Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike


Rumania do të bëhet një qendër logjistike për rimëkëmbjen e Ukrainës

Në një konferencë me temë "Rimëkëmbja e Ukrainës dhe roli strategjik i Rumanisë" në pushimoren Sinaja, ekspertë rumunë dhe të huaj diskutuan sfidat me të cilat përballet rimëkëmbja e Ukrainës, përkatësisht sigurinë e energjisë dhe ushqimit, lirinë e lundrimit dhe rolin që Rumania mund të luajë në këto sfera. Në forum, kryeministri Marçell Çolaku njoftoi se një qendër logjistike për rimëkëmbjen dhe ndihmën për Ukrainën do të krijohet në territorin rumun, njoftoi Radio “Rumania Internacional”. Në një fjalim video, kryeministri ukrainas Denis Shmigall shprehu besimin se vendi i tij së shpejti do të bëhet pjesë e BE-së. Ai falënderoi Rumaninë për mbështetjen e saj humanitare dhe ekonomike dhe theksoi se 70% e grurit ukrainas eksportohet aktualisht përmes territorit të Rumanisë.

Protesta për buxhetin e shtetit bllokuan qendrën e Athinës

Punonjësit grekë në sektorin e buxhetit, administratës publike dhe shëndetësisë, si dhe studentë, protestuan kundër buxhetit të qeverisë së “Demokracisë së Re” për vitin 2024. Buxheti i ri u hartua "kundër popullit", besojnë ata dhe kërkojnë rritje reale të pagave, punë të garantuara, ndihma të ndryshme financiare dhe më shumë para për kujdesin shëndetësor dhe arsimin, njoftoi Televizioni Kombëtar Grek ERT dhe korrespondentja e BNR në Greqi Katja Peeva. Gjatë marshimeve protestuese, rrugët qendrore në Athinë u mbyllën. Nëpunës civilë të pakënaqur u përpoqën të hynin në ndërtesën e Ministrisë së Brendshme dhe të takonin personalisht ministrin për të paraqitur kërkesat e tyre, por policia përdori gaz lotsjellës kundër tyre.


Kozmonauti i parë turk do të fluturojë në hapësirë ​​në janar

9 janari 2024 është data kur Turqia do të dërgojë astronautin e saj të parë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Lajmin e bëri të ditur ministri turk i industrisë dhe teknologjisë Mehmet Fatih Kaxhar, cituar nga TRT-Haber. Nderi i shkon pilotit në Forcat Ajrore Turke Alper Gezeravxhë. Bashkë me të për mision përgatitej edhe Tuva Atasever, inxhinier në kompaninë turke “Roketsan”, por u preferua Gezeravxhë. Të dy u zgjodhën ndër 36 000 kandidatë. Ministri theksoi se misioni ka një rëndësi të madhe për prezantimin e potencialit shkencor dhe teknologjik të Turqisë. Pritet që në hapësirë ​​të kryhen 13 eksperimente shkencore. Në vitin 2021, presidenti Rexhep Erdogan njoftoi fillimin e një programi kombëtar hapësinor prej 6 miliardë dollarësh, duke përfshirë trajnimin e astronautëve dhe dërgimin e raketës së vet në Hënë.


Qiproja subvencionon banesa të studentëve në pjesën e vjetër historike të Nikozisë

Qeveria e Qipros po subvencionon falas me afro 15 milionë euro banesa të studentëve në pjesën e vjetër historike të kryeqytetit Nikozi, njoftoi korrespondentja e BNR, Branisllava Bobanac. Fondet do t'u jepen personave fizikë dhe juridikë, pronarë ose qiramarrës të pronave në pjesën e vjetër të kryeqytetit për të rinovuar ndërtesat e tyre dhe për t'i kthyer ato në banesa ose dhoma për studentë. Sipas Ministrisë së Brendshme, projekti synon rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike të zonës duke tërhequr të rinjtë dhe duke siguruar strehim për ta me çmime të përballueshme. Subvencioni do të mbulojë 75% të kostove për rindërtimin e pronave. Shuma totale prej 15 milionë euro është përfshirë në Planin Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Rezistencës.


Përpilues: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: Facebook /Marcel Ciolacu, BGNES, Pixabay, axiomspace.com


Më shumë nga rubrika

Sh. e Tij Haxhi Bajraktari (djathtas) dhe Ministri Daniell Mitov

Bullgaria shprehu mbështetje për integrimin evropian të Kosovës

Ministri i Brendshëm Daniell Mitov zhvilloi një takim pune me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Sofje, Sh. e Tij Haxhi Bajraktari. U diskutua bashkëpunimi dypalësh në fushën e punëve të brendshme dhe mundësitë për thellimin e tij. Ministri i..

botuar më 25-09-26 5.47.MD

Bullgaria iu bashkua deklaratës së përbashkët të OKB-së të 35 vendeve mbi Ukrainën

Ministri i Jashtëm i Bullgrisë Georg Georgiev mori pjesë në një deklaratë të përbashkët për median gjatë sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, njoftoi Ministria e Jashtme. Së bashku me Ministrin e Jashtëm ukrainas Andri Sibiha dhe..

botuar më 25-09-24 11.42.PD

Ngjarjet me adresë ballkanike

74% e rumunëve pajtohen me shërbimin ushtarak vullnetar Afro 3/4 e rumunëve, ose 74.2%, janë dakord me vendosjen e shërbimit ushtarak vullnetar. Këtë e  tregon një sondazh i agjencisë sociologjike INSCOP nga fillimi i shtatorit, i kryer me..

botuar më 25-09-19 9.25.MD