Më 29 tetor në Bullgari do të mbahen zgjedhjet e radhës lokale, në të cilat bullgarët do të zgjedhin kryebashkiakët dhe këshilltarët bashkiakë për vendbanimet e tyre. A do të konsolidojë rezultati përfundimtar i këtyre zgjedhjeve situatën ekzistuese politike apo do të çojë në ndryshime të rëndësishme? Me këtë pyetje Radio Bullgaria iu drejtua Hristina Karageorgievës, bashkatdhetarja jonë, e cila prej vitesh jeton në Holandë, ka diplomë master në marrëdhënie ndërkombëtare dhe shkenca politike në London School of Economics and Political Science, përkthyese dhe ish-redaktore në Redaksinë e Gjuhës Angleze të Radio Bullgarisë, për një vështrim nga jashtë se çfarë po ndodh në vendin tonë. Përgjigja për këtë pyetje sipas saj është e vështirë, sepse pengu është shumë i madh. “Nga këto zgjedhje lokale do të varet shumë, përfshirë edhe të ardhmen e qeverisë”, është kategorike ajo dhe shpjegoi:
“Ju e shihni se lojtarët janë nervozë – nga mënyra se si flasin, si e bëjnë fushatën për zgjedhjet lokale, nga vetë kandidatët. Gjithçka varet nëse "Po e vazhdojmë ndryshimin" - "Bullgaria Demokratike" me kryeministrin e tyre, i cili duket mjaft i suksesshëm në menaxhimin e konflikteve do të jetë në gjendje të përballet taktikisht me bombat e shumta të vendosura nga qeverisjet e mëparshme që po aktivizohen tani. Nëse ia dalin, mund të shpresojnë edhe për një ecuri relativisht të mirë në zgjedhjet parlamentare, kurdo që të jenë”.
Zgjedhjet e mëparshme vendore në Bullgari u mbajtën në vitin 2019. Çfarë ndryshon në ato të ardhshme dhe si mund të lexojmë mesazhet e kandidatëve që do të garojnë për votën e qytetarëve për pushtetin vendor?
“Të folurit politik, si dhe agjenda e kandidatëve, kësaj radhe është veçanërisht e ndikuar nga paraqitja e një lojtari të ri – “Po e vazhdojmë ndryshimin”, të cilët duke dalë në skenën politike deklaruan se janë për shkëputjen nga status quo-ja dhe për ndryshim. Ata arritën t'i largojnë votuesit nga partitë e tjera me kërkesa të ngjashme, për shembull "Ka një popull të tillë". Dhe çfarë ndodhi? Tani edhe partitë e status quo-së nuk mund të qëndrojnë larg këtij diskursi. Prandaj, ata gjithashtu duhet të konkurrojnë me të, në përgjithësi duke përdorur dy mjete. E para, më e ndershme, është të vendosin një agjendë për një ndryshim në të folurin e tyre politik dhe në agjendën e tyre: qoftë në politikën e brendshme - për një shtet më social, qoftë në politikën e jashtme - drejt një pavarësie më të madhe të Bullgarisë në marrjen e vendimeve. Mjeti i dytë, më i papastër, është përpjekja për të njollosur “Po e vazhdojmë ndryshimin” dhe partnerin e tyre të koalicionit “Bullgaria Demokratke” dhe të tërheqin disa nga votuesit që ende e mbajnë erën e protestave”, thotë Hristina Karageorgieva.
Ajo paralajmëron edhe për aktivizimin e rrezikshëm të populizmit radikal revizionist, “i cili premton një kthesë drastike, shkatërrimin e elitës së deritanishme politike”, dhe që arrin të tërheqë një pjesë të konsiderueshme të njerëzve që e konsiderojnë veten viktima të tranzicionit. “Duhet të kuptojmë se të folurit radikal para zgjedhjeve dhe në përgjithësi është toksik për të gjithë shoqërinë tonë”, thekson bashkatdhetarja jonë.
Në 3 vitet e fundit, në shkallë globale, ne kemi kaluar nëpër trazira dhe sprova të shumta që kanë ndikuar në mënyrë të pashmangshme politikën, ekonomitë dhe rrjedhimisht jetën e njerëzve në mbarë botën. A do të ndikojnë në votën lokale faktorë të tillë të brendshëm si protestat e fundit masive të minatorëve dhe faktorë të jashtëm si lufta në Ukrainë, për shembull?
“Mendoj se po, sepse politika lokale nuk mund të ndahet nga politika shtetërore. Nëse flasim për luftërat, ato na imponuan edhe një herë nga jashtë nevojën absolute për të rimenduar gjithçka të papërfunduar në 30 vitet e fundit nga pikëpamja e evolucionit të shoqërisë bullgare nga post-sovjetike në evropiane. Kjo do të thotë edhe transformim energjetik, nëse flasim për minatorët, do të thotë edhe një shtet ligjor, një shkëputje totale nga modeli feudal që po vëzhgojmë në politikën lokale. Gjithçka në këtë evolucion që nuk ndodhi, qoftë për mungesë vullneti politik, qoftë për mungesë gatishmërie publike, qoftë për arsye gjeopolitike, nuk mund të shtyhet më dhe për këtë arsye as pushteti qendror dhe as ai vendor nuk mund ta shpërfillin pa pasoja shumë të rëndësishme për Bullgarinë. “, parashikoi Hristina Karageorgieva në një intervistë për Radio Bullgarinë.
Foto: arkiv personal, BTA, BGNES, knsb-bg.org
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut: Nuk do të devijojmë nga anëtarësimi në BE, por nuk do të pastrojmë këpucë Duke vlerësuar 100 ditët e para të kabinetit të tij, kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski raportoi se qeveria ia ka..
Për momentin nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë për vendin tonë nga përkeqësimi i mprehtë i mjedisit të sigurisë në Lindjen e Mesme - këtë konkluzion të mbledhjes tre orëshe të Këshillit Konsultativ për Sigurinë Kombëtare ua bëri të ditur..
Me dy fluturime të Airbus-it qeveritar brenda dy ditësh, shteti bullgar arriti të evakuojë 169 bullgarë dhe anëtarë të familjeve të tyre që u kthyen në shtëpi nga Libani pas përshkallëzimit të tensioneve atje. 80 bullgarë të tjerë u evakuuan me..