Transmetimi i parë i spektaklit "Tingull dhe Dritë" në kështjellën Carevec në Veliko Tërnovo u zhvillua në vitin 1985. Rasti ishte 800-vjetori i kryengritjes së Petër dhe Asen, e cila çoi në rivendosjen e shtetit bullgar pas dy shekujsh sundimi bizantin. Në vitin 2025, mbushen 40 vjet që nga transmetimi i parë i spektaklit magjepsës audio-vizual në ajër të hapur, i cili tregon historinë shekullore bullgare dhe është bërë simbol i kryeqytetit tonë të vjetër.
Cila është historia e spektaklit?
Ideja lindi në vitet 1960 dhe nuk është origjinale, pasi në atë kohë shfaqje të ngjashme ekzistonin tashmë në Egjipt, dhe shumë më afër - në fqinjin tonë jugor Greqi, megjithëse nuk transmetoheshin më – tha në një intervistë për Radio Bullgarinë Rumen Kolev, pjesë e ekipit teknik përgjegjës për projeksionet në sfondin e fortesës mesjetare bullgare.

"Që nga viti 1965, kur u krijua Komiteti Gjithëpopullor për Zhvillimin e Veliko Tërnovos, kanë filluar veprime konkrete për të zbatuar një spektakël të ngjashëm në vendin tonë. Në një moment, u shpall një konkurs për një skenar dhe tre propozime arritën në finale. Njëri ishte vepër e Serafim Severnjakut (shkrimtar dhe publicist), tjetri - e Anton Donçevit (autor i eposeve historike) dhe i treti – e Vëllo Radevit (regjisor filmi dhe skenarist). Propozimi i Vëllo Radevit nuk kishte tekst ose aktorë, ndryshe nga dy të tjerët, dhe për këtë shkak ishte shumë më i lehtë prezantimi i tij para të huajve."
Kjo është arsyeja pse u zgjodh ky variant, por këtu ndoshta do të pyesni - vepra e kujt është muzika dramatike në shfaqjen e dritave?

Ka dy përgjigje - ndan bashkëbiseduesi ynë:
"Kur u realizua shfaqja, gjë që ndodhi në vitin 1985, muzika ishte vepër e kompozitorit Simeon Pironkov. Një kompozim mjaft i shkurtër, sepse shfaqja ishte e gjatë më pak se tetë minuta. U përdor deri në fund të vitit 1987, dhe në pranverën e vitit 1988 u përfundua versioni përfundimtar, i cili transmetohet edhe sot e kësaj dite. Kompozitori i tij ishte Jiří Stivín. Në kompozimin e tij, ai përfshin shumë melodi tradicionale bullgare, siç janë këngët "Otkoga se e, mila moja majno le"(“Që kur ka nisur, moj nënë e dashur”) (kushtuar heroizmit të Car Ivan Shishman - udhëheqësit të fundit bullgar para sundimit osman - shënim red.), "Stani, stani, junak ballkanski" (“Ngrihu, ngrihu, o trim ballkanik”) (shkruar nga poeti Dobri Çintullov në 1840, një këngë, e cila i nxit bullgarët të zgjohen drejt lirisë - shënim red.), dhe finalja është “Na mnogaja leta” ("Për shumë vjet") (një këngë kishtare sllave dhe një urim për një jetë të gjatë - shënim red.). Regjistrimet u bënë në Pragë.
Siç mund ta merrni me mend, pas çdo ngjarjeje të kësaj shkalle qëndron një ekip teknik përgjegjës, puna e të cilit është e paçmuar, për shkak të karakteristikave jashtëzakonisht specifike të vendit dhe terrenit përreth tij.

"Në kodër janë instaluar 2400 projektorë me ngjyra, 1400 blicë, një sistem me rreze lazeri dhe gjashtë kambana. Të gjitha kabllot e nevojshme janë të vendosura nën tokë dhe kanë një gjatësi totale prej 630 kilometrash. Këto kabllo duhej të vendoseshin nën tokë, por le të kemi parasysh se ky është një vend arkeologjik, gjë që e bën absolutisht të pamundur përdorimin e çdo pajisjeje të mekanizuar, domethënë, gjithçka bëhej me dorë, me kazma. Me to, në shkëmb u hapën kanale të thella, në të cilat u vendosën tuba metalikë, përmes të cilave kaluan kabllot e nevojshëm."
Kur mbërritën ekspertët e thirrur nga Çekosllovakia për të ndërtuar pjesën me tension të ulët (modulin e kontrollit) të spektaklit, ata prisnin që të ndriçonin ndonjë kështjellë. Megjithatë, ata panë një fortesë të madhe me një mur 1600 metra të gjatë. Menjëherë u bë e qartë se ideja fillestare për ta përgatitur spektaklin për festimin e 1300-vjetorit të themelimit të shtetit bullgar në vitin 1981 ishte krejtësisht e parealizueshme. Dhe kështu puna vazhdoi deri në vjeshtën e vitit 1985.
Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Foto: soundandlight.bg, tsarevets.eu, Joan Kolev, veliko-tarnovo.bg
Për herë të parë në 40-vjetorin e shfaqjes audio-vizuale “Çarevgrad Tërnovo – Tingull dhe Dritë” në kodrën Çarevec në qytetin Veliko Tërnovo , do të shfaqen të dy versionet e saj në të njëjtën ditë, njoftuan nga zyra e shtypit e administratës..
Më 29 tetor shënohet Dita e Bullgarëve Besarabë. Ideja për këtë festë lindi në vitin 1938, kur në Bullgari u shënua solemnisht 100-vjetori i shenjtërimit të kishës katedrale “Shpërfytyrimi i Zotit” në qytetin Bolgrad në Ukrainë. Në këtë datë, në..
"Për mua periudha nga Çlirimi deri në vitin 1944 është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe e vlefshme, sepse mendoj se atëherë Bullgaria ka qenë në rrugën e drejtë të zhvillimit të saj. Ka pasur shumë personalitete me virtyte dhe vlera të jashtëzakonshme,..