Berkovica, një qytet i vogël provincial, i zhytur në gjelbërim, i strukur në këmbët e majës madhështore Kom /2016 m/, ruan ende kujtimin për shkrimtarin Ivan Vazov. Patriku i letërsisë bullgare banonte këtu nga marsi i vitit 1879 deri më 18 shtator të vitit 1880 dhe pranon se kjo ishte një nga periudhat më të frytshme të jetës së tij. Në Berkovica, ai mbante postin e lartë - kryetar i Gjykatës së Qarkut të Qytetit. Para kësaj, ai punonte për ca kohë në Rusçuk si nëpunës. Atje ai u diagnostikua me një sëmundje të mushkërive dhe mjekët i rekomanduan që të ndryshonte klimën e lagësht të Danubit me ajër të pastër malor.
Lexoni edhe:
Kështu, 29-vjeçari Vazov, i cili tashmë ishte një poet i njohur, zgjodhi të vendoset në rrëzë të malit Stara Pllanina. Në atë kohë, Berkovica ishte një qytet artizanal me rrugë të ngushta e të gjata me kalldrëm dhe dy kisha. Poeti i ri u vendos në të ashtuquajturën Shtëpi Ipeklijska. Në të, ai përdorte vetëm dhomën në katin e dytë, e cila ishte më e madhja me gdhendje unike në dru në tavanet dhe dollapët. Sot shtëpia është kthyer në një muze të Vazovit. Hyjmë nga porta e vogël prej druri, kalojmë nëpër një oborr me kalldrëm ku rriten barbarozë dhe buxus.
Në hyrje na pret ciceronia e muzeut - Kalinka Petrova, e cila me emocion të pambuluar tregon për jetën dhe krijimtarinë e Vazovit në qytetin e vogël malor dhe madje reciton me entuziazëm poezitë e tij:
“Në komoditetin e kësaj shtëpie, nën penën e tij, lindin disa nga poezitë e tij më të mira. Do të filloj me poezinë time të preferuar, “Mjedra”:
Prit, o vash, prit për të shikuar
Sytë e tu të kaltër.
Shporta jote është plotë
mjedra të kuqe
me gishtat tuaj rozë
ti e vilje nga agimi
ti e vilje dhe këndoje
në mes të pyjeve malore.
Ai u frymëzua nga vajzat që vilnin mjedra në pyjet përreth qytetit dhe të cilat në mbrëmje ktheheshin me shporta plot mjedër. Ato i përkëdhelnin shpirtin me të qeshura dhe ngacmimet. I dehur nga bukuria dhe puna e tyre e palodhur, Vazov shkroi këtë poezi të bukur, e cila është si një himn i qytetit Berkovica dhe që përcillet brez pas brezi. Këtu ai krijoi disa nga veprat e tij më të famshme, duke përfshirë vjershën “Në Kom”.
Nga këtu syri nuk gjen pengesa.
Universi I zbutur shtrihet para meje.
Shpirti merr frymë me krenari. Nga këto male
mendja për diçka të ndritshme, të madhe synon.”
Poeti i ri ishte magjepsur nga Berkovica, nga natyra e malit Stara Pllanina, nga kontaktet me vendasit. Dhe patjetër ai e gjeti dashurinë:
“Gjatë këtyre 17 muajve të qëndrimit, ai bëhet fizikisht më i fortë, më i shëndoshë, i skuqur, shëtitjet në bjeshkët e malit Stara Pllanina, ajri i pastër, uji i ndikuan mrekullisht! Këtu kishte edhe të dashurën e tij – bukuroshen 19-vjeçare Zihra. Nuk ka asnjë foto të saj, por ishte një vajzë me flokë të zeza dhe sy të zinj. Ajo dinte të fliste bukur dhe sillej me dinitet. Dhe miqësia mes tyre u kthye në dashuri të stuhishme. Duke u nisur më vonë në Plovdiv, ai ia kushtoi asaj poezinë “Zihra” - tregon Kalinka Petrova.
Ivan Vazov konsiderohet gjithashtu themeluesi i turizmit në qytetin Berkovica. Në rrëzë të majës Kom, jo shumë larg kasolles së re “Kom”, ndodhet i ashtuquajturi “Vasov Kamëk” (Guri i Vazovit), nga ku poetit i pëlqente të sodiste hijeshitë e malit Stara Pllanina në rajonin e qytetit Berkovca dhe të frymëzohej.
Në vjeshtën e vitit 1880, patriarku i letërsisë bullgare u largua nga Berkovica dhe u vendos për ca kohë në Plovdiv, ku merrte pjesë aktive në jetën publike të Bullgarisë së pasçlirimit.
Lexoni më shumë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Veneta Nikollova
Fshehur nga vështrimi i turistit masiv, fshatrat e Danubit janë një magnet për adhuruesit e natyrës në kërkim të privatësisë dhe përvojave autentike. Këta udhëtarë zgjedhin fshatra të vegjël bregdetare si Srebërna, Gigen, Vetren, Novo Sello e të tjerë,..
Sofja nuk është ndër kryeqytetet më të vizituara evropiane, por ka shumë për të ofruar - qyteti është modern, duke ruajtur hijeshinë e së kaluarës. Kryeqyteti bullgar është një alternativë e mirë për Parisin dhe Londrën, shkruan edicioni bullgar i..
E vendosur në Rillën Veriperëndimore, në luginën e lumit Maljovica, shtëpia malore "Maljovica" është ndër më të njohurat në mesin e alpinistëve në Bullgari - për pushime, për të ngrënë apo pije freskuese dhe si pikënisje për një sërë majash -..
Tre mediat publike Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT), Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) dhe Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA) u shpërblyen nga Shoqata..