Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

150 vjet nga vdekja e Vasill Levskit

Monumenti i Apostullit në Sofje - një vend për nderim kombëtar

10
Foto: BGNES

Çdo vit, rreth datës 19 shkurt, monumenti i Vasill Levskit në qendër të Sofjes mbulohet me lule. Burra shteti dhe njerëz të zakonshëm, trashëgimtarë të Levskit dhe adhurues të tij, shprehin solemnisht respektin e tyre për jetën dhe veprën e heroit kombëtar.

Më pas jeta po vazhdon dhe mbetet vetëm monumenti, i cili fizikisht na kujton guximin dhe çmimin e lirisë sonë. I vendosur në një nga kryqëzimet më të ngarkuara të kryeqytetit, monumenti është një simbol i vetëmohimit në emër të Atdheut. Çdo ditë!

“Monumenti është një vend i dashurisë popullore, një vend ku njerëzit shprehin dashurinë dhe respektin e tyre për Apostullin në mënyrë spontane. Kështu ka qenë që nga Çlirimi, prandaj lindi ideja e krijimit të tij. Ky është monumenti i parë i ndërtuar për nder të një heroi bullgar në Bullgarinë e lirë", tha për Radio Bullgarinë Dr. Ilija Meçkov, ekspert kryesor në Departamentin e Pasurive të Paluajtshme Kulturore në Muzeun Historik Rajonal të Sofjes.

Vendimi për ngritjen e tij u mor më 6 gusht 1878 nga Këshilli Bashkiak i sapoformuar i Sofjes, vetëm pesë muaj pas nënshkrimit të Traktatit të Paqes të San Stefanos më 3 mars. Kryetari i Komunës së Sofjes në atë kohë ishte Dimitër Haxhikocev. Sipas planeve fillestare, monumenti duhej të ngrihej për 20 ditë në vjeshtë, disa metra larg vendit ku u var Vasill Levski në vitin 1873. Në fakt, kaluan 17 vjet dhe u shpenzuan më shumë se 75 mijë leva ari, tregon Dr. Meçkov.

Monumenti u ndërtua sipas projektit të arkitektit të parë të qytetit të Sofjes - çekut Adolf Vaclav Kolar. Ai është autor i disa prej godinave më të bukura në Sofje të ndërtuara menjëherë pas Çlirimit. Monumenti është ndërtuar në stilin neoklasik karakteristik të Kolarit. Është një obelisk tipik që daton në epokën romake, një formë karakteristike për monumentet civile, për monumentet funerale për personat e shquar. E veçanta është se fillimisht Kolar kishte një projekt të ndryshëm, të cilin e ndryshoi me kalimin e kohës. E vërteta është se sipas standardeve arkitekturore të kohës, monumenti duket pak i çuditshëm, sepse ideja origjinale e Kolarit ishte që në vend të trupit piramidal në krye të monumentit të vendosej një kryq ortodoks rus në një gjysmëhënës, si shprehje e fitores së Rusisë mbi Perandorinë Osmane. Në shumë vende të qytetit tonë ka simbolikë të ngjashme, p.sh. Kisha Ruse, por për shkak të rrezikut të një skandali diplomatik me Turqinë, që ishte sovrani ynë, administrata e qytetit hoqi dorë nga një ide e tillë. Pas kësaj, u propozua, nëse do të kishte më shumë fonde, për të bërë një statujë bronzi të Vasill Levskit - kjo nuk ndodhi dhe pas shumë peripecive monumenti mori pamjen e tanishme."

Monumenti i sotëm përbën një korpus dypjesësh me lartësi përafërsisht 13 metra, i bërë prej graniti ngjyrë gri, pjesërisht i lëmuar, pjesërisht jo. Është vetëm një metër më i ulët se monumenti më i madh i Vasill Levskit - ai në qytetin Loveç, i inauguruar në 1964. Pjesa kryesore e kolonës është vepër e gurgdhendësit italian Abramo Peruchelli, dhe stolitë skulpturore - e çekut František Novak. Portreti qendror me basoreliev prej bronzi i Apostullit është bërë nga austriaku Rudolf von Weyr, veprat e të cilit përfshijnë monumentin e Johannes Brahms në Vjenë. Veprat e skulptorit të famshëm mund të shihen kryesisht në Vjenë.

“Besohet se imazhi i fytyrës së Levskit është një nga më të mirët nga të gjitha skulpturat bullgare në përgjithësi - shpjegon dr. Ilija Meçkov. - Një kopje e tij mund të shihet më nga afër në Muzeun Historik Kombëtar në Sofje. Është realizuar në bazë të dy fotove autentike të Levskit, të cilat konsiderohen si më të mirat dhe më autentiket e imazhit të tij. Është bërë në Vjenë” – tregon historiku.

Mungesa e fondeve shtetërore në vitet kur pamja e kryeqytetit “përmirësohej intensivisht” dhe organizimi i dobët e ndaluan disa herë ndërtimin. Që në vitin 1884 u krijua një komision i posaçëm për të rinovuar punimet për ndërtimin e monumentit dhe ai u përfundua. Inaugurimi zyrtar u bë më 22 tetor 1895. Një nga legjendat urbane thotë se eshtrat e Apostullit u transportuan dhe u futën në themelet e monumentit. Në vitet 1938-1941 nën monument u bënë gërmime, të cilat nuk zbuluan asgjë.

“Për ne bullgarët kjo është një çështje shumë traumatike. Ka njëfarë misteri (rreth lipsanave të Vasill Levskit - red.), megjithëse edhe kombe të tjera kanë "humbur" heronjtë e tyre, si varri i Servantesit në Madrid. Ndoshta trashëgimia shpirtërore është më e rëndësishme se reliket materiale” – beson doktor Ilija Meçkov.

Historiani vëren se përveç monumentit të madh që njohim, ka edhe disa të tjerë në Sofje. Ato janë të vendosura në vende të lidhura me momente të veçanta biografike të jetës së Levskit dhe veprimtarisë së tij në komitetet revolucionare në Fushën e Sofjes.

Një pllakë përkujtimore është vendosur gjithashtu para hyrjes së Galerisë Kombëtare të Arteve, godina e Konakut para Çlirimit, ka një basoreliev prej bronzi në fasadën e Pallatit të Telefonit dhe një bust - monument në Rrugicën e Bullgarëve të Shquar në Kopshtin e Borisit. “Fusha e Sofjes, Sofja dhe fshatrat përreth qytetit kujtojnë hapat e Levskit. Ai la gjurmë dhe kujtime të rëndësishme historike këtu në kujtesën e njerëzve” – tha në përfundim historiani bullgar.

Tema është pjesë e një projekti të realizuar me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës, sipas Programit Kombëtar për përkujtimin e 150 vjetorit të vdekjes së Vasill Levskit.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: BGNES



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Një nimfeum i shekujve 1-2 po studiohet nga arkeologët në "Aquae Calidae" pranë Burgasit

Arkeologët bullgarë vazhdojnë studimin e nimfeumit të lashtë (vend i shenjtë i nimfave), zbuluar në kompleksin "Aquae Calidae" pranë Burgasit. Nimfeu zë një vend qendror në banjot e dikurshme romake dhe ka qenë pjesë e një shatërvani me mbishkrim..

botuar më 24-08-31 8.20.PD

Një tempull unik trak në Plovdiv mund të restaurohet plotësisht

Një tempulli trak nga shekulli III para Krishtit pa analog në vendin tonë mund të shndërrojë 10 hektarë të zonës "Jug" ("Juzhen") të Plovdivit në një park arkeologjik. Vendi ndodhet në bazën e Tumës së Madhe, të cilën një ekip i Muzeut..

botuar më 24-08-23 12.16.MD

Arkeologët kanë zbuluar një varrim të pasur të një luftëtari trak të epokës romake

Gjetje të vlefshme dhe unike arkeologjike u zbuluan gjatë gërmimeve në fshatin Kapitan Petko Vojvoda të rrethit të Topollovgradit, raportoi BTA. Arkeologët e udhëhequr nga Daniella Agre kanë gjetur një varr të mundshëm të një aristokrati trak me..

botuar më 24-08-22 5.56.MD