Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Paraskeva Nikolau nga Varna ka ndërtuar spitalin e parë te ne me mjete të dhuruara

Në bulevardin “Primorski” në Varna tashmë 150 vjet ngrihet një godinë e madhe, e cila tërheq vëmendjen e kalimtarëve me madhështinë dhe bukurinë e vet. Në këtë ndërtesë solide dikur ka funksionuar spitali i parë i ndërtuar me mjetet e bamirësit Paraskeva Nikolau.

“Kemi shumë pak informacion për Paraskeva Nikolau – thotë docentja Klara Dokova nga Universiteti i Mjekësisë në Varna. – Ai ka lindur në fillim të shekullit të XIX në familjen e Nikollës – një tregtar që ka bërë tregti me Stambollin dhe Odesën. Paraskeva i ri e ka trashëguar biznesin e babait dhe e ka zhvilluar me sukses. Më vonë ka banuar dhe punuar kryesisht në Odesë, ku është bërë i njohur për veprimtarinë e tij bamirëse. Për këtë shkak është bërë qytetar nderi në Odesë, por nuk e ka harruar kurrë qytetin e lindjes.”

Më 30 janar 1858 në prani të disa tregtarëve të shquar nga Odesa, të një mjeku dhe një prifti Paraskeva Nikolau nënshkroi testamentin e vet. Katër vjet më vonë ua dërgoi shokëve të tij të ngushtë, të cilët duhej të plotësonin dëshirën e tij të fundit – ndërtimi i një spitali për kurimin e jetimëve, pleqve dhe njerëzve me probleme mentale. Vetë ai e zgjodhi krahinën “Shën Ilia”, ku të ndërtohet spitali bashkë me një farmaci dhe shtëpi për mjekët dhe ndihmësit, si dhe një park i vogël, ku të shëtitin të sëmurët. Ai kërkoi gjithashtu që të mbillen mana (Morus), për të shumëzuar krimba mëndafshi, që të sigurohen në këtë mënyrë mjete financiare për mirëmbajtjen e spitalit.   

Paraskeva Nikolau ka lënë dhe një rregullore prej 24 faqesh për administrimin e spitalit. Sipas dokumentit mjeku duhet të ketë doktoratë të mjekësisë, ndërsa farmacisti – diplomë të farmacisë; mjeku është i detyruar të raportojë me shkrim çdo vit para udhëheqjes së spitalit. Mjeku nuk ka të drejtën “të marrë para, ose dhurata nga të sëmurët”. Të gjithë në spital mjekohen falas, pavarësisht nga feja, kombësia, ose seksi i tyre.  

Spitali, me 18 shtretër dhe personel prej 8 vetash, u hap në vitin 1869 – shtatë vjet pasi Paraskeva Nikolau u nda nga jeta.  

Në testamentin e vet bamirësi më i madh i Varnës ka dhënë akoma një shumë të madhe (50 mijë rubla të argjendta), këtë herë për ndërtimin e një kishe.

Gjatë një udhëtimi deri në Odesë ka pasur stuhi. Në mes të detit të trazuar Paraskeva Nikolau i trembur i ka drejtuar lutje Shën Nikolla Çudibërësit, duke premtuar se po të mbetet i gjallë do të ndërtojë si shenjë mirënjohjeje një tempull. Kisha “Fjetja e Shën Mërisë” është ndërtuar në vazhdim të 11 viteve nga mjeshtri Janko Konstandi nga Varna. Edhe sot e kësaj dite në narteksin e tempullit ruhet imazhi i bamirësit.  

“Paraskeva Nikolau ka bërë akoma dy vepra fisnike– vazhdon tregimin e vet doc. Klara Dokova. – Ai u ka lënë para për bursa fëmijëve nga Varna, për të mësuar tregti dhe shkenca të tjera në Athinë. Pikërisht me një bursë të tillë shkrimtari dhe poeti i madh grek Kostas Varnalis ka mbaruar filozofi në Universitetin e Athinës. Paraskeva Nikolau ka dhënë para edhe për pajat e vajzave-jetime – një gjest fisnik në atë kohë.  

Bujaria dhe fisnikëria e tregtarit nga Varna mbahen mend edhe sot e kësaj dite. Në qytetin e tij të lindjes ka rrugë që mban emrin e tij, ndërsa në godinën e spitalit të tij ndodhet Muzeu i vetëm në Ballkan i Historisë së Mjekësisë. Në tempullin “Shën Nikolla Çudibërësi” besimi i fortë po vazhdon t’i ndihmojë besimtarët edhe sot e kësaj dite.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: libvar.bg dhe medmuseum.bg



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Shën Dhimitri i Selanikut - mbrojtësi shpirtëror i qytetit Vidin

Më 26 tetor, Kisha jonë nderon kujtimin e Shën Dëshmorit të Madh Dhimitri të Selanikut, i konsideruar si një nga shenjtorët më të mëdhenj të Ortodoksisë. Në vendin tonë emri i tij lidhet edhe me rivendosjen e Mbretërisë së Dytë Bullgare në shekullin..

botuar më 24-10-26 6.55.PD
Prof. Nikollaj Ovçarov

Në nekropolin e Perperikonit, arkeologët zbuluan një varr të dytë të një "vampiri"

Gjatë gërmimeve të fundit arkeologjike në qytetin shkëmbor Perperikon, u zbulua varri i një të ndjeri, me rituale kundër vampirëve të kryera në trup, tha për BTA kreu i hulumtimeve, Prof. Nikollaj Ovçarov. Gjetja shfaqet mes pothuajse 250 varreve dhe..

botuar më 24-10-23 5.05.PD
Romain Gary (1914-1980)

Shkrimtar, diplomat dhe humanist - Romain Gary dhe jehona e qëndrimit të tij në Bullgarinë e pasluftës

Shkrimtar, hero i Luftës së Dytë Botërore, aviator, gazetar, regjisor dhe diplomat - personaliteti i Romain Gary (1914-1980) është shumështresor dhe enigmatik. Dhe Bullgaria zë një vend të veçantë në jetën dhe veprën e një prej autorëve francezë më të..

botuar më 24-10-21 2.05.MD