Kalina Andreeva është pak më shumë se 20 vjeç, por tashmë është e njohur si kontrabasiste e talentuar, këngëtare dhe autore muzike. Ajo krijoi kompozimin e saj të parë në moshën 4-5 vjeç duke shpikur një melodi, të cilën babai i saj e harmonizoi dhe kështu ajo u bë një pjesë e pianos për fëmijë.
Kalina u rrit në një familje muzikantësh të shquar. Babai i saj është Georgi Andreev - një kompozitor, dirigjent, aranzhues, interpretues i gëdullka(një instrument muzikor nga grupi i instrumenteve me tela, i cili përdoret në muzikën folklorike bullgare), kryedirigjent dhe drejtor i Ansamblit Folklorik Shtetëror "Filip Kutev". Nëna e saj - Neli Andreeva - është një këngëtare e njohur popullore, soliste dhe koriste e ansamblit "Filip Kutev", drejtuese e formacionit vokal "Nusha". Edhe të dy e kanë nisur rrugëtimin e tyre krijues nga folklori, por kanë dalë jashtë kufijve të tij dhe mbi këtë bazë kanë krijuar muzikë të lezetshme, shpesh së bashku me emra me famë botërore, si Millço Leviev, Joss Stone etj. Kështu që Kalina u ushqye me muzikë cilësore që në moshë të vogël dhe nëna e saj e drejtoi atë në xhaz, të cilin Kalina më vonë, për arsye të dukshme, e kombinoi me muzikë etno. Ka pasur mësime kompozicioni dhe orkestrimi me të atin.
Pas shkollës së muzikës në Sofje, ku u diplomua për kontrabas, Kalina është studente në Akademinë e Muzikës "Panço Vlladigerov" në Sofje. Paralelisht, ajo merr pjesë në formacione dhe projekte të ndryshme, dhe në vitin 2023 përfundoi albumin e saj debutues solo "Drejtimi". Ideja për të daton vite më parë, por realizimi erdhi që kur Kalina u bë pjesë e projektit të trumpetistit Mihaill Josifov "Novitetet në xhaz". Atëherë ajo dëgjoi për herë të parë interpretimin e një vepre të saj etno-xhaz dhe kjo i dha kurajo të fillonte të realizonte ëndrrën e saj.
Stilet e thurura në album janë të preferuarat e Kalinës - funk, R&B, jazz, etno, soul - gjithçka me të cilën ajo u rrit si person dhe muzikant. Kalina Andreeva është autore e muzikës, tekstit dhe aranzhimit të të gjitha këngëve në albumin "Drejtimi". Ja se çfarë nga tregoi ajo për albumin e saj të ri:
“Tema e albumit është besimi im, problemet në jetë, problemet e njeriut në përgjithësi dhe si ai i zgjidh këto probleme, si e përballon jetën e përditshme, me stresin, me rrëmujën e jetës. Ky album është thjesht mënyra ime e të shprehurit. Është diçka që gjithmonë kam dashur ta bëj dhe më në fund arrita ta bëj!"
Ju ofrojmë këngën që ia dha emrin albumit debutues të Kalina Andreevës - "Drejtimi".
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Kompozitori, dirigjenti dhe folkloristi i shquar Filip Kutev krijon një sintezë emblematike midis muzikës popullore bullgare dhe asaj klasike. Fillimi është vënë në vitin 1951, kur është themeluar Ansambli Shtetëror për këngë dhe valle popullore (sot..
Mungesa e kuadrove – një nga problemet kryesore në tregun e punës në Bullgari – del në pah në mënyrë tepër të qartë nëse hedhim një sy mbi përbërjen e orkestrave simfonike në kryeqytet dhe në provincë. Rreth 50 me 50 është raporti midis bullgarëve dhe të..
I themeluar në vitin 1995 nga Rozi Karasllavova, gjatë tri dekadave të fundit, Grupi Vokal "Bon-Bon" krijoi një emër si një shkollë profesionale për këngëtarë të vegjël (dhe tashmë edhe më të rritur), duke ofruar një repertor të gjerë me një tingull..