Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Zgjedhjet për pushtetin vendor 2023

Kryebashkiakët mazhoritarë do të qeverisin me këshilla të llojllojshëm bashkiakë

Foto: BGNES

Dy çështje kryesore u ngritën lidhur me raundin e parë të zgjedhjeve për pushtetin vendor. A do të çojë heqja e votimit me makina në prag të votimit në një mobilizim të votuesve për shkak të dyshimeve për një përpjekje për të ndryshuar votën e tyre në minutën e fundit? A do të ketë një zhvendosje të pushtetit në qytetet e mëdha dhe si do të ndikonte kjo në shpërndarjen e pushtetit në nivel kombëtar?

Dita e zgjedhjeve filloi me shpresat e votuesve.

Pritshmëritë e qytetarëve të Vidinit /rajoni më i varfër bullgar/ janë universale:

qyteti Vidin

"Qytet i pastër, rrugë të bukura, sheshe sportive dhe mos vidhni, zonja dhe zotërinj!"

"Të ketë punë, sepse qyteti ynë u shpopullua. Kryebashkiaku i ri të jetë i ndershëm, i sinqertë, i zgjuar, i përgjegjshëm, i ndërgjegjshëm, me vlera... Dhe krijues".


Më pas erdhën politikanët – disa për të pozuar të buzëqeshur para kutive të votimit, të tjerë me mesazhe serioze për votim masiv për të reduktuar ndikimin e mashtrimit zgjedhor. Presidenti Rumen Radev theksoi nevojën për të "rikthyer urgjentisht besimin në procesin zgjedhor". Megjithatë, pjesëmarrja e votuesve në qytetet e mëdha është mjaft e ulët - rreth 37% në kryeqytet. 


Pas shpalljes së përfundimit të ditës së zgjedhjeve, politologëve, sociologëve dhe gazetarëve iu dha fjala për të analizuar votën lokale, e cila u mbajt në rrethana të jashtëzakonshme – pasi votimi me makina u anulua në momentin e fundit.

Përvan Simeonov

“Ka disa gjëra që duhet shënuar - thotë politologu Përvan Simeonov, drejtor ekzekutiv i “Gallup International Balkan”. – Së pari, rezultatet mjaft të mira të “Po e vazhdojmë ndryshimin – Bullgaria Demokratike” /PP-DB/ në sfondin e pritshmërive. Mendoj se ka pasur një efekt mobilizues pas heqjes së votimit me makinë. Së dyti, partia “Vëzrazhdane” ndoshta do të duhet të presë kalimin e zgjedhjeve të tjera për t’u deklaruar si forca e dytë politike. Dhe akoma një fakt – rezultate më të ulëta për GERB krahasuar me pritjet.”

Eksperti për komunikime dhe fushata politike Ljubomir Allamanov e fokuson analizën e tij tërësisht në situatën në Sofje. Sipas tij, fituesi i më shumë votave për kryebashkiak pas raundit të parë, Vasill Terziev nga PP-DB, është një figurë e padiskutueshme, veçanërisht tek të rinjtë, njerëzit që merren me IT dhe me startup-et, të cilët nuk janë të ndikuar nga ideologjia (duke pasur parasysh prejardhjen e tij familjare, të lidhur me shërbimet sekrete në kohën e komunzmit). Të gjithë ata, sipas analistit, e konsiderojnë atë si një njeri të suksesshëm, duke ndihmuar të tjerët përmes akademisë së tij të lirë të bëhen po aq të mirë.

Ljubomir Allamanov

Për sa i përket kandidaturës së GERB-it - gazetari televiziv Anton Hekimjan, aktualisht në vendin e tretë, ajo tregoi se shfrytëzimi i personave të njohur në këtë rast nuk është një vendim i mirë, tregoi Ljubomir Allamanov.

Një gabim i madh, njeriu ishte i papërgatitur dhe kjo ishte e dukshme – tha gjithashtu ai. – Mirëpo, ka një surprizë të vogël në raundin e parë - fushata e Vanja Grigorovës (e dyta sipas numërimit paralel të Gallup) ishte shumë e mirë dhe ajo arriti të mbledhë votues si nga GERB, ashtu edhe nga "Vëzrazhdane", duke u mbështetur te rrënjat e vjetra të propagandës socialiste.

"Nëse ajo e humbet sinqeritetin, do të humbasë gjithçka," thotë politologu Andrej Rajçev, duke analizuar suksesin e jashtëzakonshëm të Vanja Grigorovës, e cila arriti të largojë GERB-in nga beteja për kryeqytetin, pasi partia e Bojko Borisovit ishte në krye të kryeqytetit për gati dy dekada. Kandidatja e hapësirës së majtë për kryetare të bashkisë së Sofjes, Vanja Grigorova, është një fytyrë e re për politikën (deri më tani ajo ishte eksperte sindikaliste) dhe kjo e bën politologun të ngrejë pikëpyetje për aftësinë e saj për të tërhequr elektoratet e GERB dhe "Vëzrazhdane" nga të cilat varet suksesi i balotazhit të 5 nëntorit.

Andrej Rajçev

Kryetarët e bashkive janë personat për të cilët bullgarët votojnë më tepër sipas parimit mazhoritar, por zgjidhja e problemeve në rajonet e veçanta varet kryesisht nga këshillat bashkiakë, të cilët përcaktojnë se cilat duhet të jenë rregullat.Si rregull, në ta bëjnë pjesë persona jo shumë të njohur që janë pjesë e listave partiake dhe përbërja e tyre zgjidhet në raundin e parë të votimit vendor.Prandaj, zgjedhjet e 29 tetorit formojnë përbërjen e këshillave bashkiakë që do të punojnë për 4 vitet e ardhshme, pavarësisht se cili kryetar bashkie zgjidhet në balotazh. Kjo është arsyeja se pse analistët kërkojnë një lidhje midis votës së qytetarëve, partneriteteve të mundshme partiake në rajonet e veçanta dhe efektit të tyre në qeverinë e formuar midis GERB-SDS dhe PP-DB.

Sipas politologut Andrej Rajçev: "Ky formacion politik është motivuar gjeopolitikisht dhe është krijuar jo për shkak të situatës në Bullgari, por për shkak të situatës rreth Bullgarisë. Dhe faktorët që kanë çuar në formimin e kësaj qeverie dhe e mbajnë atë janë lufta në Ukrainë dhe, Zoti na ruajt, një zgjatje e luftës në Lindjen e Mesme, kjo është e rëndësishme për Bullgarinë, vetëm kështu mund të stabilizohemi nga brenda në një moment kaq të vështirë. Dhe në këtë kuptim, unë mendoj se ata nuk do ta prishin këtë formacion politik dhe për këtë shkak nuk mund të presim konflikte të mëdha edhe në vendbanimet e vogla."

Sipas ekspertit për komunikime politike Ivo Inxhov:

Ivo Inxhov

Kjo qeveri ka synime të mira, por çështja është se si ato do të realizohen - tha ai për BNR-Radio Sofjen - Reforma në drejtësi gjithashtu nuk ndodh, si dhe reforma në prokurori, ka dyshime se reforma kushtetuese, thelbi i së cilës është reforma në drejtësi, “do të gjymtohet”. Megjithatë, ajo që ndodhi me "Lukoil" dhe me rrëzimin e votimit me makina tregon se Bojko Borisov dhe Deljan Peevski po diktojnë agjendën e kabinetit dhe kanë pretendime në rritje për poste në pushtet.Thënë me fjalë më të thjeshta, në çdo moment ata mund t'ia heqin qilimin nga këmbët e qeverisë dhe ajo do të shembet.

E ndërsa mendojmë se si të sillemi në raundin e dytë të dielën e ardhshme, Gjykata e Lartë Administrative do të duhet të vendosë për ankesën e PP-DB kundër vendimit të KQZ-së për anulimin e votimit me makinë në zgjedhjet vendore.Ka mundësi që makineritë të kthehen së shpejti ose të përshkallëzohet pakënaqësia civile, siç sugjeron protesta masive përpara Komisionit Zgjedhor të shtunën në mbrojtje të çdo vote.

Përpiloi: Diana Cankova (bazuar në intervistat e Diana Jankullovës nga programi "Horizont" dhe Llëçezar Hristov nga Radio Sofja e BNR)

Foto: BGNES, BTA, BNR

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Presidenti bëri thirrje për veprime kundër blerjes së votave

Presidenti Rumen Radev u bëri thirrje përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse për zhvillimin e zgjedhjeve për veprime bindëse kundër blerjes së votave. Në takimin me kreun e shtetit morën pjesë ministri i punëve të brendshme Atanas..

botuar më 24-10-09 5.36.MD

Ngjarjet me adresë ballkanike

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut: Nuk do të devijojmë nga anëtarësimi në BE, por nuk do të pastrojmë këpucë Duke vlerësuar 100 ditët e para të kabinetit të tij, kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski raportoi se qeveria ia ka..

botuar më 24-10-05 7.25.PD

Nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë për Bullgarinë nga përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme

Për momentin nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë për vendin tonë nga përkeqësimi i mprehtë i mjedisit të sigurisë në Lindjen e Mesme - këtë konkluzion të mbledhjes tre orëshe të Këshillit Konsultativ për Sigurinë Kombëtare ua bëri të ditur..

botuar më 24-10-04 2.02.MD