Komisioni Evropian e ka shpallur vitin 2023 Vitin e Aftësive për të nxitur mësimin gjatë gjithë jetës dhe për të mbështetur inovacionin. Arsimi dhe inovacioni ishin temat e një dialogu civil javën e kaluar në Sofje me Komisioneren Evropiane për Inovacionin, Kërkimin Shkencor, Kulturën, Arsimin dhe Rininë, Maria Gabriel. Lidhja mes arsimit, inovacionit dhe rritjes ekonomike është e rëndësishme.
Komisioni Evropian ia ka vendosur vetes synimin, me mbështetjen e shteteve anëtare, që deri në vitin 2030 të paktën 60% e të rriturve të marrin pjesë në trajnime çdo vit. Kjo gjithashtu duhet të kontribuojë në arritjen e një norme punësimi prej të paktën 78%. Gjithashtu, parashikohet që të paktën 80% e të gjithë të rriturve të kenë të paktën aftësitë bazë digjitale dhe të ketë 20 milionë specialistë të punësuar në fushën e teknologjive të informacionit dhe komunikimit në Bashkimin Evropian.
Parashikohen investime në programe të veçanta për të garantuar që aftësitë që do të fitohen në shkollat profesionale dhe në institucionet e arsimit të lartë do të plotësojnë nevojat e tregut të punës. Komisionerja evropiane Maria Gabriel njoftoi se duke filluar nga ky vit punohet në dy programe të reja - "Inovatorët në shkollë" dhe për krijimin e inkubatorëve në universitete. Qëllimi i tyre do të jetë që të rinjtë të mësojnë më shumë për sfidat jashtë institucioneve arsimore, të shkëmbejnë përvojë me ata që punojnë në startup dhe të zhvillojnë kureshtjen dhe të menduarit kreativ. Ajo theksoi nevojën për ndërveprim më të ngushtë mes universiteteve dhe biznesit, dhe më tej:
“Programet “Erasmus+”, “Horizont Evropa”, aleancat universitare, Instituti Evropian i Inovacionit dhe Teknologjisë u japin mundësi të rinjve të mbeten në qytetin e tyre, në rajonin e tyre, por nëpërmjet teknologjive të reja të jenë në kontakt, të jenë pjesë e një rrjeti, të kenë shkëmbime, të ofrojë zgjidhje...”
Po punohet edhe për krijimin dhe njohjen e një diplome të përbashkët evropiane, njoftoi gjithashtu komisionerja evropiane Maria Gabriel:
“Brenda një viti ne kemi përzgjedhur tashmë 90 universitete që do të punojnë së bashku për të identifikuar këto kritere që do të pranohen nga të gjitha vendet anëtare dhe do të jenë baza e dhënies së diplomës së përbashkët. Ky do të jetë hapi përpara krijimit të Diplomës Evropiane. Kemi ende shumë pengesa që lidhen me legjislacionin kombëtar. Kjo është forca jonë – jemi 27 anëtarë, por kjo është edhe dobësia jonë, sepse duhet të kapërcejmë barrierat ndërkufitare”.
Në diskutim mori pjesë edhe rektori i Universitetit Teknik në Sofje, Prof. Ivan Krallov, i cili dha detaje të një projekti të përbashkët evropian:
“Fituam projektin për ndërtimin e Universitetit Evropian të Teknologjisë. Në të, së bashku me shtatë partnerë të tjerë - këta janë Universiteti Teknik në Dublin, në Riga, në Troyes të Francës, në Darmstadt, në Cluj-Napoca të Rumanisë, në Kartagjenë dhe në Qipro, ne po ndërtojmë një universitet të së ardhmes, një universitet evropian që do të jetë në gjendje të konkurrojë universitetet më të mëdha në botë. Çdo student, përveçse do të studiojë në këtë univirsitet, për të paktën dy semestra do të bëjë studime edhe në universitetet e tjera të aleancës, ku ka infrastrukturën më të mirë, natyrisht dhe potencialin shkencor. Kështu, duke u diplomuar me një diplomë evropiane, ai do të marrë jo vetëm arsim evropian, por edhe integrimi social, ekonomik dhe kulturor. Për shembull, të diplomuarit bachelor duhet të dinë në nivelin C1 të paktën një gjuhë nga gjuhët e tjera të aleancës, dhe ata që diplomohen për master duhet të dinë të paktën dy gjuhë. Në këtë mënyrë ne do të bëhemi vërtet evropianë të bashkuar, jo vetëm të arsimuar dhe të aftë, por edhe duke vënë në praktikë atë që është detyra jonë”.
Drejtoresha ekzekutive e "Junior Achievement Bulgaria" Milena Stoiçeva foli edhe për disa programe interesante dhe theksoi temat e rëndësishme që janë në rendin e ditës:
“Ne kemi një program që u mundëson studentëve të zhvillojnë startup-in e tyre ndërsa janë ende në shkollë. Ajo që ndodh përmes tij është se studentët mund të jenë krijues të kompanive të tyre ndërsa ata janë ende duke mësuar - të testojnë, të provojnë këto modele. Dhe pasi të lënë shkollën mund të vazhdojnë dhe të krijojnë kompanitë e tyre. Në kuadër të këtij programi zhvillohet një konkurs evropian dhe më pas ai botëror që prezanton arritjet e të rinjve nga e gjithë Evropa. Është disi si çmimet Oskar, ku studentët paraqitin produktet dhe shërbimet e tyre dhe përfaqësojnë vendin e tyre. Unë inkurajoj cilindo prej jush që është i gatshëm të bashkohet me këtë lloj programi. Ato janë të disponueshme në të gjithë sistemin arsimor. Edukimi duhet të na ndihmojë të mendojmë ndryshe, t’i bëjmë një vlerësim kritik çdo situate, të jemi në gjendje të mendojmë në mënyrë analitike dhe të komunikojmë mirë gjithçka që duam t'u paraqesim njerëzve të tjerë."
Me një buxhet prej mbi 26 miliardë euro, programi Erasmus+ gjithashtu mbështet zhvillimin personal dhe profesional të nxënësve dhe studentëve, stafit dhe institucioneve në fushën e arsimit dhe trajnimit profesional, si dhe financon universitetet evropiane. Kryetarja e Komunës së Gabrovos Tanja Hristova theksoi:
“Shkolla nuk ndodh më vetëm në klasë. Ne duhet t'u mundësojmë të rinjve të zhvillojnë aftësi dhe kompetenca kyçe që do t'i përgatisin ata për profesionet që nuk janë të së nesërmes, por tashmë janë profesionet e së sotmes. Ne duhet të bëjmë kështu që shkenca t’i njohë sfidat sociale dhe shoqërore dhe të punojmë së bashku me qytetarët, së bashku me politikanët dhe me pjesën tjetër të rajonit për të kërkuar zgjidhje që do të shndërrohen shpejt në modele konkrete. Para kësaj, ato do të testohen, do të prototipohen dhe sigurisht do të mbështeten nga programet evropiane, të cilat besoj se tani e tutje do të jenë shumë më të fokusuara dhe shumë më të lehta për t'u kuptuar dhe përdorur nga të gjithë ne. Çdo kopsht fëmijësh, jo vetëm çdo shkollë, duhet të ketë një klasë që ofron kushte për formimin e aftësive për t'u përballur me jetën reale, pra mundësitë për të fituar kompetenca kyçe, për të eksperimentuar, për të qenë novatorë, dhe vetëm atëherë do të jemi në gjendje për ta bërë atë që çdo cep i Bullgarisë të jetë tërheqës për të rinjtë, të jetë motivues për novatorët dhe sipërmarrësit që do të punojnë që idetë e tyre të realizohen në biznese të suksesshme."
Mihaill Ballabanov nga Qendra për Zhvillimin e Resurseve Njerëzore foli për programet arsimore evropiane, projektet dhe mundësitë nga të cilat qytetarët bullgarë mund të përfitojnë:
"Programet arsimore evropiane funksionojnë në Bullgari që nga viti 2007. Sigurisht që ne si institucion menaxhojmë drejtpërdrejt disa prej tyre dhe veçanërisht programin më të madh të Bashkimit Evropian për arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin "Erasmus Plus". Ky është programi ynë më i madh. Kemi edhe rrjete të tjera partneriteti evropian që menaxhojmë. Programi i Korpusit të Solidaritetit Evropian, që është një program vullnetarizmi për të rinjtë. Sigurisht, përveç atyre që menaxhon qendra jonë, ka edhe programe të tjera si Horizont Evropa".
Si kontribuon anëtarësimi i Bullgarisë në Bashkimin Evropian në zhvillimin e sektorit të arsimit në vendin tonë dhe si ndihmon BE-ja në thyerjen e modeleve të vjetruara arsimore?
“Sigurisht që sistemi arsimor është konservator dhe është pak më e vështirë të shfaqen praktika të reja në të, por me ndihmën e programeve prej shumë vitesh në Bullgari gjërat po ndryshojnë ngadalë por me siguri. Unë do të thoja se ka disa gjëra që janë të rëndësishme. Programet që ne drejtojmë ndryshojnë me agjendën dhe nevojat që ekzistojnë për sa i përket tregut të punës, njohurive dhe aftësive që duhet të kenë të rinjtë. Një pjesë e tyre janë formuar thjesht nga ana edukative në sistemin arsimor formal, por programet tona, për faktin se përfshijnë edhe sektorin e të rinjve, përshtatin metodat e edukimit informal. Kështu, përveç aftësive thjesht edukative, formohen edhe aftësi digjitale, të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe janë pjesë e programit tonë dhe janë prioritet i lartë në të. Gjithashtu të ashtuquajturat “aftësi të buta transversale”, të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme për të rinjtë që të kenë sukses në sektorë të ndryshëm të jetës publike, si aftësitë e komunikimit, të punës në grup, të zgjidhjes së problemeve dhe të menaxhimit të kohës, të menduarit kritik, aftësitë e vendimmarrjes dhe ato organizative, kreativiteti dhe shumë të tjera. Ato janë të rëndësishme si për gjetjen e një pune dhe për suksesin në tregun e punës, ashtu dhe në të gjitha aktivitetet e tjera në jetën e një personi. Duke marrë pjesë në programet dhe partneritetet tona, shumë mësues, profesorë universiteti, studentë dhe të gjithë ata që janë të përfshirë, formojnë aftësi të tilla, së bashku me aftësitë gjuhësore, që i ndihmojnë ata të transferojnë më pas atë që kanë mësuar dhe përvojën e tyre në punën e institucioneve, në të cilët punojnë, t’i ndihmojnë kolegët e tyre në shkolla, në universitete, në vendet e tyre të punës, gjë që ndikon në mjedisin e përgjithshëm. Nga pikëpamja e metodave moderne arsimore, të tilla mësohen nëpërmjet mobilitetit jashtë vendit dhe partneritetit me institucionet jashtë vendit. Të jesh në gjendje të udhëtosh, të shkëmbesh praktika të mira dhe të fitosh përvojë që më pas mund të sillet në mjedisin e punës me këto aftësi të reja që përmendëm është jashtëzakonisht e rëndësishme për tranzicionin digjital dhe për tema të reja si ndryshimet klimatike, inteligjenca artificiale, robotika, analiza e të dhënave dhe shumë të tjera. Në të njëjtën kohë, për nxënësit, për fëmijët dhe për studentët, kjo është një përvojë shumë e mirë që përveçse u jep njohuri dhe aftësi thjesht arsimore, u jep atyre mundësi për të udhëtuar, për t'u takuar, për të krijuar kontakte dhe partneritete, për të jetuar jashtë vendit në një mjedis tjetër, për t'u adaptuar, për të fituar vetëbesim, për të fituar pak më shumë pavarësi."
Ky material është përgatitur në kuadër të rrjetit radio evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: Përfaqësimi i Komisionit Evropian në Bullgari, BGNES
Ambasada e Francës dhe Instituti Francez i Kulturës mblodhën së bashku shkencëtarët për të prezantuar eksperiencën e tyre mbi sfidat shkencore në Antarktidë dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike. Partnerë të aktivitetit ishin Instituti Polar Francez..
Organizata për mbrojtjen e natyrës WWF - Bullgaria nis fushatën "Abonohu për natyrën". Zhdukja e kafshëve të egra është një film me seri në të cilin ne luajmë rolin kryesor. Në më pak se një jetë njerëzore, 73% e vertebrorëve kanë humbur në natyrë...
Shpesh thuhet me ironi se njerëzit në Maqedoninë e Veriut marrin nënshtetësinë bullgare vetëm për qëllime egoiste. Prandaj, në regjistrimin e fundit zyrtar në shtetin fqinj u regjistruan vetëm 3504. Demografi Doc. Spas Tashev është i bindur se ky nuk..
Instituti për Shkenca Kompjuterike, Inteligjencë Artificiale dhe Teknologji (INSAIT) pranë Universitetit të Sofjes “Shën Kliment Ohridski" vuri në..