Më 2 gusht mbushen 119 vjet nga shpërthimi i Kryengritjes së Ilindenit. Ajo ishte rezultat i reagimit të ashpër nga ana e popullit bullgar ndaj vendimit të Fuqive të Mëdha (Britania e Madhe, Austro-Hungaria, Rusia, Franca, Gjermania, Italia) që krahinat e Maqedonisë dhe Trakisë Jugore të mbeten në kufijtë e Perandorisë Osmane pas përfundimit të Luftës Ruso-Turke, e cila çoi në Çlirimin e Bullgarisë. Lufta kundër këtij vendimi të miratuar në Kongresin e Berlinit të vitit 1878, mori një karakter të organizuar me krijimin e Organizatës së Brendshme Revolucionare të Maqedonisë dhe Edrenesë (VMORO) në Selanik dhe të një rrjeti të dendur komitetesh revolucionare të popullsisë bullgare atje.
10 vjet pas krijimit në vitin 1903, Organizata e Brendshme Revolucionare e Maqedonisë dhe Edrenesë (VMORO) vendosi se kishte ardhur koha për një kryengritje kundër Perandorisë Osmane. Pas debateve ndërmjet prijësve nëse kryengritja duhej bërë si luftë partizane, siç donte Goce Dellçevi, mbizotëroi mendimi për kryengritje të përhershme të mbarë popullit.
I pari dhe në masë u ngrit Rrethi Revolucionar i Manastirit, pastaj u përfshin rajonet Lerinsko, Kostursko (në Greqinë e sotme), Ohri dhe Kirçevsko (sot brenda kufijve të Maqedonisë së Veriut). Në Krushevë u shpall një republikë, në administratën e së cilës u ftuan të marrin pjesë përfaqësues të çdo bashkësie etno-fetare të qytetit - bullgare, greko-romake dhe vllahe. Edhe pse zgjati vetëm 10 ditë - nga 3 deri më 13 gusht 1903, u konsiderua si suksesi më i madh i kryengritjes.
Lëvizja revolucionare u zgjerua në rrethin e Selanikut drejt Strumicës dhe në rajonin e Shkupit. Më 18 gusht – Ditën e Shpërfytyrimit të Krishtit, u shpërthye kryengritja e bullgarëve në Trakinë e Edrenesë. I fundit që u përfshi, më 27 shtator - Ditën e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë, ishte Distrikti Serski (sot territori i tij është brenda kufijve të dy vendeve - Bullgarisë dhe Greqisë).
Më 17 shtator 1903, shtabi i kryengritjes i kërkoi Sofjes t’i shpallte luftë Turqisë. Nën presionin e Fuqive të Mëdha dhe kërcënimin e sulmit nga fqinjët e saj, Bullgaria, e cila nuk ishte gati për luftë, shprehu vetëm protesta diplomatike kundër dhunës ndaj popullatës kryengritëse bullgare.
Në dy muaj, mbi 26 000 kryengritës zhvilluan 289 beteja në Maqedoni dhe Traki kundër ushtrisë prej 350 mijë vetash të Sulltanit. Viktimat ishin të shumta. Mbi 200 fshatra dhe qytete u dogjën. Mbi 30 000 njerëz po ikën në Bullgari.
Në librin e famshëm “Luftërat çlirimtare të Maqedonisë”, pjesëmarrësi në kryengritje Hristo Siljanov shkruan: “Kryengritja në rajonet Manastir dhe Edrene ishte masive. I gjithë kombi u ngrit në këmbë dhe e lidhi fatin e tij - jetën, pronën dhe nderin - me rrugëdaljen e luftës. Asnjë kryengritje tjetër në Ballkan nuk kushton kaq shumë shkatërrime dhe sakrifica të pafajshme njerëzore në një kohë kaq të shkurtër. Përballë maqedonasve kryengritës, Turqia pa mishërimin më të plotë të rebelimit bullgar. Kjo është arsyeja pse trimëria e Ilindenit nuk është vetëm pika më e lartë e tensionit luftarak në Maqedoni, por edhe një haraç shpengues për aspiratën e përbashkët bullgare për liri.”
Përvjetori i këtyre ngjarjeve historike është një rast që e gjithë Bullgaria të përkulet para trimërisë së luftëtarëve për një jetë të lirë. Lidhur me këtë në vendin tonë bëhen homazhe dhe vendosen kurora me lule.
Për herë të parë pesë vjet më parë, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut bënë homazhe për heronjtë e vitit 1903. Kjo ndodhi një ditë pasi të dy vendet nënshkruan Marrëveshjen historik të Fqinjësisë së Mirë (rezultat i negociatave 18 vjeçare). Atëherë delegacionet e udhëhequra nga kryeministrat e të dy vendeve vendosën kurora së bashku përpara sarkofagut të Goce Dellçevit në oborrin e Kishës “Shën Spas” (Ngjitja e Zotit tonë në qiell) në Shkup.
Pritjet se simbolika e fortë e këtij akti do të ndikonte pozitivisht në marrëdhëniet dypalëshe dukej se nuk ishin plotësisht të justifikuara. Për shkak të dallimeve ideologjike, dialogu midis historianëve të të dy vendeve nuk çoi kurrë në kremte masive të përbashkët të ngjarjeve historike, përfshirë Kryengritjen e Ilindenit-Shpërfytyrimi.
Në fqinjin tonë jugperëndimor, 2 gushti lidhet me një tjetër ngjarje të paharrueshme të njohur si “Ilindeni i Dytë”, që ndodhi katër dekada pas Kryengritjes heroike në Ballkan. Tubimi i ASNOM – “Kuvendit Antifashist për Çlirimin Popullor të Maqedonisë” u shpall kryengritja “e re” e Ilindenit. Ai u mblodh në Manastirin “Shën Prohor Pçinski” më 2 gusht 1944. Në këtë territor të kontrolluar nga partizanët serbë u mblodhën 60 nga 115 përfaqësuesit e planifikuar të së majtës maqedonase, për të cilët nuk dihet se si u zgjodhën. Nën syrin vigjilent të emisarëve të Titos, në prani të inteligjencës ushtarake të sjellë posaçërisht nga SHBA dhe Britania e Madhe, komunistët vetë u deklaruan si pushtet legjislativ dhe ekzekutiv. Ata shpallën se Maqedonia e Vardarit po bashkohet me Jugosllavinë e Titos dhe se do të krijohet një gjuhë maqedonase. Për thelbin e Maqedonisë së re jugosllave flet edhe fakti se takimi u hap me interpretimin e përbashkët të himnit të VMRO-së (pasardhës i VMORO-së), këngës “Ngrihu agimi i lirisë”. Në vitin 1948, ky marsh i revolucionarëve maqedonas u ndalua në Republikën Popullore të Maqedonisë si fashist.
Sot në Shkup dëgjohen ende zëra pakënaqësie se Bullgaria vazhdon të kremtojë Kryengritjen e Ilindenit të vitit 1903. Pa e kontestuar realitetin e “Ilindenit të dytë”, vendi ynë mbron qëndrimin se kombi modern maqedonas u dekretua më 2 gusht 1944, i cili shënohet nga fqinjët tanë. Por meqenëse heronjtë dhe viktimat e vitit 1903 janë të përbashkëta, a nuk duhet sot t’i nderojnë bashkë bullgarët dhe maqedonasit?
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: BGNES, Ivo Ivanov, arkiv
Arkeologët bullgarë vazhdojnë studimin e nimfeumit të lashtë (vend i shenjtë i nimfave), zbuluar në kompleksin "Aquae Calidae" pranë Burgasit. Nimfeu zë një vend qendror në banjot e dikurshme romake dhe ka qenë pjesë e një shatërvani me mbishkrim..
Një tempulli trak nga shekulli III para Krishtit pa analog në vendin tonë mund të shndërrojë 10 hektarë të zonës "Jug" ("Juzhen") të Plovdivit në një park arkeologjik. Vendi ndodhet në bazën e Tumës së Madhe, të cilën një ekip i Muzeut..
Gjetje të vlefshme dhe unike arkeologjike u zbuluan gjatë gërmimeve në fshatin Kapitan Petko Vojvoda të rrethit të Topollovgradit, raportoi BTA. Arkeologët e udhëhequr nga Daniella Agre kanë gjetur një varr të mundshëm të një aristokrati trak me..
Revolucionari i madh Ljuben Karavellov (1834-1879), shkrimtar dhe publicist i Rilindjes sonë, ka lënë një gjurmë të thellë në letërsinë bullgare si prozator,..