Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ekonomia bullgare mbështetet edhe te nxënësit si fuqi punëtore

Foto: Pixabay

115 milionë fëmijë në mbarë botën janë të angazhuar në aktivitete jo të lehta pune dhe shpesh fëmijët janë forca lëvizëse e industrive me të ardhura të larta si përpunimi i metaleve, ndërtimi, tekstilet, prodhimi i baterive për automjetet elektrike. Kjo sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ONP), e cila thekson se problemi prek si vendet e industrializuara ashtu edhe ato në zhvillim e sipër, ndërsa konfliktet ushtarake, krizat dhe pandemia Covid-19 kanë çuar më shumë familje drejt varfërisë, duke detyruar miliona fëmijë të bëhen pjesë e tregut të punës. ONP paralajmëron se puna e fëmijëve ka pasoja negative afatgjata , sepse i privon nga arsimimi dhe, rrjedhimisht, nga mundësitë për të siguruar të ardhura të mira si të rritur.

Në Bullgari, megjithatë, nuk mund të flasim për shfrytëzimin e fëmijëve për punë, sepse puna e të miturve (nën 18 vjeç) është e rregulluar ligjërisht prej dekadash dhe shkeljet sanksionohen rreptësisht nga autoritetet e kontrollit. Puna e fëmijëve është e ndaluar në vendin tonë deri në moshën zyrtare në të cilën arsimi është i detyrueshëm - për Bullgarinë kjo është deri në moshën 16 vjeçare. Prandaj, në këto raste përdoret më gjerësisht rregullorja, ku kërkohet leja e detyrueshme nga Inspektorati i Punës për punësimin e personave nga 16 deri në 18 vjeç. Kusht i rëndësishëm është që punëdhënësi të aplikojë dhe të marrë lejen përkatëse për vendin e punës ku do të punësojë një të mitur i cili sipas rregullores, nuk ka të drejtë të përfshihet në veprimtari të tjera. Pikërisht në këtë vend pune bëhen kontrolle të shpeshta nga Inspektorati i Punës për praninë e stresit apo faktorëve të tjerë të dëmshëm për zhvillimin fizik dhe mendor të punonjësit.

Pavarësisht kërkesave më të mëdha administrative për punësimin e të miturve, interesi për ta si burim në tregun e punës është në rritje, njofton Inspektorati i Punës. Në Bullgari personel i tillë kërkohet shumë në industrinë e hotelerisë, restoranteve dhe tregtisë. Shumica e aktiviteteve në këto vende pune mund të kryhen nga të mitur dhe këtë vit inspektorët raportojnë një kulm të numrit të të miturve të punësuar edhe para fillimit të pushimeve verore.

“Para pandemisë jepnim rreth 9-10 mijë leje në vit dhe tani janë 12 mijë – thekson Dina Hristova-Ignatova, eksperte nga Inspektorati i Punës. Ajo shpjegoi për Radio Bullgarinë se:

“Në maj dhe qershor fillojnë të vijnë kërkesat për leje që të mund të fillohet punë nga korriku kur nisin pushimet. Ka një rritje të madhe të interesit nga sektorët e hotelerisë dhe restoranteve, të cilët u mbyllën në pandemi dhe atëherë nuk kishte kërkesë për të miturit. Interesi tani është rritur të paktën trefish. Megjithatë, kërkimi dhe punësimi i kësaj fuqie punëtore flet pa mëdyshje për një rritje të ekonomisë. Kjo është një shenjë e qartë progresi, sepse në momentet e vështira punëdhënësit mbështeten vetëm te të rriturit.”

E drejta e punës së të miturve, përveç se është e rregulluar në mënyrë rigoroze, mbrohet edhe nga shteti. Për këtë, megjithatë, Inspektorati i Punës këshillon të rinjtë, edhe nëse nuk kanë përvojë, të kërkojnë gjithmonë nënshkrimin e një kontrate me punëdhënësin. Ana administrative është një vështirësi me të cilën mund të përballen adoleshentët, por ata nuk duhet të heqin dorë nga mundësia për të punuar - këshillon psikologu dhe terapisti shkollor Kalin Gaitanxhiev. “Puna ndikon pozitivisht dhe zhvillon psikikën e fëmijës, kështu që fëmijëria nuk e pengon punën dhe puna nuk e pengon fëmijërinë”, theksoi ai në programin “Hristo Botev” të BNR-së.

“Kur puna lidhet me ndjesinë e kuptimit dhe rëndësisë personale, atëherë ajo ka një efekt të pozitiv në psikikën e fëmijëve, krijon një ndjesi suksesi dhe rëndësie tek i riu. Atëherë vjen edhe një tranzicion i qetë dhe i këndshëm nga fëmijëria në rritje."

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Foto: Pixabay, BGNES



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Tregu i pasurive të paluajtshme ngriu

Tregu i pasurive të paluajtshme në Bullgari “ngriu” në nivelet e vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Shoqatës Kombëtare të Pasurive të Paluajtshme, të cituara nga BTA, përjashtim bëjnë qytetet e mëdha, ku ka një rritje të numrit të transaksioneve...

botuar më 24-10-28 9.07.PD

1.6 milionë bullgarë punojnë me paga nën nivelin e jetesës

1454 leva (738 euro) në muaj i nevojiten një personi që punon për të mbajtur veten dhe për të jetuar sipas standardeve bullgare. Për një familje prej tre anëtarësh me dy të rritur dhe një fëmijë, shuma është 2616 leva (1329 euro), sipas Institutit për..

botuar më 24-10-24 1.17.MD

Pikëpamjet e ekspertëve për politikën financiare të shtetit në pragun e një Kuvendi të ri dhe Projektbuxhetin 2025

Pas zgjedhjeve të 27 tetorit, deri në fund të muajit, qeveria e përkohshme duhet të paraqesë në Kuvend Projektbuxhetin për vitin 2025. Sipas disa analistëve ekonomikë në vendin tonë, gjendja e planit buxhetor të shtetit për vitin 2024 ka qenë më e keqja..

botuar më 24-10-24 7.30.PD