Këngët popullore të krahinës folklorike të malit Rodopa zënë një vend të veçantë në zemrën e çdo bullgari. Ndoshta më e njohura në mbarë botën është "Doli Deljo kaçak", këngë që udhëton nëpër univers si mesazh muzikor nga Toka, e përfshirë në "Diskun e artë" të anijes kozmike "Voyager". Kënga "E bardhë jam, e bardhë jam, o trimi" konsiderohet si himni jozyrtar i malit Rodopa, ndërsa ndër më të dashurat janë edhe: "Oj vajzë, moj e bukur", "Kërce, Kalinke" dhe “O shkreta rinia e çmendur". Por një kryevepër folklorike u bë e njohur për të gjithë pas daljes në ekran të filmit "Fundi i këngës", xhiruar në vitin 1971 nga regjisori Milen Nikollov, sipas tregimit emocionues të shkrimtarit Nikollaj Hajtovi – "Ibrjam-Ali". Dashuria e pamundur mes Aliut dhe Najmes, ku vdekja e vajzës së bukur pasohet nga vrasja në pritë e të dashurit të saj, përfundon me këngën që Aliu e donte më shumë se çdo gjë – "U shtri e sëmurë Rufinka".
Historia e Rufinkës është plotësisht e vërtetë. E reja jetonte më shumë se 150 vjet më parë në fshatin malor të malit Rodopa, Poprellka. Emri i këtij fshati do të thotë “ndenjëse ku punohet me furkë” (ndenjëse tradicionale ku gratë rrinin dhe përdredhin lesh ose pambuk). Poprellka ndodhet në bashkinë e qytetit Smoljan, rreth 35 kilometra nga qyteti, dhe mund të arrihet vetëm nëpërmjet një rruge të paasfaltuar nga fshati fqinj Kremene. Sot në Poprellka jetojnë vetëm 10 banorë – pa dyqan, pa mjek, pa farmaci dhe pa asnjë lokal. Por fshati ka fituar famë sepse Rufinka e këngës legjendare është nga aty. Emri i saj origjinal është Rufie, që në përkthim do të thotë “E Lartësuar”, ndërsa mbiemri - Çakallova. Rufie është personifikimi i gruas plotë joshje të kësaj krahine malore – e bukur, e mirë dhe punëtore. Ajo bie në dashuri me një djalosh të mrekullueshëm – Asan Kiçukov nga fshati fqinj Nadarci. Të dy janë nga familje të pasura dhe nuk ka pengesa për dashurinë e tyre; pas kësaj vjen fejesa. Por pas fejesës, Rufie sëmuret nga një sëmundje e çuditshme dhe e pashërueshme, dhe disa muaj më vonë ndërron jetë.
Sipas tekstit të këngës, Rufinka që vuante e shtrirë në shtrat, i pyet nënën nëse mund t’i japë çejzin e saj dikujt tjetër, që ta zëvendësojë pranë të dashurit të saj. Jashtë është pranvera e mrekullueshme, ndërsa vajza ndjen se toka po e thërret… Prindërit e Rufies shkuan në Turqi pak pas vdekjes së saj, ndërsa dy vjet më vonë ndërroi jetë edhe nëna e saj. Sipas legjendës, në varrin e vajzës rritet (ose është mbjellë nga nëna e saj) një lule e rrallë, akalegia e bardhë, që nuk gjendet askund tjetër në rajon. Kjo lule rritet vetëm pranë vendit të fundit të pushimit të bukurës Rufinka nga fisi Çakallski, nga i cili nuk ka mbetur trashëgimtarë në Bullgari. Nën petlat e bardha të lules është pllaka varri e të rejës nga mali Rodopa. Vendi është pastruar dhe është vendosur një gur, i punuar nga gurpunuesit nga Smoljani, me tekstin e këngës që e përshkruan historinë e Rufies.
Banorët vendas thonë se i fejuari i saj, Asan Kiçukov, jetoi plot 100 vjet. Dashuria e tyre e paplotësuar u shndërrua në një elegji të trishtueshme kënge, veçanërisht prekëse në interpretimet e këngëtarëve vendas, si i famshmi Veselin Xhigov. Ai lindi në vitin 1940 në fshatin Kutella, rajonin e qytetit Smoljan, me emrin Feim Xhigov. Si trashëgimtar i një familjeje të madhe këngëtarësh ishte solist shumëvjeçar i Grupit Folklorik “Vievska”.
Ai njihet me interpretimin e mrekullueshëm të shumë këngëve të krahinës folklorike të malit Rodopa. Por shembulli i pakontestueshëm në repertorin e tij është kënga "U shtri e sëmurë Rufinka", këngë kjo e cila me zërin e tij të thellë tingëllon me madhështinë dhe emocionin e duhur.
Kryevepra e krahinës folklorike të Rodopeve "U shtri e sëmurëRufinka", njihet edhe në përpunimin e bukur të kompozitorit të madh bullgar Krasimir Kjurçijski, por versioni më ndikues është ai fantastik i kolegut të tij, Stefan Dragostinov. Gjatë dy dekadave – nga viti 1974 deri në 1994 – Dragostinov ishte dirigjent, drejtues kryesor artistik dhe drejtor i Ansamblit Kombëtar Folklorik "Filip Kutev". Një theks i rëndësishëm në krijimtarinë e tij është projekti i madh "Antologjia e folklorit bullgar – Ikonat zanore të Bullgarisë dhe Çelësi i misterit", i cili nisi në vitin 1994 së bashku me formacionin koral të krijuar nga kompozitori, "Dragostin Folk National". Kori realizoi 11 albume, ku albumi i parë mban emrin e Rufinkës.
Në vitin 2007, në kryeqytetin e Koresë së Jugut, ndër krijuesit e nominuar nga e gjithë bota, Komiteti Ndërkombëtar World Music i akordoi Stefan Dragostinovit titullin Mjeshtër Botëror (World Master) “për arritje të jashtëzakonshme në fushën e muzikës tradicionale”. Stili i tij si kompozitor u përshkrua nga specialistët si një "sintezë e gjallë midis traditës muzikore kombëtare dhe teknologjive bashkëkohore kompozitorike", ndërsa përpunimi i tij i këngës "U shtri e sëmurë Rufinka" është një pikturë e pabesueshme polifonike, e ringjallur me përsosmëri nga këngëtaret e "Dragostin Folk National".
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto:smolyan.bg, bnf.bg, irodopi.bg, bg.wikipedia.org, личен архив на Стефан Драгостинов
"Festivali Evropian i Muzikës" në Sofje ofron disa ngjarje të spikatura për adhuruesit e muzikës në serinë vjeshtore të edicionit të tij të 25-të. Nga mesi i tetorit deri më 2 dhjetor 2025, do të zhvillohen koncerte me programe interesante dhe..
Më shumë për Emanuill Manollovin mund të lexoni në arkivin e Radio Bullgarisë : 155 vjet nga lindja e atit të operës bullgare Emanuill Manollov Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva Foto : Wikimedia Commons, Dimitër..
Kalina dhe Joana Andreevi janë marrë me muzikë gjithë jetën e tyre. Edhe pse kanë një arsimim muzikor klasik, si bija të këngëtares, dirigjentes dhe pedagoges vokale Neli Andreeva dhe dirigjentit, kompozitorit, aranzhuesit dhe instrumentistit..
Një nga ngjarjet muzikore të padiskutueshme të këtij sezoni është koncerti i Barcelona Gipsy balKan Orchestra (BGKO) . Më 22 tetor në Plovdiv,..
Gjatë 14 viteve, që kur është në skenë, Mihaella Fileva u afirmua si një nga këngëtaret më të suksesshme të brezit të ri në Bullgari, duke fituar zemrat..