Në fillim të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, bullgarët e Besarabisë në të gjitha vendet e tyre e pritën festën e tyre me lutje për paqe. Gati katër vjet më vonë, të mbushur me edhe më shumë dhimbje, ata e përkujtojnë ditën e tyre të veçantë, të shpërndarë nëpër botë. Disa në territoret e pushtuara, të tjerë mbetur pa punë dhe larg të afërmve të tyre, të tretë duke luftuar për atdheun, e ndër ta – më të mjerët, ata që kanë humbur njeriun e dashur në front.
Sonte në Sofje, Shoqata “Rodoljubec” edhe një vit tjetër do ta shënojë me koncert të interpretuesve nga Ukraina dhe Moldavia dhe me paraqitjen e një almanaku me krijime të mësuesve, nxënësve dhe studiuesve vendas Ditën e bullgarëve të Besarabisë, duke ringjallur dëshirën e etërve të tyre.

“Më 29 tetor, kur (në vitin 1838) është shenjtëruar kisha ‘Shpërfytyrimi i Zotit’ në Bollgrad, për herë të 27-të do të përsërisim këtë, mund ta quaj, ‘precedent të shenjtë’ – thotë Galin Georgiev, kryetar i shoqatës kulturo-arsimore për lidhje me bullgarët e Besarabisë dhe të Tavrisë. – Në vitin 1938 pasardhës të bullgarëve të Besarabisë shpallën idenë që kjo të bëhet dita e tyre festive, por filloi Lufta e Dytë Botërore dhe ajo nuk u realizua. Në vitin 1998 shoqata ‘Rodoljubec’ vendosi themelet e kësaj feste.”

Almanaku i dymbëdhjetë me radhë “Rodoljubec”, me të cilin do të njihen shikuesit në klubin ushtarak të kryeqytetit, është i mbushur me materiale publicistike për historinë, kulturën dhe gjuhën e bullgarëve në Besarabi. Pjesa e parë e tij tregon për veprimtarinë e shoqatës, e cila në këto kohë të vështira është e drejtuar drejt krijimit të kushteve më të mira për pranimin e bullgarëve të Besarabisë në atdheun e tyre të lashtë, për arsimin e studentëve sipas vendimit nr. 103, për mungesën e vendeve të mjaftueshme në universitete dhe problemet që burojnë nga lufta. Për shembull, në territoret e pushtuara të Tavrisë, provimi i pranimit duhet të jepet në një rajon tjetër ose jashtë kufijve, gjë që e pengon seriozisht dëshirën e atyre që duan të vazhdojnë arsimin në Bullgari.
“Një vend të veçantë në almanak i kemi kushtuar edhe paraqitjes së spektaklit të bërë sipas romanit ‘Kolonët’ të Konstantin Petkanovit, së bashku me skenarin e aktorit dhe regjisorit Vllado Dikov dhe këngët e përfshira në të – tregon Galin Georgiev. – Për herë të parë kemi një ndarje që pasqyron me nota dhe fjalë disa nga poezitë emblematike të Niko Stojanovit, bullgar nga fshati Novoivanovka në Besarabi.

Në almanak gjendet gjithashtu pjesa ‘Fjalë të plagosura’, e frymëzuar nga lufta, në të cilën njerëz tregojnë për fatin e tyre dhe arratisjen nga Ukraina drejt Bullgarisë. Këtu është edhe materiali ‘Ukrainasit e mi’ i Cenka Kuçevas, ish-pedagoge në gjimnazin e Bollgradit. Sot ajo mban kurse të gjuhës bullgare në vendin tonë dhe në libër rrëfen për takimet e saj me njerëzit në Ukrainë dhe për jetën e tyre tek ne.”

Prej 200 vjetësh, pavarësisht nga ndërrimi i shumë regjimeve politike – nga Rusia cariste, përmes Rumanisë dhe Bashkimit Sovjetik e deri te Ukraina dhe Moldavia e pavarur sot – bullgarët e Besarabisë dhe të Tavrisë ruajnë identitetin e tyre, mallëngjehen për Bullgarinë dhe mbajnë në zemër një copëz nga atdheu i tyre i lashtë. “Dhe ndonëse shprehen në dialekt të vjetër, ata kthehen në vendin tonë dhe i zgjatin dorën asaj,” thekson Galin Georgiev.
“Shumë prej këtyre njerëzve janë këtu si pasojë e luftës – vazhdon ai. – Mjerisht, ka shumë probleme të pazgjidhura, sepse një pjesë e tyre kanë shtetësi bullgare dhe kjo nuk u lejon të përfitojnë nga programet e strehimit si të gjithë qytetarët ukrainas. Nga shoqata po luftojmë që ata të kenë të njëjtat të drejta – janë njerëz jashtëzakonisht punëtorë, bullgarë nga fshati Kubej për shembull kanë marrë me qira tokë në Obzor, ku zhvillojnë kopshte dhe kultivojnë lloje të ndryshme frutash dhe perimesh. Pra, janë njerëz shumë besimtarë, thellësisht të lidhur me tokën, të mësuar të punojnë dhe kjo lidhje është shumë e rëndësishme për ta. Dhe megjithëse jetojnë në shtete të huaja, deri më sot ruajnë atë që kanë sjellë nga atdheu.”

Sipas Galin Georgievit, detyrë e Bullgarisë është të përfshijë njerëzit që mbartin këtë burim demografik dhe kulturor.
Shumë ngjarje i paraprinë Ditës së sotme të bullgarëve të Besarabisë – ndër to, festime dyditore para Pallatit Kombëtar të Kulturës, të organizuara nga Agjencia për Bullgarët jashtë Vendit (IABÇ), dhe konferenca me temë “Bullgarët në Detin e Zi Verior” në Institutin e Etnologjisë dhe Folkloristikës pranë Akademisë Bullgare të Shkencave.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski
Foto: IABÇ, BGNES, Facebook /Shoqata “Rodoljubec”, glaspress.rs, Facebook /Cenka Kuçeva, Pixabay
Në prag të Ditës së Familjes së Krishterë (21 nëntor), dhjetëra çifte nga Dimitrovgrad rinovuan betimet e tyre martesore pasi kaluan më shumë se gjysmë shekulli së bashku. Një total prej 55 çiftesh, të martuar nga 50 vjete ose më shumë, morën..
Prej 15 vitesh Stela Nedkova jeton në Bruksel. Pasi përfundoi arsimimin e saj në Bullgari, ajo vendosi të vërë veten në provë në një realitet tjetër, për të kontrolluar nëse mund t’ia dalë vetë me sfidat e jetës, pa ndihmën e prindërve. Stela ishte..
Këtë vit Krishtlindja “mbërriti” në Sofje që në nëntor, me aromë të verës së ngrohtë, kanellës dhe magjisë festive. Radio Bullgaria ju rekomandon të vizitoni disa prej këndeve të Krishtlindjes në kryeqytet: Për më të paduruarit për të pritur..
Prej 15 vitesh Stela Nedkova jeton në Bruksel. Pasi përfundoi arsimimin e saj në Bullgari, ajo vendosi të vërë veten në provë në një realitet tjetër, për..
Në prag të Ditës së Familjes së Krishterë (21 nëntor), dhjetëra çifte nga Dimitrovgrad rinovuan betimet e tyre martesore pasi kaluan më shumë se..