Që nga viti 2017, minoriteti kombëtar bullgar është zyrtarisht i njohur nga shteti shqiptar dhe që nga qershori 2023, përfaqësuese e tij në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Republikën e Shqipërisë është Milena Selimi – shkrimtare, përkthyese, gazetare, e cila ka rrënjët e saj në Bullgari. Njohja e pakicës sonë kombëtare është një sukses i madh dhe është një meritë tërësisht e komunitetit bullgar, na tregon ajo. Me Milena Selimin po bisedojmë te konsulli i nderit të Bullgarisë në Tiranë, Selim Hoxhaj, i cili e ka kthyer shtëpinë e tij në një vend për miqtë në emër të kryeqytetit bullgar.
“Në Shqipëri janë gjithsej nëntë pakica kombëtare të njohura me ligj – na shpjegon Milena Selimi. - Ata kanë të drejtë të jetojnë si të gjithë qytetarët shqiptarë, duke përfshirë edhe mësimin në gjuhën e tyre amtare. Problemi është se ne nuk kemi mësues të bullgarishtes letrare. Gjuha e shumicës së bullgarëve në Shqipëri është një gjuhë e folur, e trashëguar nga gjyshërit. Ajo ka shërbyer si një lloj fortese për bullgarët, e cila i ka mbrojtur dhe falë së cilës kanë mbijetuar ndër shekuj.Të rinjtë kanë interes për të mësuar gjuhën bashkëkohore bullgare. Shumë prej tyre duan të vazhdojnë arsimin e lartë në Bullgari, por e dinë se pa gjuhë nuk mund të shkojnë askund. Dhe kjo është gjuha e tyre, thjesht duhet që ata ta mësojnë sipas rregullave. Edhe Bullgaria mund të ndihmojë në këtë drejtim. Ja tani ne jemi përfshirë në një program që parashikon 11 mësues të vazhdojnë studimet master për filologji bullgare. Nëse diplomohen me sukses, për rreth dy vjet do të kemi 11 mësues të gjuhës bullgare, që është një fillim i mbarë. Shkollat e së dielës kanë sigurisht vendin e tyre, por fëmijët mblidhen në to vetëm të shtunave dhe të dielave, me dëshirën e tyre, në kohën e lirë. Ndërsa në shkollat e rregullta ata do të mësojnë sistematikisht, sipas një programi. Kjo është ajo që dua për bullgarët. Sepse besoj se arsimi dhe kultura janë ato që mund të na lidhin dhe të na japin shpresë për të ardhmen”.
Sipas përfaqësueses së bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare, Milena Selimi, në zonat ku ka ende një popullsi kompakte bullgare, siç janë fshatrat në rajonin e Gorës, duhet të punohet në mënyrë shumë aktive që njerëzit të njohin të drejtat e tyre dhe t’i mbrojnë ato.
“Kam folur me përfaqësuesit e shoqatave bullgare dhe u kam thënë se është shumë bukur të festosh një festë një ose dy herë në vit, por duhet të mendojmë për fëmijët sot dhe çfarë do të ndodhë me ata nesër. Sepse po flasim për të ardhmen e një komuniteti që ka mbijetuar ndër shekuj dhe ne duhet ta ruajmë atë.Unë jam përfaqësuese zyrtare e bullgarëve, por gjithçka duhet të vijë prej tyre. Ata duhet të dinë, të duan dhe të kërkojnë. Dhe jo vetëm shoqatat bullgare në Shqipëri, por edhe Bullgaria duhet të ndihmojnë. Sepse kjo është një gjë e madhe - të kesh një popullsi që flet gjuhën tënde të ruajtur ndër shekuj. Që në mesjetë, në kohën e bogomilizmit, ata erdhën në Shqipëri dhe u vendosën në male. Dhe e ruajtën gjuhën për një kohë aq të gjatë. Sikur vetëm një fjalë të dëgjosh në bullgarishten e vjetër dhe të dridhet zemra, ndihesh krenar. Kështu që këta njerëz duhet të ndihmohen edhe nga Bullgaria. Ndërsa sa i përket vendit ku jetojnë, ka edhe shumë probleme me rrugët - nuk ka infrastrukturë, nuk ka asgjë. Çfarë do të bëjnë njerëzit atje dhe si do të jetojnë?!”.
Për të zgjedhur përfaqësuesin e tyre në Komitetin për Pakicat Kombëtare, shoqatat e secilit komunitet mblidhen dhe emërojnë disa persona për këtë post, pas së cilës të gjithë kandidatët paraqiten në provim. Kështu është zgjedhur përfaqësuesja e bullgarëve, Milena Selimi.
“Kjo është e mira e Shqipërisë – nëntë pakicat kombëtare nuk kanë pasur kurrë probleme me njëra-tjetrën. Ata kanë jetuar dhe jetojnë në tolerancë dhe harmoni - vazhdoi ajo. - Ne nuk kemi probleme as me serbët, as me malazezët, as me grekët, pak - me maqedonasit, sepse gjithmonë del dikush që është në kundërsthim të diçkaje. Për shembull, pas vizitës time në Golemo Ostreni, postova një artikull në Facebook dhe menjëherë filluan komentet se në këtë fshat nuk kishte bullgarë, por maqedonas. Por duhet të dini se ligji shqiptar i jep çdokujt të drejtën e vetëvendosjes. Nëse ti mendon se je bullgar, ky është vullneti yt. Nëse je shqiptar, nëse je grek, nëse je serb apo diçka tjetër, duhet ta vendosësh vetë. Dhe tani ne kemi një proces shumë të rëndësishëm në Shqipëri - regjistrimin. Rezultatet e tij do të japin qartësi edhe për numrin e bullgarëve, pasi deri më tani nuk ka statistika zyrtare”.
Ne u tunduam të pyesnim edhe Milena Selimin për mendimin e saj në lidhje me problemet me Maqedoninë e Veriut në aspektin gjuhësor, historik të përbashët etj.:
“Gjithmonë mendoj se njerëzit që jetojnë bashkë, sidomos në fshatra, e kuptojnë shumë mirë njëri-tjetrin. Ndërsa gjithçka tjetër është një lloj politike që dëshiron të dëmtojë, të krijojë konfrontime. Unë tashmë ju thashë - të gjithë kanë të drejtën e vetëvendosjes. d.m.th. gjithçka varet nga njerëzit, çfarë duan dhe si ndihen. Për mua nuk ka asnjë problem. Dhe a jemi të gjithë tashmë duke shkuar drejt Bashkimit Evropian? Aty ka vend për të gjithë - shqiptarë, maqedonas dhe bullgarë. Çfarë kemi për të ndarë?!Unë jam përkthyese dhe kam përkthyer vepra të shumë autorëve nga Maqedonia e Veriut. Por nuk di të flas maqedonisht. Unë kuptoj maqedonisht dhe nuk është një problem për mua. Por dua që edhe njerëzit të dinë se çfarë po ndodh rreth nesh. Sepse nuk mund të jetosh vetëm. Duhet të jetosh me fqinjin. Fqinji në Ballkan është shumë i rëndësishëm. Ndoshta Evropa nuk mund ta kuptojë se çfarë është fqinji, por te ne fqinji ka qenë gjithmonë pranë, për gjithçka - si në gëzim ashtu edhe në pikëllim, pra ata janë fqinjët tanë. Çfarë ka këtu për të ndarë, pse duhet të ndërhyjë politika?!”.
Për të ndjekur politikën e tolerancës, Komiteti për Pakicat Kombëtare, pjesë e të cilit është edhe Milena Selimi, organizon takime dhe forume të ndryshme, një prej të cilave është edhe Festivali i etnive, i mbajtur për herë të parë në verën e vitit 2023. “Kështu krijohet një shkëmbim i mirë kulturor, kupton kulturën e minoriteteve të ndryshme”- thotë zonja Selimi dhe kujton se garantimi i të drejtave të minoriteteve është pjesë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Vazhdon...
Foto: Krasimir Martinov, Kostandina Bello
Përktheu në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Shfaqja e Bernard Shaw "Armët dhe njeriu" (“Arms and the Man”) me regji të John Malkovich , e cila u prezantua në Teatrin Popullor në ditën e 139-vjetorit të Betejës së Slivnicës , shkaktoi pakënaqësinë e qindra bullgarëve. Ata protestuan para..
Ekspedita e tridhjetë e tretë polare bullgare po shkon drejt Antarktidës për të vazhduar kërkimet e saj shkencore në bashkëpunim me shkencëtarë nga vende të ndryshme. Në bordin e anijes kërkimore “Shën Kirill dhe Metodij” ndodhen për herë të parë..
Ambasada e Francës dhe Instituti Francez i Kulturës mblodhën së bashku shkencëtarët për të prezantuar eksperiencën e tyre mbi sfidat shkencore në Antarktidë dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike. Partnerë të aktivitetit ishin Instituti Polar Francez..