Si të ruhet dhe mirëmbahet besimi i publikut në media - kjo është tema qendrore për pjesëmarrësit në Konferencën Vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të Mediave Publike, e cila po zhvillohet në Sofje.

Eventi, i organizuar nga Radioja Kombëtare Bullgare, u hap më 21 tetor nga Presidenti Rumen Radev dhe Drejtori i Përgjithshëm i Radios Kombëtare Bullgare Milen Mitev. Forumi mblodhi së bashku përfaqësues të 24 stacioneve publike radiotelevizive nga 5 kontinente në kryeqytetin bullgar, të cilët shkëmbyen përvoja se si të përballen me probleme të tilla si mungesa e fondeve, humbja e shikuesve dhe dëgjuesve për shkak të teknologjive të reja, si dhe ruajtja e gazetarisë cilësore edhe nën presion.

“Puna jonë është të sigurohemi që faktet të mbeten të paprekura dhe të vazhdojnë të jenë në dispozicion të shoqërisë”, tha David Jordan, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Ndërkombëtare të Transmetuesve Publikë dhe drejtor i politikës dhe standardeve editoriale në BBC:
“E dëgjuam Presidentin e Bullgarisë të fliste me shumë pasion për rëndësinë e lirisë së fjalës dhe gazetarisë. Jam vërtet i inkurajuar ta dëgjoj Presidentin bullgar ta thotë këtë, ashtu siç do të inkurajohesha të dëgjoja çdo politikan ta thoshte këtë kudo në botë. Ne kemi nevojë për atë perspektivë, atë qëndrim”, tha David Jordan.
Drejtori i Radiotelevizionit Kroat, Robert Šveb, beson se edhe me ardhjen e inteligjencës artificiale, roli i gazetarëve nuk do të zhduket.

"Në një moment, njerëzit do të mësojnë të mendojnë në mënyrë kritike për gjithçka që shohin në internet dhe do të kenë nevojë për një verifikim faktesh nga dikush që mund t'i besojnë. Kjo është media publike", theksoi Šveb.
Sipas Jean-Philippe de Tender, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Bashkimit Evropian të Transmetuesve, roli i këtij lloji të medias është thelbësor për funksionimin e një shoqërie demokratike.

"Mediat publike janë shumë të rëndësishme për demokracinë. Ne shohim që politika është nën presion për shkak të njerëzve që hyjnë në të për interesat e tyre personale. Mediat publike në fakt i shërbejnë gjithmonë audiencës. Është mirë të shohësh që kaq shumë njerëz në Evropë dhe në Bullgari po punojnë për pavarësinë e mediave publike, duke i mbrojtur ato vërtet dhe duke krijuar përmbajtje të mrekullueshme", tha Jean-Philippe de Tender.

Takimi i përfaqësuesve të mediave publike nga pesë kontinente vazhdon më 22 tetor me diskutime mbi pavarësinë dhe lirinë e shprehjes dhe rolin e mediave publike në kohë krize, pas së cilës të ftuarit do të kenë mundësinë të eksplorojnë monumentet kulturore të kryeqytetit bullgar.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Foto: БТА, Ani Petrova - BNR
Me gjallërinë, disponimin dhe ngjyrat rinore të tyre, nxënësit e shkollës bullgare të së dielës “Dr. Petër Beron” sollën frymë rinore gjatë vizitës së tyre në Radion Kombëtare Bullgare. Ata kishin ardhur nga Larnaka. Grupi nga Qiproja, i përbërë nga 16..
Sofja ka fituar një parajsë të re kulturore. Phenomena është muzeu i parë në Bullgari i dedikuar lidhjes midis shkencës dhe artit. Hapësira paraqet zbulime shkencore, teknologji, inxhinieri, art dhe matematikë në frymën e arsimit STEAM (Science,..
"Ne nuk mund të ikim nga teknologjitë bashkëkohore, por duhet të mendojmë si mund të përdorim inteligjencën artificiale në mënyrë që të përmirësojmë cilësinë e arsimit pa humbur kontaktin njerëzor" – tha në një intervistë të veçantë për Radio Bullgarinë..