Kur më 19 maj 1972, në ekranin bullgar, u shfaq për herë të parë filmi legjendar i regjisorit Ljudmill Kirkov “Djali po largohet”, autori i muzikës – kompozitori i respektuar dhe i kërkuar Boris Karadimçev, ishte 39 vjeç. Arsimi i tij ishte mbresëlënës: kishte mbaruar Akademinë e Muzikës me dy specialitete shumë prestigjioze – dirigjimin orkestral dhe kompozimin, në klasat e pedagogëve më të njohur– Prof. Asen Dimitrov dhe Prof. Panço Vlladigerov. Përpjekjet e tij të para krijuese ishin në zhanret klasike. Me muzikën pop ai filloi të merrej në vitet 50-të të shekullit të XX, kur punonte me formacionin “Xhazi i të rinjve”. Kënga e tij e parë u krijua në vitin 1962 dhe u incizua nga Emill Dimitrov. Karadimçev ishte një nga kompozitorët kryesorë që i mbështetën grupet e muzikës pop dhe rok, të krijuara në fund të viteve 60-të të shekullit të kaluar në Bullgari, si “Shturcët” (Gjinkallat) dhe “Srebërni Grivni” (Byzylykët e Argjendtë). Kënga e tij “Heshtja e bardhë”, me tekst të poetit Bogomill Gude në interpretim të Georgi Minçevit dhe “Shturcite”, në vitin 1967 fitoi çmimin e parë të Festivalit “Orfeu i Artë” dhe u bë një hit i përjetshëm bullgar.

Ndër këngëtarët për të cilët kompozoi janë Margret Nikollova, Bojan Ivanov, Boris Guxhunov, Maria Nejkova, Bogdana Karadoçeva, Margarita Hranova, ndërsa bashkëpunimi i tij me grupet rok si “Faktor” dhe “Tangra” solli vërtet shembuj të shkëlqyer të rokut melodik. Në një intervistë për sajtin cinefish.bg, Boris Karadimçev tregon se rruga e tij serioze në kinematografi filloi pas ftesës nga regjisori Ljudmill Kirkov për të kompozuar muzikën e filmit “Mbretërit Suedezë” në vitin 1968. “Unë kisha një shqetësim të madh me Ludmill për “Mbretërit suedezë”, sepse papritmas ndjeva seriozitetin e këtij angazhimi. Ai kishte një ndjeshmëri të madhe muzikore dhe më tregoi se kishte dëgjuar shumë nga veprat e mia …”. Pas dy filmave të tjerë të përbashkët – “Armando” dhe “Mos kthehu mbrapa”, erdhi një nga krijimet më të sinqerta dhe delikate në kinematografinë bullgare – “Djali po largohet”. Imagjinata e pastër dhe e natyrshme, atmosfera romantike, skenari mjeshtëror i shkrimtarit dhe skenarist Georgi Mishev, protagonisti prekës i artistit Filip Trifonovit dhe partitura e shkëlqyer e Boris Karadimçev e kthyen filmin në një kryevepër të vërtet për breza të tërë spektatorësh. Për miniaturën e mrekullueshme lirike “Njerëz dhe rrugë”, kompozitori tregon: "Muzika me vlerë është ajo më e thelluar, ajo që mbart brenda vetes ndjenja të ndryshme. Edhe kur pamja nuk është aq e rëndë ose dramatike. Por kështu ndodh edhe me njerëzit. Ai për të cilin gjithçka është e lehtë – deti i është deri në gjunjë. Njeriu që reflekton në thellësi, nuk buzëqesh kaq lehtë."

E pyetur se cila pjesë e krijimtarisë së tij i pëlqen më shumë, ai thotë: "Mund të thuhet se në muzikën filmike kam shfaqje më interesante. Por një gjë është ajo që më pëlqen mua personalisht, dhe një tjetër është se cila muzikë më solli më shumë popullaritet. Këngët nga filmat, për shembull, më sollën shumë njohje. Për mua, muzika instrumentale e filmave është ajo që është më interesante, më sfiduese dhe më komplekse. Por si profesionist nuk duhet të mendoj kështu. Kënga “Njerëz dhe rrugë”, për shembull, e propozova në Festivalin “Orfeu i Artë”. Aty nuk mori asnjë vlerësim. Dhe pastaj u shfaq në filmin “Djali po largohet” dhe që prej shumë vitesh është e njohur, e popullarizuar dhe e pëlqyer."

Më shumë se gjysmë shekulli, “Njerëz dhe rrugë” është kartëvizita e këngëtares së njohur bullgare Mimi Ivanova, e cila në një intervistë për bTV rrëfeu se Boris Karadimçev i propozoi ta interpretonte këngën. Në atë kohë nuk ishte e zakonshme që në repertorin e koncerteve të përfshiheshin këngë nga filma, për më tepër se “Njerëz dhe rrugë” është shumë e shkurtër – vetëm rreth dy minuta, kështu që: “Ajo mbeti në studio. I qëndroi filmit si një rrobe e bukur, e qepur posaçërisht për të, ku luajnë ata aktorë të mrekullueshëm – dritë pastë kujtimi i tyre të gjithëve. Filmi është i mrekullueshëm! Njerëzit e pëlqejnë shumë – elegant, i rafinuar, inteligjent. Sa herë që tingëllon kjo këngë, e ndiej – unë vetë, brenda meje – sikur ngrihem lart. Ka diçka shumë të pastër në të, shumë fëmijërore, shumë romantike. Dhe kjo i përcillet publikut… Kjo këngë sjell një harmoni të veçantë, një ekuilibër, një ndjesi ndryshe, pastruese. Për mua është një lumturi dhe një fat i madh që më ra mua ta këndoja, së bashku me një interpretues të mrekullueshëm që më mungon shumë – Boris Guxhunov… Faleminderit edhe Boris Karadimçevit. E konsideroj si një nga emblemat e repertorit tim.”
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: bc-bg.com, архив, Facebook/ Podkasti “Filmoteko”
Hite roku me tekste dhe mesazhe serioze me të cilat është rritur më shumë se një brez – kjo është ajo që gjejmë në albumin e ri të grupit "Faktor", të titulluar "Kundër Kohës". Dhe koha duket se po punon në favorin e tyre, dhe për më shumë se..
Konkursi i 8-të Ndërkombëtar i Violinës "Vasko Abaxhiev" do të mbahet në Sofje nga 20 deri më 23 nëntor me një interes rekord. Organizatorët nga Klubi i UNESCO-s "Leonardo da Vinci" - Sofje janë të kënaqur me 32 aplikimet e marra nga 14 vende,..
"Kështu është jeta" – kjo është motoja e koncertit më 19 nëntor, në të cilin kompozitori Stefan Dimitrov bashkon emra legjendarë si Bogdana Karadoçeva, Mihaill Bellçev, Vëllezërit Argirovi, Mimi Nikollova, Doni, së bashku me artistë të rinj, por..
Konkursi i 8-të Ndërkombëtar i Violinës "Vasko Abaxhiev" do të mbahet në Sofje nga 20 deri më 23 nëntor me një interes rekord. Organizatorët nga Klubi i..
Hite roku me tekste dhe mesazhe serioze me të cilat është rritur më shumë se një brez – kjo është ajo që gjejmë në albumin e ri të grupit "Faktor", të..