Zëvendëskryeministrja dhe Ministre e Punëve të Jashtme Ekaterina Zaharieva ripohoi përkrahjen e Bullgarisë për integrimin evropian të Shqipërisë gjatë bisedimeve me homologun e saj shqiptar Gent Cakaj në Ministrinë bullgare të Punëve të Jashtme.
“Bullgaria do të bëjë çmos, që ta përkrahë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Tani për tani po vazhdojmë të mendojmë se do të jetë gabim, në qoftë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndahen në procesin e negociatave. Shqipëria bëri hapa të rëndësishëm në këtë drejtim gjatë zhvillimit të reformave”, tha Ministrja e Jashtme bullgare.
Integrimi Evropian i Shqipërisë dhe mundësitë për aktivizimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e bashkëpunimit, ekonomisë dhe turizmit ishin tema kryesore gjatë bisedimeve, bëri të ditur MPJ-ja bullgare.
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë Gent Cakaj njohu Ekaterina Zaharievën me zhvillimin e reformave dhe e falënderoi vendin tonë për përkrahjen e vazhdueshme në rrugëtimin e Shqipërisë drejt negociatave për anëtarësim në BE, si dhe për rolin e Bullgarisë për kthimin e Ballkanit Perëndimor në rendin e ditës të Evropës.
Ministri shprehu mirënjohjen e Shqipërisë për rolin tonë në Procesin e Berlinit dhe për përpjekjet e Bullgarisë për integrimin evropian të vendeve nga Ballkani Perëndimor. Ai vlerësoi lart edhe samitin e pritur në Sofje BE-Ballkani Perëndimor gjatë muajit nëntor, duke nënvizuar se Shqipëria i ka zbatuar të gjitha kërkesat, përfshi këtu dhe faktin se shteti është duke punuar seriozisht mbi reformën në sistemin gjyqësor.
Ekaterina Zaharieva i vlerësoi lart përpjekjet e Shqipërisë gjatë disa viteve të fundit në zhvillimin e reformave. “Ju falënderoj se duke e miratuar Ligjin për mbrojtje të pakicave kombëtare ju e njohët gjatë vitit 2017 pakicën bullgare në Shqipëri. Ky gjithashtu ishte një prej hapave të rëndësishëm për BE-në”, tha Ekaterina Zahariva, sipas së cilës me këtë akt iu vu fund një padrejtësie historike.
Ministrja bullgare shprehu shpresë se qeveria e Shqipërisë do të miratojë legjislacionin dytësor sa u përket minoriteteve kombëtare. “Kjo që është shumë e rëndësishme për Bullgarinë është e drejta e qasjes në mësimin e gjuhës amtare të bullgarëve në Shqipëri. Jemi gati ta ndihmojmë këtë proces edhe me materiale, edhe me mësues”, tha Ministrja e Jashtme Bullgare.
Bullgaria siguron përkrahje për qytetarët dhe institucionet në Shqipëri edhe në kuadrin e Ndihmës Zyrtare për Zhvillim. Në Shqipëri, në një rajon të populluar kryesisht me bullgarë etnikë, realizohet edhe projekti më i madh në kuadrin e Ndihmës bullgare Zyrtare për Zhvillim – ndërtimi i një rruge të asfaltuar midis qytetit Bilisht dhe fshatit Vernik me vlerë 1 125 561 leva (rreth 562 780 euro).
Një maqedonasе bëhet zëvendëssekretarе е përgjithshmе е NATO-s Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte emëroi Radmila Shekerinska nga Maqedonia e Veriut si zëvendëssekretare të përgjithshme të Aleancës. "Jam i lumtur të njoftoj emërimin e..
Pothuajse një muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 27 tetorit, Legjislatura e 51-të të Kuvendit Popullor ende nuk mund të fillojë punën sepse përfaqësuesit e popullit nuk mund të zgjedhin të parin mes të barabartëve. Ngërçi politik në..
Përfshirja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut duhet të bëhet me "efekt të vonuar" - pasi vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska ia bëri këtë propozim kreut të shtetit Rumen Radev në..