Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Doc. Natalija Rashkova: Globalizimi është arsye për interes shtesë ndaj identiteteve

Folklori është një mbështetje emocionale, e cila vërehet më qartë në proceset e migracionit, kujton etnomuzikologia

Foto: Facebook /Georgi Panayotov

“Folklori është një nevojë për njeriun dhe kjo nevojë ndoshta nuk do të zhduket kaq lehtë”, është e bindur doc. dr. Natalija Rashkova – etnologe dhe folkloriste, pedagoge universitare dhe studiuese me kontribut të dalluar në kërkimin e folklorit muzikor bullgar dhe migrimeve të tij në Hungari dhe Sllovaki. Me rastin e jubileut të saj të 70-vjetorit, Instituti për Etnologji dhe Folkloristikë me Muzeun Etnografik pranë Akademisë Bullgare të Shkencave (IEFEM) dhe Shoqata “Të panjohurit – Plovdiv” organizojnë një konferencë shkencore me moton: “Terene dhe drejtime. Përmasa dhe perspektiva etnomuzikologjike, folkloristike dhe antropologjike”. Ngjarja është dyditore, më 16 dhe 17 tetor, në godinën e IEFEM-it, dhe në të marrin pjesë studiues nga Polonia, Gjermania, Rumania, Kazakistani dhe SHBA.



“Tema që gjithmonë e ka interesuar etnologjinë është e orientuar drejt njeriut dhe bashkësive njerëzore”, shpjegon doc. Rashkova në një intervistë për Radio Bullgarinë dhe shton se globalizimi në botën bashkëkohore është arsye për interes shtesë ndaj identiteteve.



“Sepse ato janë mënyrë jo vetëm për t’u njohur njerëzit, por edhe për të kapërcyer konfliktet që shpërthejnë për shkak të moskuptimit midis njerëzve, kulturave dhe mënyrës së tyre të jetesës. Pikërisht kjo do të mund të zgjidhej me njohjen reciproke – sidomos përmes muzikës, vallëzimit, zakoneve dhe ritualeve. Ky është një mjet për harmonizimin e jetës dhe për një ekzistencë më të lehtë e më të gëzueshme në një botë, në të cilën teknologjizimi, si të thuash, ‘e than’ njeriun dhe ai ka një nevojë edhe më të madhe për emocione, për shprehjen e tyre dhe për krijimin e një lidhjeje midis njerëzve në këtë mënyrë.”

Sipas doc. Natalija Rashkovës, folklori është një mbështetje emocionale jashtëzakonisht e fortë, e cila vërehet më qartë në proceset e migracionit.

“Kur njerëzit e lënë vendin e tyre, si emigrantë, ata bëhen shumë më të lidhur me të përmes kulturës folklorike. E vërejmë këtë në paraqitjet e shumta të bullgarëve jashtë vendit kohët e fundit – në klubet e vallëzimit, në festat folklorike, në respektimin e traditave e kështu me radhë. Njerëz që këtu nuk janë interesuar aq shumë për folklorin dhe të kaluarën, kur janë larg, fillojnë ta pranojnë këtë si diçka shumë të çmuar për veten e tyre, dhe në këtë mënyrë ruajnë identitetin e tyre si bullgarë.”



Del se lidhjet me folklorin ndonjëherë mund të tejkalojnë edhe pritjet e studiuesve-etnologë. Pikërisht këtë e ka vërtetuar në një nga kërkimet e saj në terren, vite më parë, edhe Natalija Rashkova:

“Ishte mjaft interesante në kërkimet tona, së bashku me kolegë në Sllovaki, mes sllovakëve që kanë jetuar në Bullgari dhe gjatë viteve ’50 të shekullit të kaluar janë kthyer përsëri në atdheun e tyre. Vërejtëm se kur kjo ndodh, ata e ruajnë bashkësinë e tyre, pikërisht sepse janë të lidhur me të dyja kulturat. Madje në Sllovaki ndiheshin disi të huaj dhe në mënyrë të dukshme më të lidhur me Bullgarinë. Ata udhëtonin shpesh në vendlindjet e tyre këtu, kishin klubet dhe festat e tyre të lidhura me folklorin bullgar. Kështu që ekziston një përkatësi shumë e fortë ndaj asaj që njerëzit e mbartin brenda vetes.”

E lidhur me interesin në rritje të të huajve për të mësuar vallet popullore bullgare, si dhe regjistrimin e fundit të kopshtarisë bullgare në Hungari në Regjistrin Kombëtar për Trashëgimi Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, Natalija Rashkova shpjegon:



“Ato në fakt janë në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të Hungarisë, gjë që është edhe më interesante, pasi një shtet njeh kulturën e një pakice të vet. Me kolegët kishim një kërkim shumëvjeçar mbi kopshtarët atje dhe mblodhëm një arkiv shumë të pasur – studime dhe botime. Ajo që është interesante është se folklori në atë tipin tradicional, siç e njohim, tek ata nuk ishte aq i shprehur, pasi janë nga Bullgaria e Veriut, ku modernizimi ka hyrë më shpejt. Megjithatë, ata e mbanin në Hungari jetën e tyre institucionale pikërisht përmes kulturës folklorike. Kjo vazhdon edhe sot. Kanë edhe tre ansamble vallëzimi, në të cilat tashmë marrin pjesë edhe hungarezë. Dhe interes për folklorin bullgar kishte që në vitet kur unë fillova punën time kërkimore. Kolegë nga Austria dhe SHBA studionin shumë hollësisht polifoninë e Shopëve nga fshati Bistrica. Gjatë viteve ’80 dhe ’90 vinin shpesh edhe specialistë të huaj për kërkime në terren. Mendoj se ky interes nuk është ndërprerë.”



Dhe ndërsa interesi i etnive të tjera ndaj folklorit dhe traditave tona nuk është diçka e panjohur, në folkloristikën tonë muzikore gjatë viteve të fundit po shfaqen fusha të reja kërkimi.

“Vërej se ka shumë të rinj me profesione të ndryshme, të cilët interesohen për folklorin tonë pikërisht në formën e tij tradicionale. Ata mbledhin dhe ringjallin folklor unik nga vendlindjet e tyre, ndërsa këngëtarë popullorë arrijnë të përvetësojnë stilin e të kënduarit të vjetër dhe kjo fillon të vlerësohet gjithnjë e më shumë. Shumë interesante, sepse sikur po ndodh një proces i kundërt – pas arritjes së interpretimit shumë të modernizuar të folklorit, ndodh kthimi i tij përsëri drejt burimit – një drejtim që mendoj se është me perspektivë. Kështu që interesi te ne nuk do të ndërpritet, por do të transformohet dhe do të ketë forma të reja të shprehjes. Folklori është një nevojë për njeriun, dhe kjo nevojë ndoshta nuk do të zhduket kaq lehtë! Kjo është një perspektivë e mirë.”


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: Facebook /Georgi Panayotov, Facebook /Seminari Kulturor "Të panjohurit", researchgate.net, Facebook /Nina Varbanova, Shoqata e Bullgarëve në Hungari



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Katalogu online me valle dhe kërcime bullgare “nis” turneun evropian

Në tre shtete, në tre qytete evropiane – Lion, Mynih dhe Kopenhagen – më 22 nëntor prezantohet projekti i Shoqatës së Ansambleve Folklorike Bullgare Jashtë Vendit (ShAFJV), “Katalogu online me valle dhe kërcime bullgare”. “Qëllimi i Shoqatës është të..

botuar më 25-11-22 11.35.PD

Ritmi dhe energjia e folklorit bullgar kanë fuqinë të krijojnë komunitet

Vallja bullgare është një magji, një rreth i mrekullueshëm që të mbush me energjinë e papërsëritshme të shpirtit tonë bullgar, traditave, identitetit – rrëfen gazetarja Milena Millotinova, e cila së fundmi prezantoi filmin e saj të ri dokumentar..

botuar më 25-11-19 7.25.PD

Lajme të rëndësishme nga takimi i Shoqatës së ansambleve folklorike bullgare jashtë vendit

90 pjesëmarrës, që përfaqësonin 57 ansamble folklorike bullgare nga Evropa dhe Amerika e Veriut, u mblodhën në Sofje për takimin e tyre të katërt krijues-seminar. Ai kaloi jashtëzakonisht në mënyrë konstruktive, me punëtori dhe ligjërues të dobishëm, por..

botuar më 25-11-12 8.00.MD