Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Kryevepra të kulturës muzikore bullgare: Marin Goleminov dhe drama e vallëzimit “Nestinarka”

Foto: operasz.bg

“Ndoshta emri i asnjë kompozitori tjetër bullgar nuk lidhet aq ngushtë me një vepër të vetme sa ai i Marin Goleminovit” – kështu fillon artikulli i muzikologut tonë të shquar Venelin Krëstev nga përmbledhja e famshme “Profile: Studime-ese për kompozitorë bullgarë”, i kushtuar krijuesit më jetëgjatë ndër muzikantët bullgarë të brezit të dytë. Dhe megjithëse Goleminovi njihet gjerësisht si një nga figurat më të rëndësishme të kulturës bullgare – jo vetëm si krijues, por edhe si kritik muzikor, dirigjent, pedagog, veprimtar shoqëror dhe akademik – deri më sot në vetëdijen e bullgarëve, emri i tij është sinonim i një kryevepre: dramës së vallëzimit “Nesinarka”. Kjo është vepra muzikore-skenike bullgare më e njohur dhe më e prezantuar në botë. Ajo është vënë në skenë në Çeki, Gjermani dhe Rusi; është realizuar nga trupa e baletit të Operës së Sofjes në Barcelonë, Venecie dhe Frankfurt. Versioni që Margarita Arnaudova krijoi në vitin 1978 për baletin “Arabesk” u prezantua në mbi 50 shtete dhe u bë emblemë e grupit tonë të famshëm të baletit modern.

Marin Goleminov

Formimi profesional i Marin Goleminovit lidhet me figura të shquara të botës muzikore si Dobri Hristov dhe Nikolla Atanasov në Akademinë Muzikore të Sofjes; Vincent d’Indy dhe Paul Le Flem në Schola Cantorum; me Paul Dukas  në École Normale de Musique në Paris; si dhe me Joseph Haas dhe Karl Ehrenberg në Akademinë e Muzikës në Mënik.

Pikërisht në zemër të provincës gjermane të Bavarisë, në vitin 1938, nisi rrugëtimin e veprës legjendare “Nesinarka”. Ideja për një vepër muzikore-skenike e ka ndjekur Goleminovin për disa vite: nga koncepti i një “poeme koreografike” mbi poezi të Dimço Debelianovit, deri te skenarë për operë. Në prag të udhëtimit për në Munih, ai u ndesh me tregimin e Konstantin Petkanovit “Nesinarka” në revistën “Arti dhe Kritika” dhe menjëherë kuptoi se e gjeti atë që e kërkonte. Dekada më vonë, në librin “Prapaskena e procesit krijues”, kompozitori pranon se tregimi i Petkanovit iu duk si një zbulim: “është sikur qielli u hap dhe pashë pak dritë, të cilën më pas u përpoqa ta transferoja në partiturë”. Ideja për operën menjëherë bie poshtë: “Duke menduar për mjetet me të cilat do ta transformoja historinë në një zhvillim dramatik skenik, vendosa pa mëdyshje se nuk do të më duheshin fjalë, por ritëm dhe gjest. Kështu lindi ideja e një drame vallëzimi”. Në vitin 1939, kompozitori ndërmori një udhëtim drejt rajonit të nestinarëve, i njohur për ritualet e vallëzimit mbi prush. Që atëherë, ky ritual i lashtë ishte duke u zhdukur, por ruhej ende në fshatin Vugari (Bullgari) në malin Stranxha. Udhëtimi nuk ishte i lehtë – nga Burgasi me anije deri në Vasiliko (Çarevo), dhe prej andej me makinë lart në mal ku fshihej ky fshat i varfër. Kur mbërriti atje, Goleminovi mbeti i habitur. E kaluara e largët dukej e paprekur nga koha.

Procesioni me ikonat, vallet në formë rrethi nën tingujt e daulles, gajdet që fishkëllejnë, hapat rreth zjarrit dhe vallëzimi mbi prush – të gjitha këto bëhen pjesë e dramës së vallëzimit, që ruan gjithë teatralitetin e ritualit të lashtë, si dhe melodinë e regjistruar në fshatin Vugari. Në skenat spektakolare me vallëzimin e nestinarëve, Goleminov ruan drithërimën primare të ritmit, forcon ekspresionin dhe nxehtësinë e muzikës deri në kufijtë maksimalë. Paleta e gjerë dhe fuqia e madhe e orkestrës nuk e tundojnë, dhe ai lë vetëm melodinë magjepsëse dhe ritmin shqetësues të daulles. Vallja e nestinarëve është momenti më emocionues, më atraktiv, por edhe më agresiv në dramën e vallëzimit – një standard për ekstazën në muzikën botërore. Vallja e nestinarëve është momenti më emocionues, më tërheqës, por edhe më agresiv në dramën e vallëzimit – një pikë referimi për ekstazën në muzikën botërore në përgjithësi."

Tregimi i Petkanovit është shkruar me një qartësi maksimale dramatike, i ndarë në skena të veçanta që zhvillohen me një rend logjik dhe një rrjedhshmëri teatrale, dhe lehtësisht u kthye në libret nga Hrisan Cankov, atëherë regjisor në Teatrin Kombëtar. Drejtori i baletit të Operës së Sofjes, Anastas Petrov, gjithashtu i dha këshilla të vlefshme Goleminovit. Skenari me ngjyrime mistike shpërtheu imagjinatën e kompozitorit. Drama e vajzës së re, valltare, Demna, është poetike dhe sublime. Sipas zakoneve të lashta, valltarët - nestinarë janë të zgjedhur të Shën Konstantinit, i cili i bekon me dhuntinë e profetëve, dhe dëshmi e kësaj dhuntie është aftësia e tyre të vallëzojnë këmbëzbathur mbi thëngjij të ndezur.

Dashuria dhe martesa e Demnës me Najden, një i ardhuri nga një fshat tjetër, duket se ndryshojnë jetën e saj. Por në fshatin e burrit, gruaja e re pritet me armiqësi: gjuhë të liga thonë se ajo është e pushtuar nga një fuqi e padëshiruar. Jeta me bashkëshortin e saj gjithashtu nuk është e gëzuar. Demna është e ndryshme, e shmangur dhe shumë e vetmuar. Mes dhembjes, te ajo zgjohet thirrja e gjakut – një mall për diçka që e tërheq në mënyrë të papërmbajtshme dhe premton shpëtim. Duke kapur ikonën e Shën Konstantinit, Demna hidhet në flakët e zjarrit shtëpiak, për t’u djegur së bashku me vuajtjet e saj tokësore.

Marin Goleminov e përshkruan Demnën si një “heroinë tragjikisht e dënuar”. Veçanërisht i pëlqen dyanshmëria e tregimit – një amalgamëe besimeve të vjetra pagane dhe ritualeve të reja të krishtera. Por përparësia më e madhe e dramës “Nestinarka” është fakti se ajo është një tregim vallëzimi, në themel të të cilit qëndron një ritual i lashtë bullgar.

E përfunduar në vitin 1940, drama e vallëzimit u shfaq për herë të parë më 4 janar 1942 në Operën e Sofjes nën drejtimin e dirigjentit Asen Najdenov. Libretisti dhe regjisor ishte Hrisan Cankov, koreografinë e bëri Maria Dimova – një krijuese jashtëzakonisht e talentuar, e diplomuar në shkollën moderne të vallëzimit Marie Wigman në Dresden, skenografia dhe kostumet ishin nga Neva dhe Nikolla Tuzsuzovi, ndërsa e quajtura më vonë "zonja e parë e baletit bullgar" - Nina Kiraxhieva, ishte Demna e parë mbresëlënëse këmbëzbathur në skenën botërore. Inovacioni dhe gjuha origjinale muzikore e dramës "Nestinarka" triumfuan, dhe i riu Marin Goleminov u bë një personazh i famshëm brenda një nate. Hiti i padiskutueshëm i partiturës – Vallja e Nestinarëve, e ekzekutuar si një pjesë më vete në koncerte, është një miniaturë frymëzuese që nuk pushon së emocionuari publikun në skenat bullgare dhe botërore.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: Bashkia e qytetit Ruse, arkivi personal, operasz.bg




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Mezzosopranoja nga Gjeorgjia dhe baritoni nga Rumania janë fituesit e “Operalia 2025” në Sofje

Bukuroshja gjeorgjiane me një zë të mrekullueshëm mezzosoprano, Ekaterine Buachidze dhe baritoni karizmatik rumun Mihai Damian, janë mbajtësit e çmimit të parë në kategorinë “Opera” të konkursit të famshëm të këngëtarëve “Operalia”, i cili u zhvillua..

botuar më 25-10-28 7.00.PD

Miro dhe ALMA sërish në një projekt të fuqishëm dhe emocional – “Atje”

Kur dy emra yjesh bashkohen në një duet, suksesi është i sigurt. Kështu ndodhi me këngën nga Miro dhe ALMA “Më shumë”, dhe me siguri i njëjti fat do të ndiqet edhe nga bashkëpunimi i tyre i dytë – “Atje”. Kënga është krijuar gjatë kampit krijues Sofia..

botuar më 25-10-28 6.05.PD

Trioja е njohur vokale "Antibiotika" me një këngë të re pas një ndërprerjeje 14-vjeçare

Një trio vokale, pjesë e rritjes së muzikës pop bullgare në agim të mijëvjeçarit të ri - "Antibiotika" - është rikthyer me një këngë të re. Edhe pse të shpërndara në pjesë të ndryshme të botës, Ani, Sillvija dhe Savina na prezantojnë "Duket si..

botuar më 25-10-27 6.05.PD