Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Desisllava Cvetkova dhe krahasimet e saj poetike midis Bullgarisë dhe Evropës së Bashkuar

Një nga cilësitë më të bukura të bullgarit është arti i tij i veçantë, thotë poetja që ka jetuar për shumë vite jashtë vendit

Foto: Gergana Mançeva

“Vij në Bullgari për t’u mbushur me ndjenja të reja” – këtë na ndau Desisllava Cvetkova, e cila kaloi 14 vjet në kryeqytetet e Evropës së Bashkuar, duke punuar në administratën e Komisionit Evropian. Kohët e fundit Desisllava është përsëri në atdheun e saj dhe frymëzohet nga poetët bullgarë dhe nga jeta kulturore, e cila, sipas saj, është shumë e pasur dhe e larmishme, veçanërisht në Sofje: “Jeta në një botë të mrekullueshme e të rregulluar nuk të jep thellësi ndjenjash. Ndërsa këtu, në Bullgari, ku ka probleme, jeta jep thellësi dhe një tjetër këndvështrim me të cilin mund ta shikosh botën dhe të ndjesh dëshirën për ta ndryshuar atë.”

Para disa ditësh bashkatdhetarja jonë prezantoi përmbledhjen e saj të re poetike, të shtatën me radhë, me titull “Porti yjor”. Ajo krijon një botë aromatike, e mbushur me metafora të ndritshme dhe imazhe të freskëta. “Te autorja vërehet një përpjekje e vazhdueshme për universalitet të përjetimeve dhe të pikëpamjeve të pasqyruara” – shkruan poeti Dimitër Millov në recensionin e tij për librin, ndërsa poetja gëzohet për shumë miq e admirues, të cilët e pëlqejnë për buzëqeshjen e ngrohtë dhe fjalët e sinqerta që ajo i ndërthur jo vetëm në poezitë e saj, por edhe në komunikimin e saj me njerëzit.


E quajnë thjesht Desi, por ajo është një bullgare luftëtare, e cila nuk ndalon në rrugën drejt “porteve të reja yjore”. Deri tani ka arritur të hapë shteg drejt botimeve për poezi në kontinente të ndryshme – poezitë e saj janë botuar në përmbledhje dhe revista në Belgjikë, Rumani, Serbi, Shqipëri, Indi, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, Indonezi, Rusi, Meksikë, Bangladesh. Desisllava Cvetkova është pranuar si anëtare e shoqatës flamande “Partia për Poezi”. Merr pjesë në shkrimin e një poezie shumëgjuhëshe për Qendrën Kulturore Flamande në Bruksel, ndërsa krijimet e saj janë botuar në përmbledhjen e Komisionit Evropian “Muzika e gjuhëve” dhe në botimin “Poetë” të InterLiteraTur, Belgjikë. Është fituese e një çmimi nga Festivali Ndërkombëtar i Poezisë në vitin 2022 në qytetin rumun Brashov. Dhe jo më pak e rëndësishme, ajo ka përkthyer në anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht disa autorë bullgarë të përfshirë në antologjinë “River of words”.


E ndien shkrimin si nevojë. “Fillova të shkruaj që fëmijë dhe më pas gjatë gjithë jetës kam dërguar poezi në revista të ndryshme. Ndërsa librin tim të parë poetik ma botoi nëna ime, me paratë që i dërgoja nga jashtë. Kjo ndodhi në vitin 2007.” – kujton Desisllava Cvetkova dhe vazhdon:

“Shkruaj poezi dhe i dua metaforat – ato krijojnë një butësi në poezinë time. Ndonjëherë shkruaj edhe poezi më të trishtueshme e më të errëta. Por unë kam mësuar që çdo pengesë, çdo vështirësi, çdo moment i keq përfundon gjithmonë. Kjo është gjëja e bukur – gjithmonë vjen diçka më e mirë. Dhe shpresoj për të njëjtën gjë edhe për Bullgarinë – që ajo më në fund të zërë vendin e saj të denjë në Evropë, të jetë një anëtare e barabartë dhe e vërtetë. Tani, me pranimin e euros, do të vijë stabilizimi që i nevojitet qeverisë sonë që lëkundet. Me vështirësitë përballem me buzëqeshje, sepse e tillë është natyra ime.”

Desisllava Cvetkova me Gergana Mançeva nga Radio Bullgaria

Së shpejti pas kthimit të saj në Bullgari, Desisllava Cvetkova fillon një punë të re dhe më krijuese. Aktualisht ajo është redaktore në një shtëpi të madhe botuese universitare. Ajo është mësuar të sjellë më shumë disiplinë dhe përgjegjësi nga puna e saj në administratën evropiane:

“Në Luksemburg dhe në Belgjikë mësova shumë më tepër përgjegjësi, më shumë seriozitet, profesionalizëm, por edhe të mbroj veten time – tregon Desisllava Cvetkova për Radio Bullgarinë. – Sepse ne, bullgarët, shkojmë atje dhe ia dalim vetë me çdo sfidë të re, punojmë në një mjedis ndërkombëtar, që ndjehet edhe për shkak të pengesës gjuhësore. Sado mirë ta njohësh një gjuhë, nuk mund të jesh plotësisht perfekt. Kjo deri diku është pengesë, por nga ana tjetër të formon si karakter dhe atje mësova të jem shumë e përpiktë, të kontrolloj çdo gjë para se ta përdor në punën time. Megjithëse në administratë veprimtaria është e njëtrajtshme, ajo ishte një pozitë e përgjegjshme dhe e bukur, sepse punon për të ardhmen e Evropës. Dhe të gjithë ne presim që kjo e ardhme të bëhet gjithnjë e më e mirë për ne. Nga ato shtete mund të mësojmë vetëm – ato kanë një epërsi fillestare për shkak të standardit më të lartë të jetesës dhe ne nuk mund t’i injorojmë lehtë përparësitë e tyre. Por të paktën mund të bëjmë që në vendin tonë të mos ketë më ekonomi gri dhe të respektojmë ligjet. Me poezinë time përpiqem të sjell një rreze drite dhe shprese në jetën e përditshme të njerëzve këtu dhe shpresoj se ia dal.”

Hajri Hamdan

Desi Cvetkova ndan se më shpesh frymëzohet nga poetë të tjerë bullgarë, por jep si shembull edhe lirikën e butë të Hajri Hamdanit, /poet palestinez që jeton në Bullgari prej më shumë se 40 vjetësh dhe përkthen letërsi bullgare në arabisht/. Edhe ai ishte i pranishëm në premierën e “Porteve yjore”. “Kur lexoj diçka të tij, ndiej një valë ndjenjash dhe frymëzimi”, shton poetja. Sipas saj, në ditët me shi frymëzimi vjen më vështirë, por nëse shkojmë në park në një ditë pa shi, do ta shohim botën më diellore dhe më të bukur.

“Bukuria është kudo rreth nesh, vetëm duhet të shikojmë drejt saj” – ndan filozofinë e saj krijuese Desisllava Cvetkova:


“Çdo gjë është e riparueshme, kjo duhet të na japë optimizëm. Sigurisht, kur bëhet fjalë për jetë njerëzish të humbura, ajo nuk mund të rregullohet, por duhet të respektohen rregullat – ato vlejnë për të gjithë. Kur u ktheva në Bullgari e gjeta shumë të ndryshuar për mirë. Edhe vetëm fakti që tashmë në të gjitha dyqanet jepen kupona fiskalë. Para se të largohesha nuk ishte kështu. Kjo është diçka elementare, por prej saj hyjnë taksat në shtet. Po ashtu shoh që Sofja po bëhet moderne, falë disa kompanive ajrore – qyteti po bëhet një destinacion turistik shumë i arritshëm dhe vijnë shumë të huaj. Sofjen e quajnë ‘kryeqyteti gurme’ i Ballkanit dhe kjo vetëm mund të më gëzojë. Përveç kësaj, të rinjtë këtu janë shumë të zgjuar. Ka një shtresë shumë kërkuese dhe mendjehapur, që mund të ndryshojë shumë gjëra këtu. Më duket se njerëzit duken të lumtur dhe jo të zymtë, siç na duket ndonjëherë. Po, në mot të ftohtë kur ecën njeriu në rrugë, mund të duket i mërzitur dhe i ngrysur, por sapo ulet me miqtë diku, ai menjëherë buzëqesh dhe ndriçohet” – ndan Desi Cvetkova gëzimin e saj që është sërish mes miqve në Sofje.

Në kontaktet e saj shumëvjeçare me njerëz të panumërt jashtë vendit, ajo veçon bullgarët që ka takuar atje si njerëz me shpirt patriotik dhe madje rilindas. Kudo bullgarët janë aktivë përmes shoqatave, organizatave dhe qendrave të tyre kulturore. Bullgarët jashtë vendit kanë një jetë kulturore aktive. Ata ftojnë shkrimtarë, krijues bullgarë, vendosin drama, vijnë këngëtarë, grupe dhe çdo lloj artistësh. E gjithë kjo bëhet me qëllim që njerëzit të mblidhen bashkë përmes diçkaje bullgare – na thotë Desi Cvetkova si një njeri që ka kaluar jo pak pjesë të karrierës së saj jashtë vendit.

“Një nga cilësitë më të bukura të bullgarit është pikërisht arti i tij i veçantë. Ja, në Belgjikë zhvillohet një festival i muzikës ballkanike dhe ai është ndër më të vizituarit. Vijnë përveç bullgarëve edhe serbë, rumunë, malazezë, boshnjakë. Qëllon ‘Ballkanfest’ dhe organizohet nga një vendas, belg. Aty luhet muzikë etno bullgare, nuk është folklor i pastër, por muzikantët tanë krijojnë një atmosferë të mrekullueshme.


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: Gergana Mançeva, arkivi personal, Bashkia e Burgasit, Facebook /Khairi Hamdan, Facebook Desisllava Cvetkova



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Aleksandra-Joana Aleksandrova

Yll i muzikalit në Evropë, Aleksandra-Joana Aleksandrova, debuton edhe në atdhe

Aleksandra-Joana Aleksandrova – aktore, këngëtare dhe modele me pamje mbresëlënëse, talent muzikor dhe prani të fortë skenike, ishte në Sofje në fund të korrikut dhe fillim të gushtit për të interpretuar rolin e Kozetës në muzikalin e njohur “Të mjerët”..

botuar më 25-10-18 9.00.PD
Vlladisllav Hristov

Vlladislav Hristov fitoi çmimin më të lartë në botë për vargje haiku

Poeti dhe autori i haikut nga Plovdivi, Vlladislav Hristov, fitoi çmimin e madh në konkursin ndërkombëtar të haikut të organizuar nga Muzeu Memorial i Matsuo Basho në qytetin Iga të Japonisë. Për herë të parë, një bullgar ka marrë çmimin..

botuar më 25-10-16 5.34.MD

Bullgaria merr pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt

Ministri i Kulturës Marian Baçev hapi një stendë bullgare në Panairin e 77-të Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt. Ministrat shprehën mirënjohje për organizatorët nga Shoqata Bullgare e Librit, Instituti Bullgar i Kulturës në Berlin dhe diplomatët..

botuar më 25-10-16 11.06.PD