Sot, për shembull, është shumë e vështirë të flitet për Çlirimin e Bullgarisë nga sundimi turk dhe sakrificën e 66 130 ushtarëve rusë që lanë kockat e tyre në trojet tona. Vullnetarët, mes tyre kirurgu i famshëm rus Nikollaj Pirogov dhe baronesha Julija Vrevskaja, e cila shiti pronën e saj për të formuar një detashment mjekësh dhe infermierësh për frontin, përmenden gjithashtu rrallë. Megjithatë, monumentet flasin në mënyrë elokuente për mirënjohjen dhe adhurimin e bullgarëve për veprën e tyre.
Ato janë mbi 400 dhe disa prej tyre tregojnë qendrat e veprimit ushtarak, si për shembull Shipka. Të tjerat janë ndërtuar në vendin e vdekjes së luftëtarëve. Nuk janë të pakta monumentet e ngritura nga qeveria dhe qytetarët bullgarë në shenjë respekti, shembulli më i spikatur është monumenti i Mbretit Çlirimtar në zemër të Sofjes.
Pikërisht ky kujdes për kujtimin e atyre që vdiqën në Luftën Çlirimtare Ruso-Turke të 1877-1878 tërhoqi vëmendjen e historianëve Svetllana dhe German Shakarbievi, të cilëve u ka bërë përshtypje mirëmbajtja e shkëlqyer për 147 vjet.
"Nuk mund ta besonim se kjo ishte e mundur - thotë German Shakarbiev në një intervistë për Radio Bullgarinë. - Ne i bëmë vetes pyetjen se kush i ruan këto monumente. Çdo herë habitemi kur takojmë këta njerëz. Ata janë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë. Mes tyre janë pensionistë, pylltarë, gjuetarë, mjekë, inxhinierë, biznesmenë”.
Svetllana dhe German Shakarbievi vendosën të organizojnë ekspozitën "Njerëzit dhe monumentet" në shenjë mirënjohjeje për gjashtë brezat e bullgarëve që ruajtën kujtimin e Luftës Ruso-Turke të viteve 1877-1878. Me mjetet e tyre ata kanë bërë 12 tablo që tregojnë historinë e monumenteve dhe të njerëzve. Realizojnë edhe dy dokumentarë, ndërsa këtë vit punën e tyre kërkimore e mbledhin në botimin dygjuhësh “Njerëzit dhe monumentet” me përshkrime të hollësishme të ngjarjeve.
"Historia në këto kohë të vështira shpesh bëhet objekt falsifikimesh - thotë Svetllana. – Shumë njerëz përpiqen të ndryshojnë faktet objektive të historisë, dhe monumentet janë artefakte. Secili prej tyre ka historinë e vet dhe njerëzit që kujdesen për ta ruajnë historinë objektive. Pikërisht ky qëndrim i bullgarëve ndaj monumenteve meriton respekt të thellë, ata ruajnë kujtimin e ushtarëve të huaj të vdekur në fushën e betejës dhe kjo duhet theksuar.
Në këtë kuptim, German dhe Svetllana e kuptojnë se sa i rëndësishëm është roli i njerëzve që mirëmbajnë monumentet dhe nuk harrojnë t'i falënderojnë ata. Me disa prej tyre bëhen miq. Ndër rojtarët e monumenteve është Lillko Georgiev nga Etropole, kryetar i grupit të gjuetisë në fshatin Bojkovec:
"Në zonën tonë kemi pesë monumente nga Lufta Çlirimtare Ruso-Turke - tha Lillko për Radio Bullgarinë. - U angazhuam për t'i pastruar dhe mirëmbajtur sepse jemi bullgarë, na vjen disi nga brenda. Njerëzit kanë vdekur, ne u jemi mirënjohës. Në rajonin tonë popullsia i ka ndihmuar shumë ushtarët rusë gjatë transportimit të topave nëpër mal. Në kushtet e vështira të dimrit, rreth 800 veta nga Etropole dhe rrethinat kanë hapur shtigje në borë, kanë hequr topat e groposura, prandaj duam që e gjithë kjo të mbahet mend. Popujt duhet të ruajnë historinë e tyre!”
Ndaj Lillko dhe bashkëmendimtarët e tij ua përcjellin historinë fëmijëve të tyre ashtu siç e kanë mësuar nga gjyshërit e tyre, të cilët kanë ngritur monumentet.
Gjatë luftës, disa nga betejat më të rënda janë zhvilluar pranë Stara Zagorës (Bullgaria Jugore), ku vullnetarët bullgarë kanë luftuar me vetëmohim për lirinë e tyre, krahas luftëtarëve rusë. Sot për monumentet në qytet dhe rrethinat e tij kujdesen të rinjtë e Lëvizjes Patriotike “Ivan Vazov – Rodina”.
"Lëvizja jonë u krijua për të ruajtur kujtesën historike të bullgarëve - vëren Stanimir Petrov. - Si njerëz që interesohemi për politikën, kemi kuptuar se historia është jashtëzakonisht e rëndësishme në zhvillimin e politikës dhe në formësimin e së ardhmes sonë.”
Lexoni më shumë:
Foto: pirogov.eu, Shtëpia Ruse në Sofje, BGNES, Darina Grigorova, Facebook /Etropole, bulgarianhistory.org
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Në rrugën Sofje - Samokov përballë rrjedhës së lumit Iskër, pranë kthesës së madhe piktoreske midis fshatrave Kokaljane dhe Pasarell pranë Urës së Djallit ndodhet kodra Srednobërdie. Aty lumi Vedena derdhet në lumin Iskër dhe malet Lozen dhe..
Hyrje e Hyjëlindëses së Tërëshenjtë në Tempull është një nga festat më të lashta dhe më të nderuara në botën ortodokse, e prezantuar në Kostandinopojë rreth shekullit të VIII-të, në kohën e Patriarkut Tarasij. Vetëm gjashtë shekuj më vonë, festa filloi..
Në një mëngjes të ftohtë nëntori të vitit 1917, në kulmin e Luftës së Parë Botërore, një zepelin L 59 u ngrit nga baza afër Jambollit për në Tanzani. Qëllimi ishte furnizimi i municioneve dhe materialeve për njësitë ushtarake gjermane të vendosura në..
Në rrugën Sofje - Samokov përballë rrjedhës së lumit Iskër, pranë kthesës së madhe piktoreske midis fshatrave Kokaljane dhe Pasarell pranë Urës..