I lindur në Plovdiv, në agimin e tranzicionit demokratik bullgar (1994), Aleksandër Detev u rrit në Sofje, ku u diplomua në Gjimnazin me Mësimdhënien e Gjuhës Gjermane në vitin 2013 dhe më pas shkoi në Vjenë. Atje u diplomua për gazetari dhe komunikim, punoi për disa media bullgare, të krijuara nga bashkatdhetari ynë Ivan Karçev, i cili u largua nga bota jonë në vitin 2021.
Në biografinë e tij profesionale, Aleks regjistroi praktika në BNR dhe në një rubrikë të BNT-së dhe prej rreth katër vitesh është pjesë e seksionit bullgar të “Deutsche Welle” në Gjermani. Me gjithë angazhimet e tij, ai nuk resht së dhuruari zemrën dhe shpirtin për komunitetin bullgar në Vjenë - merr pjesë aktive në nismat e tij dhe në mediat e tij - revistën “Vjena, qyteti ynë”, emisionin radiofonik “Portokalli”, platformat e internetit BGMEDIA.AT dhe BGKONTAKTI.
“Edhe pse komuniteti ynë në Austri nuk është i madh - rreth 30 mijë njerëz, Ivan Karçev bënte transmetime në radio, një herë në disa javë kishim një emision televiziv dhe gjithashtu një revistë që botohej dy herë në vit me një tirazh prej pesë mijë copësh, faqen e internetit BGMEDIA.AT dhe aplikacionin BGKONTAKTI, i cili i lidh bullgarët e sapoardhur me bashkatdhetarët tanë të vendosur tashmë në Austri - mjekë, kontabilistë, avokatë, etj. Nga ana tjetër, këto media krijojnë një bashkësi të shëndetshme në të cilin njerëzit komunikojnë me njëri-tjetrin, shkëmbejnë ide dhe zhvillojnë projekte. Mediat bullgare jashtë vendit kanë dy funksione - të ndihmojnë diasporën dhe t’i prezantojnë sukseset e bullgarëve para auditorit të huaj.”
Në Vjenë organizohen edhe shumë ngjarje të komunitetit. Një nga më të mëdhenjtë është “Së bashku! Dita e Bullgarëve në Austri”.
“Kjo është një ditë informuese për bullgarët, në të cilën ftojmë ekspertë nga fusha të ndryshme. Ata prezantohen para komunitetit dhe japin konsultime falas. Kështu, çdo bullgar i sapoardhur, si dhe kushdo tjetër që ka nevojë për ndihmë, mund të marrë informacion nga një bashkatdhetar.”
Shumica e projekteve që synojnë diasporën bullgare janë vullnetare, megjithëse Aleksandër dhe kolegët e tij gjejnë gjithashtu forma financimi. Për shembull, revista “Vjena, qyteti ynë” shpërndahet pa pagesë, por mbështetet nga reklamat e publikuara në të. Iniciativa “Dita e Bullgarëve në Austri” financohet nga vetë ekspozuesit - bullgarë iniciativë që prezantojnë bizneset e tyre. Komuna e Vjenës gjithashtu përkrah bashkësitë etnike përmes instrumenteve të ndryshme. Megjithatë, pyetja se cili është roli i shtetit bullgar është ngritur prej kohësh.
“Shumë nga botimet e bullgarëve jashtë vendit financohen nga autoritetet vendore dhe shteti bullgar nuk i mbështet në asgjë. Ja një temë për të menduar. Falënderojmë vendet që na kanë pranuar dhe që na ndihmojnë të ruajmë veten, por a nuk duhet që edhe Bullgaria të investojë në komunitetet e saj, në mënyrë që edhe njerëzit që jetojnë jashtë të mund t’i rrisin fëmijët në kulturën e tyre amtare?”- pyet Aleksandër Detev.
Ndryshe, Aleksandër sheh potencial te shteti dhe te bashkatdhetarët e tij. Në dhjetë vitet e fundit pjesën më të madhe të kohës e kaloi në Gjermani dhe Austri, por sa herë që kthehet e sheh ndryshimin.
Vazhdon…
* Intervista u realizua në Izrael gjatë Takimit XVII Botëror të Mediave Bullgare, organizuar nga BTA.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: Arkivi personal i Aleksandër Detevit
Sukseset e Bullgarisë në olimpiadat ndërkombëtare të shkencës për vitin 2024 u mblodhën në ekspozitën "Mendjet fantastike". E hapur me rastin e Ditës së Iluministëve të Popullit në “Urën e të Dashuruarve” pranë Pallatit Kombëtar të Kulturës, ekspozita..
Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT) do të shënojë më 7 nëntor të këtij viti 65 vjetorin e themelimit të tij, njoftuan mediat publike. Këtë ditë, një nga drejtueset e njohura të lajmeve Radina Çervenova do të rikthehet në emisionin qendror “Nëpër botë dhe te..
Në kalendarin e Kishës Ortodokse Bullgare janë edhe tri ditë të veçanta në të cilat besimtarët i luten Zotit dhe japin lëmoshë në kujtim të të dashurve të tyre të vdekur. Këto janë tre Ditët e Gjithë Shpirtrave që shënohen gjithmonë të shtunave para..
105 vjet më parë, më 27 nëntor 1919, në periferinë e Parisit, Neuilly-sur-Seine, u nënshkrua një traktat që i dha fund zyrtarisht pjesëmarrjes së Bullgarisë..
Në BE ka reagime të ndryshme në lidhje me vendimin e presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën të godasë thellë brenda territorit rus me armët e..