Interesi ndaj Bullgarisë nga ana e investitorëve sivjet është shumë më i fortë sesa gjatë vitit të kaluar. Gjatë të tre-katër muajve të fundit ka një aktivizim të investitorëve të huaj dhe kjo vërehet në vëllimet më të mëdha të projekteve investuese. Rriten kapitalet e investuara në industri dhe energjetikë, në dallim të investimeve spekulative në ndërtim, pronë të patundshme dhe financa. Këtë e tha në një intervistë për Radio Bullgarinë Borislav Stefanovi, drejtor ekzekutiv i Agjencisë bullgare të investimeve.
Ndërsa në fund të vitit të kaluar kapitalet e huaja në Bullgari kanë qenë afro 1,6 miliardë euro, sivjet prognoza është që ato të arrijnë 2,5-3 miliardë euro. Fushat kryesore, ku drejtohen investimet e huaja direkte janë në sektorin e prodhimit, në industrinë kimike, në industrinë e lehtë, në përpunimin e drurit, në industrinë e tekstileve. Forcohet interesi ndaj bujqësisë dhe industrisë ushqimore. Një fushë tjetër tërheqëse për investitorët e huaj është outsourcing-u i proceseve të biznesit. Një sektor prijës për nga investimet tek ne kohët e fundit është energjetika dhe posaçërisht burimet e ripërtëritshme të energjisë.
Në sfondin e konkurrencës së egër në tregun botëror, me çfarë Bullgaria i tërheq investitorët e huaj?
“Bullgaria ka kuadro me kualifikim të lartë dhe me çmim tërheqës – komenton përparësitë e Bullgarisë Borislav Stefanovi. – Nuk është një arsye krenarie, por rrogat tek ne janë më të ulëta sesa në vendet e tjera evropiane. Shpenzimet e biznesit si taksa, tatime, gjithashtu janë më të ulëta. Mund të krenohemi me stabilitetin makroekonomik të vendit tonë, sepse investitorët tani janë shumë të kujdesshëm, veçanërisht pas krizës ekonomike. Për ta është e rëndësishme të mos ndryshohen tatimet dhe të garantohet stabiliteti i investimit të tyre.”
Më shumë investime të huaja vijnë nga BE-ja, më aktivë janë investitorët nga Gjermania dhe Austria. Në Top-10 të vendeve investitore në Bullgari janë dhe SHBA. Kompanitë amerikane investojnë më tepër në outsourcing të teknologjive të informacionit. Ndaj bujqësisë dhe turizmit mjekësor ka interes nga destinacione më ekzotike si vendet arabe nga Gjiri Persik dhe Kina.
Shumë kompani të huaja zhvendosin qendrat e tyre outsourcing nga Kina dhe India në Bullgari. Cili është shkaku?
“Shkaku kryesor është çmimi – shpjegon bashkëbiseduesi ynë. – Gjatë viteve 90 India dhe Kina ishin vendet më të lira për outsourcing. Tani çmimet për të bërë biznes atje u rritën. Një shkak tjetër është stabiliteti politik. Zhvillimet në Afrikë gjatë muajve të fundit ushtruan një ndikim të madh. Kishim takime me firma për outsourcing, të cilat kanë qendra në Egjipt. Ato interesoheshin të transferojnë biznesin e tyre në Evropën Lindore, dhe konkretisht në Bullgari. Një faktor tjetër është afërsia gjeografike dhe kulturore. Puna në një qendër outsourcing është lidhur me shumë udhëtime nga ana e menaxherëve dhe klientëve të firmës. Për një firmë gjermane është më e lehtë të ketë një qendër në ndonjë vend më të afërt, sesa nëpunësit të fluturojnë deri në Kinë tri herë në muaj. Këta janë faktorë që janë në dobi të Bullgarisë dhe ne do të përpiqemi gjatë muajve të ardhshëm të reklamojmë më shumë vendin tonë. Sepse ne jemi një vend i vogël dhe nuk jemi kaq të njohur sa disa prej fqinjëve tanë.”
Ku jemi ne në krahasim me vendet e tjera nga Evropa Qendrore dhe Lindore për sa u përket investimeve të huaja?
“Investimet si strukturë në Bullgari nuk ndryshojnë shumë nga ato në vendet e tjera – saktëson Borislav Stefanovi. – Gjatë të 5-6 vjetëve të fundit kishte një riorientim të investimeve drejt pronave të patundshme, financave dhe tregtisë jo vetëm tek ne, por gjithashtu në Çeki, Sllovaki, të cilat konsiderohen shembuj për investime në prodhim. Në këta sektorë kishte një ulje të madhe gjatë krizës financiare jo vetëm në Bullgari, por në tërë regjionin. Përveç kësaj në këta sektorë më pak mund të ndikohet nëpërmjet politikës shtetërore, ndërsa në investimet në teknologji të informacionit, në prodhim dhe industri ka një koordinim të mirë midis biznesit, universiteteve dhe qeverisë. Këta janë sektorët, në të cilët duhet të përqendrojmë vëmendjen tonë dhe ta promovojmë Bullgarinë më aktivisht. Këtu kemi shembuj për investime të suksesshme, tradita dhe përparësi. Një nga problemet kryesore të Bullgarisë si një vend për investime është se duke folur për Evropën Qendrore dhe Lindore, në përfytyrimin e shumicës së investitorëve menjëherë vijnë Polonia, Hungaria dhe Çekia. Ne duhet të bëjmë ashtu që ata të mendojnë në të njëjtën mënyrë dhe për Bullgarinë.”
Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova
Terminali i gazit të lëngshëm natyror në Aleksandrupolis, në të cilin Bullgaria është bashkë-aksionare, tashmë kontribuon në konkurrencën jo vetëm të Greqisë dhe Bullgarisë, por edhe të të gjithë rajonit. Kështu tha ministri në detyrë i energjetikës,..
Ka filluar modernizimi i bazës prodhuese të ndërmarrjes së vetme shtetërore të përpunimit të qumështit “LB Bulgaricum” në Vidin, siç ishte premtuar nga pushtetarët. Renovimi i bazës prodhuese do të kryhet në faza, njoftoi Ministria e Ekonomisë. Në..
Dorëzimi i parë i gazit natyror në Bullgari u bë sot përmes terminalit të ri në qytetin grek Aleksandrupolis. Funksionimi komercial i objektit është fakt që prej 1 tetorit të këtij viti dhe vendi ynë është pronar i 20% të projektit, i cili..