Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Koha kërkon që mediat publike të jenë të pranishme në shumë më tepër platforma

Milen Mitev: Po përpiqemi të gjejmë një hapësirë ku të dëgjohet zëri i secilit

Foto: BTA

Radioja Kombëtare Bullgare ishte për herë të parë mikpritëse e Konferencës Vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të Mediave Publike (Public Broadcasters International). Në të morën pjesë drejtues dhe përfaqësues të mediave publike të radios dhe televizionit nga 24 vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Spanjën, SHBA-në, Kanadanë, Korenë e Jugut, Singaporin, Australinë dhe të tjera.

Motoja e konferencës vjetore, e përcaktuar nga organizatorët, ishte: “Mediat publike – fuqia e argumenteve”, dhe nga 20 deri më 22 tetor në Sofje pjesëmarrësit diskutuan çështje themelore si liria e fjalës, pavarësia, krizat dhe financimi i mediave publike, si dhe tema aktuale si tërheqja e auditorit të ri, negociatat me sindikatat, Amerika e Trumpit e shumë të tjera.

Milen Mitev

Shoqata Ndërkombëtare e Mediave Publike vazhdon të jetë një platformë unike për ndarjen e njohurive, përballjen e sfidave dhe konfirmimin e angazhimit tonë të përbashkët ndaj vlerave të interesit publik”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Radios Kombëtare Bullgare, Milen Mitev, mikëpritës i konferencës. “Sot detyra jonë bëhet gjithnjë e më e vështirë, sepse grupet e ndryshme të auditorit kërkojnë gjithnjë e më shumë gjëra të ndryshme, shpeshherë kontradiktore me njëra-tjetrën. Por ne vazhdojmë të përpiqemi të gjejmë një hapësirë ku të dëgjohet zëri i secilit” - shpjegoi Mitev në një intervistë për Radio Bullgarinë.

“Kjo që vazhdon të na dallojë nga të gjitha mediat e tjera në treg është se financimi publik na jep lirinë të mos ndjekim vetëm principet tregtare dhe fitimin, por në marrjen e vendimeve të udhëhiqemi vetëm nga interesi publik. Kjo e bën programet tona të dallohen nga të gjitha mediat e tjera. Për më tepër, i jep një vlerë krejt tjetër prodhimit tonë për shoqëritë për të cilat punojmë. Detyrat tona janë të shumta dhe të ndryshme, dhe ndër to dallohen ruajtja e trashëgimisë kulturore, mbështetja e llojeve të ndryshme të ngjarjeve dhe zhanreve kulturore, të cilave askush tjetër nuk do t’u kushtonte vëmendje, por që janë të rëndësishme të ruhen.”

“Nuk është e mundur që mediat publike të mos ekzistojnë” – është kategorik Dan Santa, drejtor me përvojë i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Radio Romania. Para Radio Bullgarisë ai sqaroi:

Dan Santa

“Puna ime më frytdhënëse në rajon ka qenë pikërisht me kolegët nga Departamenti Ndërkombëtar i Radios Kombëtare Bullgare. Projekti im i parë si drejtor ishte për transformimin e marrëdhënieve me fqinjët tanë të afërt, dhe kjo ishte një prioritet kryesor. Tani në Sofje i kërkova kolegëve të imagjinojnë se çfarë do të ndodhte nëse mediat publike do të zhdukeshin përgjithmonë? Ky është mënyra më e shpejtë për të gjetur përgjigjen e pyetjes: cili është roli ynë, çfarë bëjmë ne dhe çfarë nuk bëjnë të tjerët. Së pari, sepse veprimtaria publike nuk sjell të ardhura, dhe shpeshherë ajo është e paarritshme për mediat e tjera. Detyra kryesore e mediave tona është të ofrojnë nga çdo gjë – lajme, muzikë, programe argëtuese. Të balancojnë mes tyre, si dhe të jenë tribunë për pikëpamje të ndryshme. Pikërisht për këtë arsye besimi i shoqërisë ndaj tyre është më i madh.”

Po, koha e sotme kërkon që mediat publike të jenë të pranishme në edhe më shumë platforma, sesa më parë. “Nëse dëshironi të arrini te gjithë shoqëria flamande, nuk mund të investoni vetëm në televizionin tradicional apo transmetimet radiofonike. Me të vërtetë duhet të shfrytëzoni më shumë platforma, përveç platformës suaj online”, shpjegoi Karen Donders, drejtoreshë e përgjithshme e Departamentit të “Veprimtarisë Publike dhe Burimeve Njerëzore” në Mediat Publike Flamande të Belgjikës – VRT.

Karen Donders

“Mendoj se për ne ka tri gjëra që janë me të vërtetë të rëndësishme. Së pari, gjithçka që lidhet me lajmet, informacionin, ngjarjet aktuale për të gjitha grupet në shoqëri, përfshirë edhe ato grupe që me vetëdije shmangin të informohen nga radioja dhe televizioni. Së dyti, janë investimet tona në përmbajtje lokale dhe kulturë, në mënyrë që jo vetëm arti, por edhe programet për prodhimin e filmave, madje edhe formatet e mediave sociale, të paraqesin atë që ne përfaqësojmë si komunitet flaman. Dhe shtylla e tretë strategjike e asaj me të cilën merremi është me të vërtetë transformimi i brendshëm i strukturave tona, për të qenë konkurrues në botën digjitale. Ne kemi platformën tonë audio dhe video, por gjithashtu jemi të pranishëm në mediat sociale dhe platforma të tjera, për t’u bërë të dukshëm për një auditorë shumë më të gjerë. Kështu punojmë në shumë drejtime, por buxheti ynë sot, në dimensione reale ekonomike dhe duke marrë parasysh inflacionin, është 40 për qind më i ulët se sa ishte para 25 vitesh. Dhe kjo është me të vërtetë një sfidë me të cilën përballemi çdo ditë.”

Tërheqja e dëgjuesve më të rinj është një problem serioz për shumicën e mediave publike, përfshirë edhe Radion Kombëtare Bullgarie, e cila ka një histori 90-vjeçare. “Nga gjërat më mbresëlënëse në një konferencë si kjo është fakti që kuptojmë se kolegët nga vende të afërta, si Sllovenia dhe Kroacia, apo nga më të largëta – si Australia dhe Singapori, përballen me probleme të ngjashme lidhur me strukturën e tyre dhe modelin e financimit, apo me tërheqjen e audiencës së re. Disa prej tyre kanë arritur suksese të konsiderueshme, si KBS apo BBC. Por për shumicën prej nesh është e vështirë të bëhemi të dukshëm në një kohë kur jemi të përmbytur me informacion nga çdo drejtim – për shkak se veprojmë në vende të vogla me kulturë dhe gjuhë specifike, gjë që e bën më të vështirë shikueshmërinë e përmbajtjes sonë në platformat globale”, shpjegoi Milen Mitev.

Shumëgjuhësia është po ashtu e rëndësishme për mediat publike: “Si Radioja Kombëtare Bullgare, ashtu edhe kolegët tanë nga vendet e tjera në botë prodhojnë përmbajtje në shumë gjuhë, për të treguar për vendin e tyre në të gjithë botën. Qëllimi është edhe të arrijnë te bashkëatdhetarët e tyre që janë emigrantë. Kjo është një nga misionet e mediave publike” – shtoi drejtor i përgjithshëm i BNR-së, Milen Mitev, në rolin e tij si mikpritës i diskutimit mediatik në Sofje.


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: BTА, pbi2025.bg




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Mbi 20 000 bullgarë dhe kompani nga jashtë - përdorues të faqes për punë në atdheun e tyre

Raportohet një interes në rritje për faqen e re të “Bulgaria Wants You” vetëm një muaj pas lançimit të saj, njoftoi organizata. Mbi 10 000 përdorues të rinj janë regjistruar. Për krahasim, ky është numri i të gjitha regjistrimeve në faqe që nga..

botuar më 25-10-14 11.58.PD

Pse drejtuesit e huaj të kamionëve bëhen objekt i korrupsionit në rrugët e Bullgarisë

Inspektorati Shtetëror i Transportit është, organi që merret me kontrollin e trafikut të mjeteve të rënda në territorin e vendit dhe që është pjesë e Agjencisë Ekzekutive të Administratës së Transportit (IAAA), pas rastit të fundit, ndoshta më të..

botuar më 25-10-13 7.10.PD

Popullsia e lejlekëve të bardhë është rritur me një të tretën

Popullsia e riprodhimit të lejlekëve të bardhë - një nga zogjtë më të dashur në vendin tonë - është rritur me 33 për qind në vitet e fundit, sipas të dhënave nga një regjistrim ndërkombëtar i cituar nga BGNES. Sipas rezultateve, në Bullgari janë..

botuar më 25-10-12 6.20.PD