Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Natura 2000 krijon kushte për biznes të suksesshëm

Para viteve kur rrjeti ekologjik evropian Natura 2000 hyri në fuqi një pjesë e bullgarëve, duke përfshirë këtu dhe politikanët, e pranonin atë më shumë si një pengesë, sesa si një premisë për biznes të suksesshëm. Pavarësisht skepticizmit ekspertët në fushën e ekologjisë, të bashkuar në programin bullgaro-zviceran “Ta lidhim ruajtjen e natyrës me zhvillimin e qëndrueshëm të rajoneve rurale” arritën të zhvillojnë dhe të tregojnë mundësitë ekonomike, të cilat i ofron rrjeti.

Pak nga pak ndërmarrjet e afaristëve vendas që punojnë në përputhje me idenë për mbrojtjen e natyrës të rrjetit evropian, i gjallëronin disa fshatra në pjesën Qendrore dhe Perëndimore të malit Stara Pllanina. Atje, ku sikur koha është ndaluar dhe natyra nuk është dëmtuar nga veprimtaria e njeriut, ndodhen fermat e Julia Stojanovës në fshatin Ginci dhe të Desisllava Vërbanovës në fshatin Bllagovec.


“Rajoni është shumë i pastër, kullotat janë plot me bimë mjekësore, për këtë arsye cilësia e prodhimit është e lartë. Ne rritim lopë dhe dele. Në fshatin Ginci, ku ndodhet ferma jonë kam dhe një dyqan. Shes kos, kaçkavall, djathë, gjizë. Po të them të vërtetën, për të filluar këtë biznes, njeriu duhet të jetë guximtar, sepse mungojnë punëtorë” – shpjegoi Julia Stojanova.

“Ky është problemi më i madh” – shtoi Desisllava Vërbanova. –“Mbajmë përgjegjësi për çdo gjë – edhe në treg, edhe në fermë. Dhe mbështetemi vetëm tek vetja jonë”.

I mbështetet vetvetes dhe Teodor Pushkarov nga fshati Meljane (Bullgari Perëndimore), i cili ka 150 koshere në zonën perëndimore të malit Stara Pllanina, të quajtur “Ballkani Perëndimor”, e cila është pjesë e rrjetit Natura 2000. Bletaria për të është mënyrë e jetesës:


"Tërë jeta ime është lidhur me këtë punë. Gëzohem se jetoj në këtë zonë, sepse rajoni është i pastër. Por nga ana tjetër kjo pjesë e vendit është tepër e shpopulluar dhe po të kesh nevojë për ndihmë, nuk ka se kush të të ndihmojë. Pavarësisht nga kjo më pëlqen që të jetoj dhe të punoj këtu."

Për të pasur rritje ekonomike në këto rajone, nuk duhet të ketë pengesa para bujqësisë ekologjike.

“Ideja e rrjetit Natura 2000 dhe e programit për zhvillimin e rajoneve rurale është që në të vërtetë t’u ofrohet ndihmë njerëzve, të cilët kanë nevojë për mbështetje dhe financim për zhvillim në këto rajone, ku nuk mund të zhvillohet asnjë veprimtari tjetër ekonomike” – tha Rosen Vasilev nga fondacioni bullgar “Biodiversiteti” (partner në kuadrin e programit bullgaro-zviceran). – ndërmarrjet në rajonet e Natura 2000 kontribuojnë për ruajtjen e diversitetit biologjik dhe janë një mundësi shumë e mirë për zhvillim në kuadrin e rrjetit dhe jashtë tij."

Falë rrjetit fermerët, të cilët zotërojnë dhe përpunojnë tokë në të, marrin nga 12 leva (6 euro) subvencionim evropian për dynym, pa pagim suplementar nga ana e shtetit. Ndër këta bujq është Petër Georgiev nga fshati Isperihovo (Bullgari Jugore), i cili përpunon tokë në një zonë të mbrojtur.


“Rajoni është shumë i pastër. Toka është pjellore dhe ofron mundësi për zhvillimin e aktivitetit bujqësor. Vendi ndodhet në një luginë të rrethuar me kodra (në qarkun e qytetit Pazarxhik). Toka gëlqerore, bashkë me shtresën e humusit, ofron kushte shumë të përshtatshme për rritjen e një varieteti vendas të rrushi mavrud, karakteristik për këtë rajon që nga kohërat e paraardhësve tanë – trakët. Me ndihmën e Shoqërisë Bullgare për Mbrojtjen e Shpendëve përpunuam një projekt për krijimin e kopshtit tim. E kultivoj në mënyrë speciale me qëllim që të ndihmoj zhvillimin e citelit evropian (Spermophilus citellus). Ai është pjesë e rëndësishme e zinxhirit ushqimor të shpendëve grabitqarë.

Njerëzit, të cilët merren me bujqësi ekologjike në Bullgari kanë shumë probleme të lidhura me pengesat administrative dhe ndryshimet legjislative, të cilat po hartohen. Dhe në fakt puna e tyre është tepër e vështirësuar. Kohët e fundit disa nga kompanitë që japin certifikata për veprimtarinë e tyre, ngelën pa licenca dhe kjo sipas njerëzve që punojnë në këtë sektor nuk është në favor të cilësisë së prodhimit të tyre. Qindra prodhues bujqësorë janë në gjendje të keqe financiare dhe bile janë para falimentimit për shkak të pagimeve të vonuara. Përveç kësaj Ministri i bujqësisë dhe ushqimeve Neno Dimov insiston për ndryshime legjislative, të cilat do të pakësojnë zonat e mbrojtura nga rrjeti Natura 2000. Të gjitha këto gjëra u bënë arsye për protesta të pronarëve të fermave të vogla dhe të mesme, të cilët punojnë në mënyrë ekologjike.

Përgatiti në shqip: Jordanka Ivanova

Foto: bioferma.org dhe Darina Grigorova



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Konfederata e Punës “PODKREPA” kritikoi ashpër projektin për ndryshime në Kodin e Punës

Konfederata e Punës “PODKREPA” kritikoi ashpër projekt-amendamentet në Kodin e Punës të përgatitur nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, sipas të cilave rritja e pagës minimale lidhet vetëm me inflacionin. Në një deklaratë të përhapur, sindikata..

botuar më 24-11-12 7.44.MD
Stanisllav Popdonçev

Biznesi është i shqetësuar se kriza politike po pengon zhvillimin e vendit

Prioritetet kryesore të biznesit – anëtarësimi në Eurozonë dhe Shengen me bazë tokësore, mbeten në plan të dytë. Ata janë motorët që mund t'i japin një shtysë ekonomisë dhe mungesa e një qeverie të rregullt i pengon ato të arrihen, tha për BNR..

botuar më 24-11-12 10.45.PD

“Lukoil” mohoi se është duke negociuar me një konsorcium për shitjen e rafinerisë në Burgas

Pas publikimit në "Financial Times" se kompania ruse "Lukoil" po përgatitet t'i shesë rafinerinë në Burgas të Bullgarisë një konsorciumi kataro-britanik deri në fund të vitit, kompania lëshoi një qëndrim zyrtar. Në një letër për mediat, pronari i rafinerisë..

botuar më 24-11-07 3.09.MD