Dymbëdhjetë mendje të bukura të reja të Bullgarisë u nderuan nga Presidenti Rumen Radev në një ceremoni të veçantë, ku u ndanë çmimet vjetore "John Atanasoff". Eventi u zhvillua dy ditë pas ditëlindjes së shpikësit të shquar me origjinë bullgare John Atanasoff (4 tetor), krijuesit të kompjuterit të parë elektronik me memorie rigjeneruese.
"Të rinjtë në Informatikë" ishte motoja e ceremonisë së 23-të, dhe kjo nuk është rastit - këtë verë ekipi kombëtar bullgar në informatikë arriti renditjen e tij më të mirë në të gjithë historinë 30-vjeçare të pjesëmarrjes bullgare në Olimpiadën Ndërkombëtare të Informatikës.
Këtë vit, një ekip bullgar fitoi gjithashtu vende prestigjioze në Olimpiadën e Dytë Ndërkombëtare të Inteligjencës Artificiale, dhe lajmi i madh i javës së kaluar është performanca jonë në Olimpiadën Ballkanike të Informatikës.
Me një medalje ari dhe vendin e parë absolut nga Olimpiada e 31-të Ballkanike e Informatikës, u kthye disa ditë më parë Andrej Stefanov, i cili më 6 tetor mori certifikatën e tij nga kreu i shtetit. Andrej është në klasën e 11-të në Shkollën e Parë Private të Matematikës në Sofje, dhe është gjithashtu fitues i një medaljeje argjendi nga Olimpiada Ndërkombëtare e Informatikës-2025, si dhe i një medaljeje argjendi nga Turneu Ndërkombëtar i Informatikës për Nxënës të Avancuar.
"Gjëja kryesore është zgjidhja e problemeve dhe mësimi i teorisë, por është shumë e vështirë të arrish sukses pa e bërë këtë me dëshirë", ndau ai pak minuta pas ceremonisë në Presidencë. "Planifikoj të largohem për të vazhduar arsimin tim jashtë vendit, por kur të diplomohem, dua të kthehem në Bullgari për të ndihmuar shkencën të ecë përpara."
Kryetari i ekipit tonë kombëtar të shkencave kompjuterike është Ilijan Jordanov. Për suksesin e ekipit dhe renditjen më të mirë në histori, të arritur në vitin 2025, ai thekson edhe meritën e mësueses së shkencave kompjuterike dhe teknologjisë së informacionit Julija Dimitrova, mësuese në Shkollën e Mesme të Matematikës "Dr. Petër Beron" në Sofje. Ajo ishte gjithashtu midis atyre që u vlerësuan nga Presidenti i Bullgarisë.
Vetë Ilijan Jordanov është diplomuar në Universitetin e Sofjes "Shën Kliment Ohridski" dhe aktualisht punon në Institutin e Informatikës në Akademinë Bullgare të Shkencave.
"Ne jemi një ekip të rinjsh, disa prej tyre janë ende studentë, ndërsa të tjerë - sapo janë diplomuar. Jemi ish-garues, por tani ndihmojmë talentet e ardhshme të zhvillohen, kjo është një nga gjërat e rëndësishme për ne - shpjegon ai në një intervistë për Radio Bullgarinë. - Përgatitja që nxënësit kanë marrë që nga mësimet e hershme, nga mësuesit e tyre, është themelore. Jemi shumë krenarë për ekipin kombëtar të informatikës. Për 37 vjet Bullgaria garon në këtë disiplinë dhe këtë vit arritëm të bëjmë performancën tonë më të mirë. Tani e kemi vendosur standardin edhe më lart. Është me të vërtetë e rëndësishme për ne që më shumë njerëz të dinë për këto suksese, sepse shpesh as nuk e dinë se ekziston ky lloj gare. Për ne, është përparësi të fillojmë përgatitjen që në klasën e 5-të. Me kalimin e kohës, si detyrat, ashtu edhe garat, bëhen më të ndërlikuara, dhe për këtë arsye fillimi duhet të jetë në këtë moshë. Këto gara mund të ndihmojnë shumë në zhvillimin e ardhshëm të një personi, sepse përgatitja për garat mund t’i hapë dyert për një universitet prestigjioz, dhe më pas për një profesion shumë të vlerësuar. Vendosa të ndjek karrierën time profesionale në Bullgari, sepse mendoj se këtu ka një fushë të mirë për zhvillim."
Sipas Ilijan Jordanovit, një pjesë e madhe e suksesit të shkencëtarëve të rinj të informatikës ia detyrojmë pikërisht arsimit shkollor, sepse ende ekziston një rrjet i zhvilluar shumë mirë prej shkollash dhe mësuesish që janë në gjendje të japin mësim për materiale të tilla. Një nga problemet, megjithatë, është se programet shkollore ende nuk përfshijnë detyrat e përcaktuara në garat ndërkombëtare. Shkollës masive i mungon materiali nga programimi teorik dhe serioz, i cili është baza për njohuri më të thella dhe të qëndrueshme në fushën e shkencës kompjuterike.
Midis të nderuarve në ceremoninë “John Atanasoff” në fushën e teknologjisë së informacionit është edhe Mario Petrov. Ai tërhoqi vëmendjen me projektin e tij në fushën e shërbimeve shëndetësore dhe përmirësimin e tyre me ndihmën e teknologjive dixhitale dhe inteligjencës artificiale. Mario është nxënës në klasën e 12-të të Shkollës së Mesme Profesionale të Teknologjive Elektronike dhe Kimike "Prof. Asen Zllatarov" në Pleven.
"Që fëmijë kam qenë i interesuar në teknologjinë e informacionit dhe programimin. Interesi im lindi nga fakti që luaja shumë videolojëra si fëmijë", u tha i riu gazetarëve. "Më vonë, kjo u shndërrua në shkrim kodi, por sigurisht, nëse do që të bëhesh shumë i mirë në të, duhet të dalësh përtej nivelit shkollor dhe duhet të bësh shumë përpjekje. Planifikoj të vazhdoj arsimin tim jashtë Bullgarisë, por gjëja më e rëndësishme për disiplinën time është këmbëngulja, sepse teknologjitë ndryshojnë çdo ditë dhe nëse shkëputesh nga disiplina madje për një ditë, mund të mbetesh prapa dhe të mos jesh konkurrues me të tjerët. Projekti që zhvillova quhet MedCare. Qëllimi i tij është të lehtësojë aksesin në shërbimet e kujdesit shëndetësor në Bullgari, dhe kjo zbatohet përmes një aplikacioni celular. Përmes tij, çdo qytetar bullgar mund të shohë informacionin e tij mjekësor dhe të dhënat mjekësore. Bullgaria është shumë konkurruese në olimpiadat ndërkombëtare. Ja, në informatikë jemi të katërt në botë dhe kjo është arritja më e mirë që kemi pasur deri më tani."
Inkurajimi i talentit dhe dijes është investimi më i mirë në të ardhmen tonë – me këto fjalë kreu i shtetit iu drejtua të gjithë lektorëve, mësuesve, mentorëve dhe shkencëtarëve që i ndihmojnë bullgarët e rinj të bëjnë hapat e tyre të parë dhe të ecin me besim përpara në rrugën e vështirë të shkencës dhe teknologjive moderne. Arritjet e Bullgarisë në informatikë, matematikë dhe teknologjitë e së ardhmes nuk do të mbeten në të kaluarën. Shpresën për përparim dhe një fytyrë të re të Bullgarisë e sjellin shkencëtarët e rinj që triumfuan më 6 tetor në Sallën e Stemave të Presidencës.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Foto: BTA, Facebook/ Sukseset bullgare në informatikën konkurruese, Facebook/ Shkolla e Parë Private e Matematikës në Sofje
Përmbytjet e radhës në bregdetin e Detit të Zi janë rezultat i ndërtimit të pakontrolluar, mjedisit natyror të shkatërruar dhe mosveprimit institucional, thuhet në një deklaratë nga Dhoma e Arkitektëve në Bullgari. Sipas organizatës profesionale,..
"Mësoni pa paragjykime dhe shërbejini një kauze të denjë" - kjo është motoja e Universitetit të Studimeve të Huaja të Pekinit Beijing Foreign Studies University në kryeqytetin kinez.Në institucionin e arsimit të lartë, i themeluar në vitin 1941,..
Gazetari investigativ bullgar Hristo Grozev u nderua me çmimin prestigjioz “Gazetari i Vitit” në festivalin mediatik evropian PRIX EUROPA , i cili mbështetet nga një bashkim prej 24 mediash publike evropiane. Grozev, i cili është drejtor i platformës..
Përmbytjet e radhës në bregdetin e Detit të Zi janë rezultat i ndërtimit të pakontrolluar, mjedisit natyror të shkatërruar dhe mosveprimit institucional,..