Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

“Caritas” u zgjat dorën të varfërve, njerëzve të vuajtur dhe atyre në nevojë

Organizata e Kishës Katolike e shënon ditën e saj me një sërë aktivitetesh bamirësie

Foto: caritas.bg

Më 16 nëntor do të shënojmë Ditën e “Caritas” – organizatës bamirëse të Kishës Katolike, e cila përmes kujdesit dhe gjesteve të mëshirës mbjell shpresë në zemrat e atyre që kanë nevojë. Në këtë ditë do të kujtojmë se më e rëndësishmja nuk është pasuria materiale, por dora e zgjatur drejt njerëzve pa strehë, ndaj atyre që lypin mëshirë, ndaj refugjatëve, që edhe ata ta përshkojnë me dinjitet rrugën që u është caktuar në këtë tokë.

Dita e “Caritas” zhvillohet të dielën e parë pas 13 nëntorit, kur katolikët nderojnë kujtimin e martirëve bullgarë Evgenij Bosillkov, Kamen Viçev, Pavell Xhixhov dhe Josafat Shishkov. Data lidhet gjithashtu me Ditën Botërore të të Varfërve të shpallur nga Papa Françesku. Me rastin e kësaj dite të veçantë, Papa Leoni XIV drejton mesazhin e tij me fjalët e psalmit “Ti je shpresa ime, Zot”, për të na kujtuar se besimi nuk është arratisje nga vështirësitë, por forcë që na jep guxim të duam dhe t’i përgjigjemi dhimbjes së tjetrit.
Emanuill Patashev
“Shumë nga meshtarët, përfshirë edhe ipeshkëvin Evgenij Bosillkov, kanë punuar në terren si për të varfrit dhe njerëzit në nevojë, ashtu edhe për besimtarët në Bullgari – thotë Emanuill Patashev, sekretar i përgjithshëm i ‘Caritas Bulgaria’. – Dhe deri në atë masë, sa që japin edhe jetën e tyre (më 11 nëntor 1952, Bosilkov, Viçev, Xhixhov dhe Shishkov u qëlluan në oborrin e Burgut Qendror të Sofjes). Prandaj përpiqemi t’i bashkojmë këto data në një, duke u mbështetur në besimin që shkon deri në martirizim. Duke iu referuar situatës së tanishme dhe mesazhit të Papës për të kërkuar shpresën në Krisht, kur punojmë dhe takohemi me të varfrit, janë të gjitha arsye që të mblidhemi në Ditën e ‘Caritas’.”

Të dielën, gjatë liturgjive në dioqezat katolike do të shpërndahen mesazhet e Ditës së “Caritas”, pas së cilës do të zhvillohen shumë ngjarje bamirëse, takime tematike dhe atelie artistike me përdorues të shërbimeve sociale, studentë dhe vullnetarë. Midis tyre – një panair bamirës në Parkun Jugor të kryeqytetit me produkte të përgatitura nga fëmijë dhe të rritur me aftësi të kufizuara, si dhe “Kafe për ndihmë” – një filxhan aromatik si shenjë respekti për njerëzit që dhurojnë për këtë kauzë.

“Varna është një nga vendet ku shumë ukrainas kanë gjetur strehim dhe ende janë aty – shton Emanuill Patashev. – Në një takim të përbashkët me motrat bamirëse të Nënë Terezës, që punojnë me të pastrehët në qytet, ata do të diskutojnë për pritshmëritë e njerëzve që kanë kërkuar strehim tek ne dhe si i pranon shoqëria jonë. Të pastrehët, të mbështetur nga “Caritas” në Burgas, do t’i shprehin falënderimet organizatës përmes punës vullnetare, duke u përpjekur ta bëjnë më të bukur dhe mikpritëse ndërtesën ku mund të ngrohen, të ushqehen dhe të lahen. Në Plovdiv, kremtimi i ditës festive do të fillojë me një ballo, ku shumë mysafirë – miq, dhurues dhe vullnetarë, përmes bamirësisë do të mbështesin aktivitetet e “Caritas” gjatë muajve në vijim.”

Fondet e mbledhura nga balloja do të kontribuojnë në krijimin e vendeve të punës për persona nga grupet e cënuara dhe do të mbështesin programet sociale. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe njerëzve që kanë ikur nga luftërat, shtypja, padrejtësitë, të cilët në Varna do të përgatisin një tablo me mesazhe. Por, çfarë i detyrohemi ne si shoqëri refugjatëve, dhe cilat duhet të jenë fjalët tona ndaj tyre për të luftuar paragjykimet?
Refugjatët nga lufta në Ukrainë mësojnë bullgarisht
“Bota ka ndryshuar shumë gjatë viteve të fundit, dhe fjala ‘shtëpi’, vendi ku njeriu ndihet rehat, ka marrë një kuptim më të ndryshëm – përgjigjet Emanuill Patashev. – Sot shtëpia mund të jetë në një vend, dhe nesër për ndonjë arsye – në një tjetër, pavarësisht nëse ko ndryshim është bërë me dëshirë ose me detyrim. Ne si vend mikpritës duhet të kuptojmë që të gjithë njerëzve që kanë kërkuar strehim tek ne duhet t’u themi ‘Mirë se vini!’. Nga ana tjetër, ata nuk duhet të jenë thjesht mysafirët tanë, dhe është e nevojshme që gjithashtu të kontribuojnë në gjithçka që ka nevojë shoqëria bullgare – pra, të integrohen sa më shpejt të jetë e mundur. “Caritas” ka një program të zhvilluar dhe qendra karriere në qytetet e mëdha dhe përpiqet të gjejë punë për këta njerëz, në mënyrë që ata të kenë të ardhura dhe një mënyrë jetese më dinjitoze.”

Edhe pse ekziston dialog me shtetin – vetë shteti e njeh “Caritas” si partner të mirë dhe i ngarkon disa aktivitete – nga organizata pranojnë se shpesh trokasin në dyer që hapen me vështirësi. Emanuill Patashev jep shembullin pikërisht me refugjatët:

“Nëse këta njerëz duan të integrohen në një komunitet, shteti ka mjete për t’i mbështetur, përfshirë edhe nga ana financiare. Fatkeqësisht, për një arsye ose tjetër, gjithçka mbetet vetëm në dokumente dhe në praktikë nuk funksionon. Pra, ka ende shumë për të bërë, por më parë shteti duhet të marrë vendimin e rëndësishëm se çfarë do të bëjë vetë dhe çfarë do t’i ofrojë të tjerëve, sepse në vendet më të zhvilluara kjo çështje është zgjidhur prej kohësh.”

Kur një person vuan, ai mund të marrë përkujdesje, por më e rëndësishmja që i duhet është një fjalë e mirë. Prandaj, kur arrijmë ta dëgjojmë tjetrin, së bashku mund të gjejmë zgjidhjen më të mirë. Për Ditën e “Caritas”, sekretari i përgjithshëm në Bullgari dërgon mesazhin e tij: “Siç ka thënë Krishti, gjithmonë do të ketë të varfër mes jush dhe gjithmonë duhet të punojmë për ta.”

Lexoni më tepër:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: vaticannews.va, caritas.bg, caritas-ruse.bg



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Qeni Maja

Rast i radhës i mizorisë ndaj një kafshe mobilizon energjinë qytetare

Rasti me një qen të shkelur nga një mjek në një lagje të kryeqytetit shkaktoi një valë pakënaqësie publike dhe organizimin e një proteste në Sofje, e cila do të zhvillohet sot para Akademisë Ushtarako-Mjekësore – institucioni shëndetësor ku punon mjeku...

botuar më 25-11-13 2.30.MD

Trembëdhjetë shtete amerikane e njohin certifikatën bullgare për dygjuhësi

E ashtuquajtura “Vulë e dygjuhësisë” u krijua në vitin 2011 në shtetin amerikan të Kalifornisë me idenë se, në kushtet e një ekonomie dhe marrëdhëniesh të globalizuara, një person nuk mund ta zhvillojë plotësisht potencialin e tij duke ditur vetëm një..

botuar më 25-11-13 7.10.PD

Banorët e Gabrovos vendosën “të shijojnë fundin” të paktën deri te karnavali i 16 majit 2026

Me moton “Fundin e ka afër – le ta përjetojmë me humor” në qytetin Gabrovo u hap i ashtuquajturi sezoni i 5-të i vitit. Në ditën e 11-të të muajit të 11-të nis sezoni i karnavaleve të Vitit të Ri dhe të pranverës në qytetet e Evropës dhe të botës. Me..

botuar më 25-11-11 2.12.MD