Nuk mund të merren vendime të menjëhershme për të zgjidhur mosmarrëveshjen midis Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, sepse Bullgaria po përballet me zgjedhje parlamentare dhe presidenciale. Këtë e deklaroi kancelarja gjermane Angela Merkel pas përfundimit të Samitit BE-Ballkan Perëndimor në Slloveni. “Hapi tjetër që duhet ndërmarrë është arritja e një marrëveshjeje midis dy vendeve në mënyrë që Sofja të pajtohet për fillimin e një konference ndërqeveritare”, tha kancelarja kur komentoi fillimin e bisedimeve të pranimit të Shkupit në BE. Ajo vuri në dukje se çështja u diskutua gjatë forumit në formate të ndryshme, me pjesëmarrjen e Presidentit bullgar Rumen Radev, Kryeministrit maqedonas Zoran Zaev dhe politikanë kryesorë evropianë.