Eмисия новини
от 15.00 часа
Размер на шрифта
Българско национално радио © 2024 Всички права са запазени

Dita e Shën Petros dhe e Shën Pavlit

Ikona nga Manastiri “Apostujt Petro dhe Pavli” në fshatin Prekollnica (Bullgari Perëndimore)
Снимка: wikipedia
Në kalendarin e festave popullore bullgare janë të ndara dy festat që i kushtohen dy Shenjtorëve Petro dhe Pavli, 29 qershor, ndonëse kisha e krishtere i kremton së bashku. Ndërsa në kulturën folklorike të bullgarëve Shën Petroja e Shën Pavli lidhen me simbole të ndryshme, dhe me rite të ndryshme kremtohet dita e secilit.

Në besimet popullore Shën Petroja ka qenë një nga pesë vëllezërit trima të cilët e ndanë mes tyre tokën dhe qiellin në zanafillën e botës. Shën Petros i ra për hise të ruante çelësat e Parajsës. Por përrallat popullore bullgare rrëfejnë se dikur Shën Petroja zbriste dhe bënte shëtitje në tokë mes njerëzve. Një ditë prej ditësh ai kaloi nga një fshat ku të gjithë kishin vajtur në ara për të korrur. Shkoi ai në ara dhe si pa sa e rëndë qenkësh puna e korrjes bëri t’i ndihmonte bujqit. Rroku draprin dhe nisi të korrte bashkë me ta.

Kur vjen “Petrovden” – Dita e Shën Petros, 29 qershori, korrjet janë në kulmin e tyre. Në zonat ku drithërat piqen më shpejtë bujqit arrijnë ta grumbullojnë bereqetin që para ditës së Shën Petros. Ndaj në atë ditë shtrohen gosti për korrësit në shenjë falënderimi e mirënjohje se e kanë kryer shpejtë e mirë punën. Por edhe ata bujq që nuk i kanë përfunduar korrjet, punojnë në ara vetëm deri në drekë, mbasandaj kthehen në shtëpi dhe gjithashtu shtrojnë gostinë për nder të Shën Petros.

Një këngë që këndonin dikur vajzat e zonës së Slivenit, Bullgari Jugore, në kohën e të korrave, rrëfen pikërisht për korrjet që bëheshin ditën e Shën Petros. Një nuse e re, bashkë me nëntë kunetërit e saj po korrnin arën e madhe të familjes. Kur erdhi dreka, kunetërit i thanë nuses të kthehej në shtëpi dhe të bënte gati gjellët e festës së Shën Petros.

Si çdo festë, edhe Dita e Shën Petros e ka një meny të posaçme gjellësh. Gjella më e rëndësishme e kësaj menyje është pula e pjekur me shumë erëza. Ajo serviret pas dy javë kreshmësh të quajtura “kreshmët e Shën Petros. Pula e pjekur ditën e Shën Petros është si qengji i pjekur ditën e Shën Gjergjit, ose si derrkuci i pjekur për Krishtlindje. I kthehemi këngës së korrjeve që rrëfen për nusen e re që iku në shtëpi për të bërë gati gostinë. Mirëpo rrugës ajo ndaloi te një dardhë dhe tha të mblidhte ca dardha dhe t’i vinte edhe ato në tryezën e gostisë.

Për ditën e Shën Petros janë karakteristike si fruta jo vetëm dardhat po dhe mollët. Gratë kur shkojnë në kishë në ditën e Shën Petros, ato patjetër duhet të mbajnë molla si një lloj flije për Shenjtorin. Janë mollët e para të stinës së verës dhe ato duhet të vihen në tryezën e festës. Çdo grua u jep nga mollët e veta të afërmve dhe komshinjve, shoqëruar me një copë bukë e cila gjithashtu është çuar më parë në kishë për ta bekuar prifti. Në tryezën e shtruar për Ditën e Shën Petros sigurisht që nuk mungon vera e kuqe që për bullgarin është e Shenjtë. Në shumë fshatra të vendit në këtë ditë organizojnë panairet tradicionale.

Ndryshe nga Shën Petroja, Shën Pavli, sipas traditës popullore bullgare, nuk dëshiron që për nder të tij të gatuhen bukë të posaçme dhe të shtrohen gosti. Ai kërkon që gjindja vetëm ta nderojnë. Festa e Shën Pavlit bie ditën tjetër, 30 qershor dhe quhet “Pavljovden” – dita e Pavlit. Në përfytyrimet folklorike Shën Pavli lidhet me zjarrin – me zjarrin e tokës dhe me atë të qiellit, pra, me diellin. Ndaj, populli beson se në atë ditë nuk duhet të ndizet zjarri që të mos nxitet dielli të djeg më shumë, pasi edhe kështu në këtë stinë është zhuritës. Por kjo mund të interpretohet edhe si një masë preventive kundër zjarrit, pasi në këtë periudhë zjarret në ara janë rrezik i madh. Dita e Shën Pavlit, pra, përfshihet në vargun e festave “të zjarrta” gjatë muajve më të nxehtë të verës. Besohet se në këto dy ditë – ditën e Shën Petros dhe ditën e Shën Pavlit, vera, dielli dhe punët bujqësore janë në kulmin e tyre. Në meteorologjinë popullore thuhet “vapa e Petros, acari i Kollit”, që do të thotë se nëse në ditën e Shën Petros dielli djeg fortë, në ditën e Shën Kollit, 6 dhjetor, do të bëjë shumë ftohtë.

Ja dhe një tjetër këngë me tekst interesant, ajo është nga zona e Slivenit. Është një këngë nga folklori i kreshnikëve. Ajo rrëfen si kishin dalë në mal ca burra dhe kishin bërë një çetë komitësh që të luftonin për çlirimin e bullgarëve. Të tilla çeta komitësh nga pranvera e deri në vjeshtë vonë jetonin nën qiellin e hapur, maleve e pyjeve, dhe sulmonin osmanlinjtë që kalonin aty pari. Por ndodhi që në mes të verës, ditën e Shën Petros, në mal u bë shumë ftohtë, bryma thau jeshillëkun e tërë pyllit. Mbeti vetëm një pemë dhe ajo ishte një dafinë. Nën këtë dafinë u strehua çeta e komitëve. Në variante të tjera të kësaj kënge kur ra të ftohtit, komitët ndezën një zjarr, por flakët e tij përfshinë gjithë pyllin.
Новините на БНР – във Facebook, Instagram, Viber, YouTube и Telegram.


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Горещи теми

Войната в Украйна

Най-четени