Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Një gërshet kulturash: Kur fjala shqipe flet edhe bullgarisht

Majlinda Bregasi prezanton në Sofje romanin e saj “Gërsheti i Prerë”

Foto: Pllamen Totev

Në zemër të Sofjes, në ndërtesën prestigjioze të Universitetit “Shën Kliment Ohridski”, u shpalos një copëz shpirti shqiptar. Bëhet fjalë për prezantimin e romanit “Gërsheti i prerë” nga shkrimtarja e njohur Majlinda Bregasi – një zë i fuqishëm i letërsisë shqipe, fituese e disa prej çmimeve më të rëndësishme letrare në Kosovë, si dhe e nominuar për Çmimin Evropian të Letërsisë.

Ky roman, i cili tashmë flet edhe në gjuhën bullgare, është përkthyer nga Prof. Asoc. Dr. Ekaterina Tërpomanova. Siç tha edhe vetë Bregasi me një buzëqeshje të sinqertë:

"Libri në bullgarisht nuk është vetëm i imi, por është i të dyjave, sepse përkthyesi është edhe autor i dytë.”
Ekaterina Tërpomanova dhe Majlinda Bregasi
Kjo nuk është hera e parë që Prof. Ekaterina dhe autorja bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. 

Stilin e saj mund ta përkufizoj si shumë të këndshëm për mua, për përkthim. Ajo vetë proteston, por unë gjithsesi këmbëngul që ajo ka një qasje femërore ndaj shkrimit, gjë që me të vërtetë dallohet kur njeriu përkthen. Romani i parë i saj që përktheva në gjuhën bullgare, “Ikje”, për mua të paktën si përkthyese ishte pak më i vështirë për ta përkthyer, nga ky këndvështrim: se vetë historia ishte pak fragmentare, kujtime që të cojnë përpara-mbrapa, dhe ishte pak më e vështirë për t’u futur në vetë subjektin dhe për të bërë të gjitha lidhjet që ndodhen aty, dhe pastaj për t’i përcjellë ato në mënyrë adekuate, sigurisht, në gjuhën bullgare. Por tani, romani i dytë ka një subjekt shumë tërheqës, shumë interesant. Kështu që edhe vetë përkthimi thjesht rridhte me një lehtësi më të madhe,” – shprehet Prof. Asoc. Tërpomanova në një intervistë për Radio Bullgarinë.

Sipas profesoreshës, romani do të pritet shumë mirë nga publiku bullgar, pasi është shumë i afërt si temë, si subjekt edhe për popullin bullgar.

“Ballkani ka një fat të përbashkët, një histori të përbashkët – pavarësisht disa specifikave – gjërat janë mjaft të afërta. Prandaj, shpresoj që ky roman do t’i gjejë lexuesit e vet edhe në Bullgari,” – shprehet ajo.

Romani tërheq vëmendje që me titullin e tij – “Gërsheti i prerë”. Sipas autores, lidhja e gruas me flokët është shpirtërore, gati e shenjtë: 

"Kujdesi që gruaja tregon për flokët e saj, imagjinoni: i pastron me kujdes, i rrit, i thur gërsheta… dhe në një moment të caktuar, kur vendos ta presë gërshetin, është si një shkëputje nga e kaluara, nga vetja, nga identiteti i saj. Kjo figure letrare përfaqëson më së miri romanin, sepse edhe këtu kemi një personazh kryesor — një grua që në një moment të caktuar i ndërpritet jeta papritur, po ashtu sikurse gërsheti," – tregon autorja për Radio Bullgarinë.

“Gërsheti i prerë” është një roman i fuqishëm ballkanik për sukseset që humbasin vlerën në çastin kur prishen lidhjet më të thella njerëzore. Por ky është gjithashtu edhe një roman për dështimet që shërojnë, për plagët e trashëguara ndër breza, për heshtjet që ndajnë nënat nga bijat dhe për dhimbjet që përcillen pa u rrëfyer. Në qendër janë tri gra – gjyshe, nënë dhe vajzë – të cilat, në përpjekje për të mbijetuar, humbasin lidhjet më të rëndësishme mes tyre. 

Shtysa për ta shkruar romanin — është pikërisht mbushja e këtij hendeku që ndodh në komunikimin mes gjeneratave. Këtu në roman janë tre gjenerata: gjyshja, nëna dhe vajza. Unë vetë jam njëkohësisht vajzë e dikujt dhe nënë e dikujt tjetër, pra jam në mes. Kështu që e vërej atë hendek që ekziston dhe shpesh nga ai hendek krijohen keqkuptime të mëdha. Mendoj se nëse do ta njihnim më mirë njëri-tjetrin, nëse do ta kuptonim më thellë botën e prindërve tanë, do të silleshim ndryshe. E njëkohësisht, nëse fëmijët do të njihnin më mirë të kaluarën e prindërve të tyre — atëherë edhe ata do të silleshin ndryshe me ne,”- shprehet autorja.

Në këtë libër, Majlinda Bregasi trajton edhe një nga plagët më të mëdha të Ballkanit sot — ikjen nga vendlindja dhe shkëputjen nga rrënjët, në kërkim të suksesit në Perëndim. Edhe ajo vet jeton dhe krijon larg atdheut, por sa e vështirë është të ruash lidhjen me atdheun kur je larg tij?

“Për një autor është edhe më e vështirë, sepse mjeti i parë i punës është gjuha. Kur jeton shumë kohë larg vendit, ajo që fillon e humbet pak nga pak është gjuha. Të duket sikur fiton një identitet tjetër — nuk je më personi që ke qenë. Edhe sikur të jetoje në vendin tënd, kjo ndodh, por kur jeton në një vend tjetër gjërat bëhen më të komplikuara. Prandaj unë këmbëngul të shkruaj në shqip, edhe do ta bëj, edhe pse ndiej ndonjëherë që shqipja ime rrudhet. Por nuk ka gjë më të mirë sesa të shkruash me shqipen tënde, sepse është gjuha jote,” – u shpreh në intervistë Bregasi dhe theksoi rëndësinë e një prezantimi të ndershëm të një vepre jashtë vendit, ku lexuesi ballafaqohet vetëm me librin dhe jo me emrin apo rrjetin e autorit. Sipas saj, letërsia duhet të qëndrojë mbi miqësitë dhe autopromovimin, sidomos kur përfaqëson një gjuhë dhe kulturë të një kombi.

Në mbrëmjen e prezantimit kishte shumë të pranishëm mes të cilëve edhe përfaqësuesi i Ambasadës së Kosovës në Sofje, Bujar Deskaj, si dhe pedagogë dhe studentë të Universitetit të Sofjes, mes tyre edhe studentë të degës “Ballkanistikë”, ku studiohen gjuha dhe letërsia shqipe. Studentët dëgjonin prezantimin me shumë kureshtje veçanërisht kur autorja fliste në shqip dhe arritën të zhvillojnë një bisedë shumë të ngrohtë dhe miqësore me autoren. Ata patën shumë pyetje, gjë që tregoi se lexuesi i ri bullgar është gati të përqafojë këtë zë të ri nga Kosova – një zë i sinqertë, i thellë, dhe mbi të gjitha njerëzor. 
“Të them që jam e emocionuar është pak. Mbi të gjitha nga studentët — janë kaq të rinj, kaq të interesuar dhe kaq të informuar për letërsinë, për Shqipërinë. Me dëshirë për të njohur një autore që nuk besoj se e kanë dëgjuar ndonjëherë në jetën e tyre. Më bënë shumë përshtypje pyetjet që ata bënë. Dhe jam shumë e emocionuar. Ndoshta ky është prezantimi më emocionues në jetën time.

Për Majlinda Bregasin, kjo ishte hera e parë në Sofje, por me siguri nuk do të jetë e fundit. E papërgatitur për të zbuluar një qytet jo vetëm të bukur në pamje, por edhe plot histori. Ajo u largua me përshtypje shumë të mira duke thurur në mendjen e saj një “gërshet” të ri me lidhje njerëzore, kulturore dhe emocionale.

Intervistën për Radio Bullgarinë, autorja e mbylli me një mesazh që tingëllon si një ftesë e heshtur për të gjithë ne në Ballkan dhe më gjerë:

“Do të doja ta donim më shumë njëri-tjetrin, ta dëgjonim, ta njihnim më shumë njëri-tjetrin — sepse vetëm duke njohur më mirë tjetrin, mund ta duam vërtet. Dhe uroj të promovojmë vlerat e artit, kulturës dhe historisë sonë, jo në mënyrë folklorike, por në mënyrën e mençur,” – u shpreh autorja.
Lexoni më tepër:


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Shoqata bullgaro–zvicerane “Kanatica” ndërton një Bullgari të vogël jashtë atdheut

Zvicra, ose nëse duhet të jemi historikisht dhe gjeografikisht korrektë, Konfederata Zvicerane, është një nga shtetet më të vogla të Evropës Qendrore në Kontinentin e Vjetër. Përbëhet nga njëzet e gjashtë kantone me popullsi rreth 9 milionë banorë, sipas..

botuar më 25-10-31 2.15.MD

Luiza Vanbal nga Gjermania, e cila e do gjuhën bullgare

Luiza Vanbal është punonjëse në Ministrinë e Ekonomisë së Gjermanisë. Fija e padukshme që e lidh të renë gjermane me Bullgarinë është dashuria e saj për gjuhën bullgare. Luiza tregon se në universitet ka studiuar gjuhën dhe kulturën frënge, por i..

botuar më 25-10-30 7.05.PD

Ekspozita "Mesazhi Bullgar nga Basarabia" për Ditën e Bullgarëve të Basarabisë

Ekspozita “Mesazhi Bullgar nga Basarabia” e piktorëve Ivan Shishman dhe Zllata Shishman do të hapet më 29 tetor – Ditën e Bullgarëve të Basarabisë, në hollin prej mermeri të Kuvendit Popullor në Sofje, njoftoi BTA. Ngjarja organizohet me iniciativën e..

botuar më 25-10-29 5.05.PD