Një ekspozitë me emrin “Kozmosi i pafund i mendimit të njeriut” u hap në sallën e kryeqytetit të agjencisë shtetërore “Arkivat”. Ajo tregon për jetën dhe veprën e shkencëtarit të shquar amerikan prof. Widen Tabakoff /1919-2015/.
Ai ka lindur në fshatin bullgar Stakevci të rrethit të Bellogradçikut dhe ka bërë studime teknike në Pragë në vitet 1938-1942. Pas kësaj është marrë me doktoratë në Institutin Politeknik të Berlinit, ku është diplomuar në vitin 1946. Brenda një kohe të shkurtër ka punuar me shkencëtarin dhe konstruktorin Wernher von Braun, përpunimet e të cilit për qëllime ushtarake u dhanë një shtytje serioze shkencave kozmike në botë pas Luftës së Dytë Botërore.
Pas vitit 1948 deri në vitin 1956 Widen Tabakoff ka jetuar në Argjentinë, ku ka punuar mbi krijimin e motorëve reaktivë. Që nga viti 1958 deri në fund të jetës së tij ka punuar në SHBA. Ka marrë pjesë në programin kozmik amerikan, njëkohësisht ka dhënë mësime dhe ka zhvilluar studime shkencore në Universitetin e Cincinnatit të shtetit Ohio.
“Unë vetë duhet të them se u befasova shumë, kur u njoha me dokumentet e veprës unikale të këtij njeriu dhe të jetës së tij të jashtëzakonshme, për të cilën për fat të keq deri para pak kohe në Bullgari nuk dihej pothuajse asgjë” – tha në hapjen e ekspozitës doc. dr. Mihaill Gruev, kryetar i Agjencisë Shtetërore “Arkivat”. “Ne shpresojmë që shoqëria bullgare të mësojë më shumë për këtë njeri të jashtëzakonshëm. Të lindësh në një fshat të vogël ballkanik dhe të arrish larg në Kozmos, deri në teknologjitë më moderne botërore. Ky në të vërtetë është një shembull i vlefshëm për të bërë filma dhe për të shkruar libra dhe të gjithë ne, bullgarët, kemi arsye të krenohemi.”
Ja se çfarë është roli i bashkatdhetarit tonë në programin kozmik amerikan. Prof. Widen Tabakoff është përgjigjur për krijimin e lidhjeve të teknologjisë së lartë, të cilat të jenë rezistuese ndaj temperaturave të larta, si dhe ndaj korrozionit, na shpjegoi Dimitër Popov, kryeekspert në Agjencinë Shtetërore “Arkivat”. Këto lidhje janë momenti kyç në krijimin e raketave mbajtëse, me të cilat dërgohen në orbitë anijet kozmike Apollo dhe në këtë fushë merita e Widen Tabakoff-it është shumë e madhe.
“Puna e tij ka ndihmuar për dërgimin e njeriut të parë në Hënë. I njëjti njeri – Neil Armstrong, më vonë ka dhënë mësime bashkë me prof. Tabakoff në Universitetin e Cincinnatit. Është vështirë të sajohet një histori më e mirë, e cila ilustron lidhjet e forta mes Bullgarisë dhe Shteteve të Bashkuara” – tha në hapjen e ekspozitës Shkëlqesia e Tij Eric Rubin, Ambasadori i SHBA-së në Bullgari, duke shtuar: “Puna me studentët e tij ka qenë jo më pak e rëndësishme. Gjatë karrierës së tij të gjatë ai ka pasur shumë studentë, shumë prej të cilëve kanë arritur suksese të mëdha në fushën e inxhinierisë aerokozmike /.../ Ka një bursë me emrin e tij dhe unë jam i lumtur se Widen Tabakoff-i i ardhshëm, pavarësisht se ku ndodhet tani ai, ose ajo, do të mund të bëjë studime një ditë, të krijojë dhe ta ndërtojë të ardhmen e Bullgarisë.”
Megjithëse veprimtaria e prof. Tabakoff-it në Administratën Kombëtare Aeronautike Hapësinore Amerikane – NASA është sekrete, ai ka mbi 400 publikime shkencore. Profesorit i pëlqente të thonte: Të pensionohesh në moshën 65 vjeç kjo është humbje diturie dhe aftësish. Prandaj ai ka dhënë mësime që deri në moshën 90 vjeçe ndërsa artikulli i tij i fundit është publikuar në vitin 2017, dy vjet pas vdekjes së tij në vitin 2015.
"Prof. Widen Tabakoff mbeti në historinë e shkencës si një studiues i madh në fushat kryesore teknologjike – raketat, aerodinamika, erozioni fluturimet kozmike etj. – thotë D. Popov. Në Universitetin e Cincinnatit ai krijoi një Laborator për studimin e motorëve dhe të dinamikës së gazeve. Që nga viti 2009 ai mban emrin e tij. Në vitin 2014 Widen Tabakoff u shpall profesor nderi i NASA-s. Shumë pak specialistë të natyralizuar në SHBA kanë marrë një respekt të tillë."
Ekspozita është organizuar me përkrahjen e fondacionit “Vizioni për rritje shkencore dhe teknologjike” dhe mund të shihet deri në datën 8 tetor.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: NASA, Arkiva Qendrore Shtetërore dhe Veneta Pavllova
Muzeu Historik Kombëtar feston 130-vjetorin e lindjes së mbretit Boris III me ekspozitën “Mbreti Boris III. Një personalitet dhe burrë shteti”. Ajo do të hapet sot, 3 tetor, në hollin qendror të muzeut. Ekspozita do të prezantojë, sipas rendit..
Koka e një statuje është zbuluar gjatë gërmimeve në kanalin e madh të qytetit antik të Heraklea Sintika. Ajo është e statujës që u zbulua disa ditë më parë dhe tani është në muzeun e Petriçit që të studiohet nga restauruesit. “Kjo verë ishte..
Më 22 shtator 1908 u shpall Pavarësia e Bullgarisë. Pas aktit më të guximshëm të pavarur në historinë bullgare - Bashkimit të Rumelisë Lindore dhe Principatës së Bullgarisë, bullgarët demonstruan edhe një herë fuqinë e unitetit dhe besimin në forcat e..
Në vitin 1847, në familjen e Hristo Ivanov Bankovit - një njeri i urtë nga një familje e vjetër dhe mjeshtër i të ashtuquajturave “eminii”..