Ivan Cërov
“Shprehej në faktin që vendi ynë të kishte përfaqësi diplomatike nëpër botë, të kishte monedhat e veta, të zhvillonte një politikë të jashtme të pavarur. Kjo gjithmonë ka ndodhur në mënyrë formale, pasi ndodhnin ngjarjet që më pas miratoheshin nga sulltani – gjë që është paksa poshtëruese për sundimtarin. Princ Ferdinandi, edhe pse jo aq vendimtar në atë kohë, nën ndikimin e të afërmve të tij, vendos të shpallë Pavarësinë. Deri atëherë, sipas Marrëveshjes së Berlinit, Bullgaria ishte një principatë formalisht e pavarur, por vasale e sulltanit, dhe titulli i sundimtarit nuk ishte mbret (i barabartë me perandor), por princ, që barazohet me trashëgimtar të fronit. Kjo është ana juridike e çështjes. Nga këndvështrimi ekonomik, ky nuk ishte një hap i mirë, sepse Bullgaria humbi tregjet e Perandorisë Osmane, e cila në atë kohë shtrihej në Lindjen e Afërt dhe Afrikën e Veriut. Këto tregje u bënë të paarritshme ose, nëse mbeteshin të arritshme, kërkonin pagesa doganore të larta. Por për vetëdijen kombëtare të popullit, për krenarinë e monarkut dhe politikanëve, ky ishte një akt shumë i rëndësishëm,” – thotë Ivan Cërov.

Cilat ishin ndjenjat në kryeqytetin e vjetër bullgar, Veliko Tërnovo, gjatë shpalljes së Pavarësisë? Rrëfimi i Dr. Ivan Cërov është shumë domethënës. Entuziazmi dhe gëzimi e kthejnë këtë ditë në një festë për banorët e Tërnovos, dhe këtë e dëshmojnë rrëfimet e bashkëkohësve që kanë mbijetuar deri në ditët tona. Pikërisht mbi një dëshmi të tillë mbështetet edhe historiani Dr. Ivan Cërov në përshkrimin e tij të ditës së 22 shtatorit, 117 vjet më parë:

“Princi Ferdinand ndodhej në Vjenë në atë kohë. Nga atje, me fregatën princërore zbret në portin e Rusçukut, ku merr trenin për në Tërnovo. Ishte mbrëmje dhe pothuajse kishte rënë nata, dhe për arsye sigurie, e fusin trenin në njërin nga tunelet përgjatë rrugës. Qytetarët e dinin se çfarë do të ndodhte në qytetin e tyre, sepse një ditë më parë kishte kaluar një lajmëtar. Por, për arsye të panjohura, treni kthehet mbrapsht dhe ndalet në stacionin ‘Trapezica’. Princi zbret dhe niset me shoqëruesit e tij drejt kishës ‘Shën Dhimitri’, e cila në atë kohë ishte në rrënoja. Aty ndalet për 15–20 minuta, ndoshta duke menduar për herë të fundit për të gjitha pasojat negative që mund të sjellë një akt i tillë. Më pas vazhdon rrugën, sepse ishte njoftuar se Manifesti do të lexohej në kodrën Hisar (sot – Carevec). Organizimi ka qenë me shumë çrregullime, por të mos harrojmë një moment të rëndësishëm: kur mbreti zbret në stacionin ‘Trapezica’, aty e pret kryetari i bashkisë së Tërnovos me makinën e shkrimit në dorë, të marrë nga bashkia. Kjo tregon qartë se kthimi i trenit nuk ka qenë rastësor. Menjëherë Malinovi ia dorëzon manifestin përmes dritares, dhe kryetari Ivan Vitellov shkruan katër kopje dhe në Muzeun Historik të Tërnovos ka mbërritur kopja e dytë nga këto katër, në të cilën është shkruar Manifesti për shpalljen e Pavarësisë.”
Stacioni hekurudhor Trapezica në ditët e sotme.
Lexoni më tepër:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: eurochicago.com, BTA, wikipedia. org, plovdiv-press.bg


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Rrugët historike të Sofjes

Më 17 shtator, Kisha Ortodokse Bullgare nderon kujtimin e martires së shenjtë Sofia dhe tre bijave të saj Besimi, Shpresa, Dashuria, të cilat vdiqën si martire të besimit në shekullin e parë pas Krishtit. Më 17 shtator përkujtojmë martirizimin..

botuar më 25-09-17 6.15.MD

Panagjurishte mirëpret origjinalin e Thesarit të Artë të Panagjurishtes

Më 16 shtator, Muzeu Historik në Panagjurishte do të mirëpresë origjinalin e Thesarit të Artë të Panagjurishtes. Ky thesar unik do të ekspozohet në sallën e kasafortës së kompleksit të muzeut. Deri më 23 tetor, banorët e Panagjurishtes dhe..

botuar më 25-09-16 5.05.PD

Tre këndvështrime të historianëve bullgarë mbi Bashkimin e Bullgarisë në vitin 1885

Në korrik të vitit 1878, pas luftës së dhjetë ruso-turke, në Kongresin e Berlinit, territoret e banuara me bullgarë në Ballkan u ndanë në pesë pjesë. Dobruxha Veriore iu dorëzua Rumanisë. Serbia mori sanxhakun e Nishit. Tokat midis Danubit dhe malit Stara..

botuar më 25-09-06 5.30.PD