Bullgarët jemi ndër pak kombet që kanë një festë të vetën të spiritualitetit — Dita e Iluministëve të Popullit. E shënojmë çdo vit më 1 nëntor, për të nderuar, jo sundimtarë apo heronj ushtarakë, por njerëzit e shpirtit — ata bullgarë që kanë zgjuar kombin për liri, dije dhe dinjitet në vitet e errëta të shtypjes. Sot, në shekullin e teknologjisë së lartë dhe të inteligjencës artificiale, këto personalitete na rikthejnë tek vlerat, dijet dhe idenë se liria fillon nga arsimi dhe shpirtërorja.
Fjala “buditell” vjen nga “budja” – njeri që zgjon të tjerët nga errësira e padijes. Kjo periudhë e zgjimit kulturor, kombëtar dhe politik të kombit e njohur si Rilindja Kombëtare Bullgare, karakterizohet me punën e iluministëve – shkrimtarë, mësues, letrarë, klerikë, revolucionarë dhe arsimtarë. Ata, me fjalë dhe me shembull ndezin shkëndijën e vetëdijes kombëtare bullgare, duke zgjuar ndjenjën e përkatësisë ndaj gjuhës dhe kombit.

Fillimi i festës u vu në vitin 1909 në Plovdiv, ndërsa në vitin 1922 Kuvendi Popullor e shpalli atë ditë zyrtare për “të gjithë bullgarët meritorë”. Ideja u mbështet nga ministri i arsimit, Stojan Omarçevski, dhe qeveria e Aleksandër Stamboliski. Ata zgjodhën 1 nëntorin – ditën e Shën Ivan Rilskit, i konsideruar rilindësi i parë bullgar, një murg që ia kushtoi jetën besimit, mirësisë dhe forcimit shpirtëror të kombit.

Me kalimin e kohës, pranë shembullit të shenjtit renditen emrat e Paisij Hilendarskit, autor i “Historisë sllavo-bullgare”; Sofronij Vraçanski – autor i librit të parë të shtypur në gjuhën e re bullgare; Apostulli i lirisë Vasill Levski dhe poeti-revolucionar Hristo Botev; Petër Beroni dhe Vasill Aprilovi – themelues të arsimit modern, dhe shumë të tjerë. Këto personalitete të ndritura “zgjonin” bashkëkombësit tanë secili me mënyrën e vet – me stilolaps, besim ose armë. Në këtë mënyrë, përmes kulturës dhe dijes, rilindësit hedhin themelet e Bullgarisë moderne, duke frymëzuar krenari dhe dashuri për atdheun.

Sot Dita e Rilindësve Kombëtarë është një nga festat më të dashura bullgare. Në shkolla, fëmijët recitojnë poezi dhe ndezin qirinj para portreteve të të parëve tanë shpirtërorë, sepse liria e vërtetë fillon me dijen dhe sepse rilindësit nuk janë vetëm në të kaluarën – ata jetojnë tek çdo njeri që zgjon mendjen dhe zemrën e të tjerëve.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: oborishte.bg, BGNES, Ina Kobusen, BТА
Në botën bashkëkohore, kur vlerat materiale zëvendësojnë ato shpirtërore, mendimet për shpëtimin e shpirtit mbeten disi në plan të dytë. Gara e pandërprerë me kohën dhe detyrimet e përditshme e mpakin zërin e shpirtit, që mbytet nga ritmi i vrullshëm..
Përmbledhja “Përralla folklorike kortenase nga Bullgaria dhe Moldavia” do të prezantohet më 30 tetor 2025, në Qendrën Kulturore Bullgare, në Sofje. Libri është botuar nga Universiteti Shtetëror i Taraklisë “Grigorij Camblak”. Në kuadër të ngjarjes, e..
Dita e Shën Dhimitrit, më 26 tetor, festohet në të gjithë Bullgarinë, ndërsa lipsanet e tij, që ruhen në Selanik, janë një objekt i përhershëm pelegrinazhi për bullgarët që shpesh udhëtojnë drejt Greqisë Veriore. Në kalendarin popullor bullgar, Dita..