Komisioni Evropian vlerësoi përparimin e Malit të Zi drejt BE-së

Maqedonia e Veriut ka nevojë për veprime vendimtare dhe reforma për të filluar negociatat me BE-në, thuhet në raportin vjetor të Komisionit Evropian për përparimin e vendeve drejt anëtarësimit të plotë, transmeton BTA. Për Malin e Zi vihet në dukje një “përparim i konsiderueshëm” në mbylljen e kapitujve negociues. “Nëse ruhet ky ritëm, Mali i Zi është në rrugë për të arritur këtë objektiv ambicioz”, thuhet në raport. Shqipëria ka arritur “përparim të konsiderueshëm”. Nëse do t’i përfundojë negociatat deri në vitin 2027, kjo varet nga ruajtja e ritmit, vlerëson Komisioni Evropian. Për Serbinë theksohet polarizimi i fortë shoqëror dhe ngadalësimi i reformave. Ndërsa për Bosnjë dhe Hercegovinën si pengesë përmendet kriza e përhershme politike. Për t’u rikthyer Kosova në rrugën drejt BE-së, rekomandohet bashkëpunim ndërpartiak dhe normalizim i marrëdhënieve me Serbinë.
“Armatosja nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri”, deklaroi presidenti i Rumanisë

“Të gjitha kërcënimet dhe sfidat aktuale tregojnë se paqja dhe siguria nuk janë të garantuara. Prandaj, armatosja nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri”, deklaroi në Bukuresht presidenti rumun Nikushor Dan në Forumin e NATO-s për industrinë e mbrojtjes, transmeton AGERPRES.
Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i kompanisë gjermane “Rheinmetall”, Armin Paperger, dhe kryeministri rumun Ilie Bollozhan nënshkruan një marrëveshje për prodhimin e përbashkët të barutit në një fabrikë të re në qytetin Viktoria, në qarkun Brashov, në Rumaninë Qendrore. Investimi kap vlerën e 500 milionë eurove, nga të cilat 400 milionë do të jenë nga “Rheinmetall”, që do të ketë 51% të ndërmarrjes. Fabrika pritet të fillojë punën në vitin 2028.
Rumania gjithashtu nënshkroi një marrëveshje për blerjen e 18 avionëve luftarakë F-16 Fighting Falcon nga Holanda me çmimin simbolik prej 1 euro. Ata do të përdoren vetëm për stërvitje.
Mbyllja masive e degëve postare shqetësoi qytetarët grekë

46 degë të Postës Shtetërore Greke (ELTA) u mbyllën në Athinë, Selanik dhe rajone të tjera me qëllim rimëkëmbje financiare të kompanisë, njoftoi televizioni shtetëror ERT. Brenda tre muajve pritet të mbyllen edhe 158 degë të tjera. Masa e kursimeve shkaktoi pakënaqësi në zonat e largëta ose më pak të populluara të vendit, përfshirë edhe ishujt. Zëdhënësi i qeverisë, Pavlos Marinakis, deklaroi se ndryshimet nuk u janë paraqitur siç duhet qytetarëve dhe premtoi se asnjë grek nuk do të mbetet pa shërbim postar. Ai shtoi se 92% e pensioneve dhe 90% e dërgesave tashmë shpërndahen në shtëpi. Shërbimi tradicional me prezencë fizike në degët postare mbulon vetëm 10% të aktivitetit postar. Në shenjë solidariteti me punonjësit, drejtori ekzekutiv i ELTA-s, Grigoris Sklikas, dha dorëheqjen.
Në Kosovë janë të mundshme zgjedhje të parakohshme parlamentare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i dha mandatin nënkryetarit të lëvizjes në pushtet “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, për formimin e qeverisë, njofton koha.net. Ish-kryetari i Kuvendit ka 15 ditë kohë për ta realizuar mandatin. Më 26 tetor, kryeministri aktual dhe kryetar i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, nuk arriti të sigurojë mbështetje parlamentare. Osmani deklaroi se gjatë konsultimeve me partitë, vetëm “Vetëvendosje” kishte propozuar mandatar.
Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në Kosovë më 9 shkurt 2025, vendi hyri në një krizë politike. Në Kuvendin me 120 ulëse nuk ekziston një shumicë prej 61 votash. Brenda 7 muajve u bënë 57 përpjekje për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit. Nëse edhe Konjufca nuk arrin të formojë kabinetin qeveritar, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
BE-ja e njohu kafen turke si produkt tradicional të garantuar

Kafja turke u përfshi në regjistrin e Bashkimit Evropian si emërtim i “produktit tradicional të garantuar”, njoftoi Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Bursave të Mallrave të Turqisë. Ky është produkti i parë turk me këtë status të regjistruar në BE.
“Kafja turke është një nga simbolet më të thella të rrënjosura në kulturën tonë. Ajo u përfshi edhe në Listën e Trashëgimisë Jomateriale të UNESCO-s. Me një histori mbi 500-vjeçare, ajo nuk është thjesht një pije, por simbol i mikpritjes, komunikimit dhe miqësisë sonë”, thuhet në njoftimin e bashkimit.
“Produkti tradicional i garantuar” është një shenjë dalluese e BE-së për produktet ushqimore që prodhohen me metoda dhe përbërës tradicionalë, por pa pasur lidhje të domosdoshme me një zonë gjeografike të caktuar. Kështu, produkti mund të prodhohet edhe jashtë rajonit apo vendit nga i cili e ka origjinën.
Përpiloi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Reuters, EPA/BGNES, tharos.gr, president-ksgov.net, hurriyetdailynews.com
“Konvulsione para Multipolaritetit – koha kur iluzionet janë të shenjta, ndërsa e vërteta është herezi” – ky është titulli i një libri të ri, i cili do të prezantohet zyrtarisht në fillim të nëntorit në Sofje. Libri trajton agoninë e botës unipolare,..
Serbët në mbarë botën shënojnë 1 vjetorin e tragjedisë në Novi Sad Më 1 nëntor, serbët që jetojnë jashtë vendit do t’i bashkohen thirrjes së studentëve në Serbi për të shënuar përvjetorin e shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi..
Federata Ruse nuk ka demonstruar në asnjë mënyrë gatishmërinë e saj për të arritur paqen. Deti i Zi është një zonë kufitare me luftën. Ai duhet të gëzojë vëmendjen absolute të aleatëve. Ne duam një prani më të madhe prej tyre në Detin e Zi. Kjo u..