Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Stela Nedkova dhe këndi i saj bullgar në Bruksel – restorant me gatime tradicionale

Foto: Daniella Goleminova

Prej 15 vitesh Stela Nedkova jeton në Bruksel. Pasi përfundoi arsimimin e saj në Bullgari, ajo vendosi të vërë veten në provë në një realitet tjetër, për të kontrolluar nëse mund t’ia dalë vetë me sfidat e jetës, pa ndihmën e prindërve. Stela ishte përballë dilemës se cilën rrugë të merrte – drejt Belgjikës apo drejt Anglisë.

"Preferova Belgjikën, sepse babai im jetonte në Angli dhe unë thjesht doja të isha e pavarur", thotë e reja bullgare.

Fillimi ka qenë i vështirë. Duke mbërritur në Bruksel pa e ditur gjuhën frënge, Stela filloi punë në kafenë e parë ku pa një njoftim se kërkonin kameriere.



"Fillova punë në një kafene turke, por pasi nuk dija gjuhën turke, ishte shumë e vështirë të punoja me klientët. Të gjithë flisnin vetëm turqisht dhe ishte shumë e vështirë. Gjuhën frënge nuk e flisja. M’u desh ta mësoj të paktën atë, që të mund të përballoja dhe të mbijetoja në Belgjikë", rrëfen bashkatdhetarja jonë.

Pasi grumbulloi përvojë në biznesin e restoranteve, para 7 vitesh Stela Nedkova vendosi të hapte lokalin e saj në Bruksel, në të cilin të ofronte pjata tradicionale bullgare. Ajo përgatiti një plan biznesi, mori me qira një ambient dhe, me ndihmën e nënës së saj, e cila është kuzhiniere profesioniste, filloi biznesin e saj të restorantit.



"Kuzhina bullgare është në një nivel mjaft të mirë, sepse është ushqim i përgatitur në shtëpi. Klientët pëlqejnë shumë sallatën shopska, djathin bullgar, sallatën ‘Snezhanka’, supat, gyveçet, saçet. Në lokal vijnë njerëz nga komuniteti ynë, por edhe nga kombe të tjera, të cilët e vlerësojnë kuzhinën bullgare. Kemi klientë të rregullt, por edhe të tillë që vijnë vetëm një herë, sepse janë turistë, kanë ardhur të shohin Brukselin dhe nuk e kanë pritur që do të gjejnë një restorant të vogël bullgar", thotë pronarja.

Lokali është i mobiluar në stil tradicional. Interieri rikrijon një atmosferë që kujton shtëpitë e vjetra bullgare dhe zakonet. Të gjitha mobiliet janë prej druri dhe muret janë dekoruar me qilima autentikë dhe me kostume popullore.



"Duhej të dallonim nga të tjerët dhe t’u tregonim të huajve se çfarë është tradicionalisht bullgare, sepse ka njerëz që nuk kanë dëgjuar për vendin tonë. Gjithçka këtu është autentike – qilimat, kostumet, të cilat janë mashkullore dhe femërore. Shpesh të huajt na pyesin se kur i veshim këto rroba. U themi se kjo ndodh gjatë festave. U tregojmë se dikur paraardhësit tanë kështu kanë qenë të veshur në përditshmëri. U tregojmë video me valle bullgare. Domosdoshmërisht në restorant dëgjohet muzikë bullgare, që njerëzit të mund të dëgjojnë ritmet tona. Muzika pëlqehet shumë dhe shpesh ndodh që njerëzit të ngrihen dhe të kërcejnë", tregon Stela Nedkova.

Stafi në lokal gjithashtu është bullgar.

"Nuk ka si të jetë i kombësisë tjetër stafi i shërbimit, sepse njerëzit duhet të jenë të njohur me shijet tona, që të mund ta prezantojnë mirë ushqimin. Dhe kjo nuk mund të ndodhë, nëse nuk je rritur me këtë ushqim. Jam mirënjohëse që fati më solli pikërisht me këta njerëz – të gjithë janë shumë të përgjegjshëm dhe sillen profesionalisht ndaj punës. Nuk i marr si staf, por si familjen time. Ata nuk kanë ardhur këtu nga e mira. Kur zgjedh njeriu të largohet nga atdheu? Kur ka një nevojë, ose nga dëshira për një fillim të ri, ashtu siç ishte për mua. Fatet tona janë bashkuar, si të thuash. Jeta më ka mësuar se duhet të ndihmoj. Sepse, kur unë kam qenë në nevojë, dikush më ka ndihmuar mua, prandaj edhe unë duhet të ndihmoj", thotë bashkatdhetarja jonë.



Në bisedë arrijmë te tema e klimës së biznesit – a ka në Belgjikë shumë rregullore që pengojnë biznesin, apo përkundrazi, shteti i ndihmon dhe i stimulon njerëzit iniciativë të zhvillojnë biznes të vogël?

"Mund të them se nuk është e vështirë. Kërkesa më serioze nuk ka. Duhet vetëm të kesh dëshirë të punosh dhe të jesh i qartë çfarë do të bësh. Shteti ndihmon shumë, mjafton që ti të duash të zhvillohesh. Nuk ka asnjë pengesë. Kështu është organizuar sistemi në Belgjikë, që shumë lehtë mund të nisësh biznes. Nëse dëshiron të hapësh firmë – shkon, zgjedh emrin dhe shënon veprimtarinë me të cilën do të merresh. Gjërat ndodhin shumë shpejt. Ka një listë me kërkesa dhe kur je gati me çdo nën-pikë, leja të jepet shumë shpejt."



Cila është formula për një biznes të suksesshëm restoranti?

"Unë kërkoj saktësi. Të respektohet orari i punës, i cili është i shkruar te dera e restorantit. Duhet të jemi të qëndrueshëm. Nuk mundet që një ditë lokali të jetë i hapur, ndërsa ditën tjetër të mos ndihesh mirë ose thjesht të mos kesh dëshirë të punosh dhe ai të jetë i mbyllur. Kështu biznes nuk bëhet", është kategorike sipërmarrësja e re.

Restoranti i Stela Nedkovës është vendi ku në festa dhe gjatë ditëve të pushimit mblidhet komuniteti bullgar në Bruksel. Njerëzit vijnë jo vetëm për të ngrënë gatime bullgare, por edhe për të ndarë gëzimet dhe shqetësimet e tyre, thotë bashkatdhetarja jonë.



"Disponojmë edhe një sallë tjetër, e cila është për festa. Pothuajse çdo javë atje organizohen ngjarje më të mëdha, si ditëlindje. Kemi bërë madje edhe fejesë. Kapaciteti i sallës nuk është shumë i madh – mban 40 persona... Kudo që të shkojmë, jetën e mbajmë me vete – kërkojmë mbledhjet, bisedat janë të llojeve të ndryshme, diskutohen problemet aktuale. Së fundmi në Belgjikë u miratuan ligje të reja që prekin njerëzit që marrin ndihma sociale. Kjo tani është tema numër një për shumicën e bashkatdhetarëve tanë, të cilët përfitojnë nga politika sociale e Belgjikës."



Pas 15 vitesh jetë në Belgjikë, a ekziston nostalgjia për atdheun dhe vendlindjen?

"Prandaj hapëm restorant bullgar, që të mos na mungojë të paktën pak nga pak vendi. Shkojmë shpesh, çdo tre muaj përpiqemi të arrijmë në Bullgari, sepse të afërmit tanë janë atje. Ne të gëzohemi me ta dhe ata me ne. Na mungon Bullgaria. Pas një kohe mendojmë të kthehemi, sepse rrënja është atje. Siç thuhet, guri rëndon në vendin e vet. Nuk ka si, do të kthehemi", është kategorike sot Stela Nedkova.


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: Daniella Goleminova, Facebook /Taverna Çevermeto



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

"Bullgaria dhe Shqipëria – së bashku për edhe një tjetër fëmijë të lindur!"

Fertility Europe, rrjeti panevropian i shoqatave të pacientëve me probleme riprodhuese, shpalli fillimin e Javës së nëntë Evropiane të Fertilitetit 2025 , e cila zgjat deri më 9 nëntor. Fushata zhvillohet në të gjithë Evropën dhe do të kalojë nën moton..

botuar më 25-11-05 2.30.MD
Veneta Terzieva dhe Valentin Grigorov

Veneta dhe Valentin nga Berlini për iluminizmin modern si një rrugë drejt lumturisë

"Gëzimi që shihni në sytë e njerëzve që keni ndihmuar nuk mund të përshkruhet me fjalë, duhet të përjetohet!" Kjo u nda nga Veneta Terzieva dhe Valentin Grigorov në Ditën e Iluministëve të Popullit më 1 nëntor. Të dy kanë ndihmuar bullgarë të..

botuar më 25-11-05 7.10.PD

Nga 1 janari, një kartë identiteti me një periudhë vlefshmërie prej 10 vitesh do të kushtojë 15.34 euro

Nga 1 janari 2026, tarifa për lëshimin e një karte identiteti me një periudhë vlefshmërie prej 10 vitesh për një person të moshës 18 deri në 70 vjeç do të jetë 15.34 euro (30 leva), sipas një Dekreti të Këshillit të Ministrave për ndryshimin e..

botuar më 25-11-04 6.19.MD