Në praktikë, ata janë mes nesh dhe është e vështirë t'i dallojmë nga të gjithë bullgarët e tjerë, sepse zotërojnë shkëlqyeshëm bullgarishten letrare dhe përshtaten në mënyrë të përkryer në shoqërinë tonë, madje edhe emrat e tyre nuk tingëllojnë ndryshe...
Por çfarë e dallon komunitetin e bullgarëve të Banatit në vendin tonë?
Bullgarët e Banatit janë emigrantë katolikë bullgarë të cilët për më shumë se 300 vjet jetojnë të izoluar në rajonin e Banatit, në territoret e sotme të Rumanisë dhe Serbisë. Ata janë njerëz që kanë arritur të mbijetojnë vetë për shekuj dhe të mbrojnë identitetin e tyre bullgar. Ata shkruajnë latinisht, të folurit e tyre të vjetër, të cilin e kanë ruajtur që nga shekulli i ХVII-të, është forma e dytë letrare e gjuhës bullgare. Ata gjithashtu krijojnë literaturë me të, kanë folklor dhe shkruajnë poezi në gjuhën e tyre - mësojmë nga studimet më të fundit të studiuesve tanë të Akademisë Bullgare të Shkencave. Prapëseprapë, sot edhe në territorin e Bullgarisë jeton një komunitet i vogël i bullgarëve të Banatit.
Për gjuhën e bullgarëve të Banatit
Dialekti i Banatit, i quajtur edhe pallken, është norma e dytë letrare bullgare dhe është pjesë e pasurisë së ruajtur dialektore bullgare. Kjo gjuhë është e lidhur ngushtë me identitetin e tyre, por bullgarët e Banatit, të cilët sot jetojnë në kufijtë e Bullgarisë, janë shumë të ndikuar nga gjuha letrare bullgare. Studiuesit bullgarë e kanë përqendruar punën e tyre më shumë tek bullgarët e Banatit që jetojnë në kufijtë e Rumanisë, pasi gjuha kryesore atje është rumanishtja dhe kjo pengon ruajtjen e këtij dialekti të lashtë në komunitetin e bullgarëve të Banatit. Gjuha pallken flitet kryesisht në shtëpi dhe në kishë, por brezit të ri i mungon motivimi për ta përdorur dhe ruajtur atë.
Arsyet e vendosjes së bullgarëve në Banat janë historike
Pas disfatës së Kryengritjes së Çiprovit në vitin 1688, një pjesë e madhe e katolikëve bullgarë në rajon shkuan për të kërkuar shpëtimin në kufijtë e Austro-Hungarisë, me komunitetin katolik të së cilës mbanin lidhje. Aty kishin kushte të mira jetese, u jepet tokë dhe mundësi për të jetuar. Pas kësaj, pati disa valë zhvendosjeje që vazhduan në shekullin e ХVIII-të. Me shumë vështirësi ata arritën të transferonin të gjithë mënyrën e tyre të jetesës dhe kulturën në vendbanimet e tyre të reja. Pas Çlirimit të Bullgarisë në vitin 1878, një pjesë jo e vogël e bullgarëve të Banatit u kthyen në Bullgari. Si një lloj qendre e tyre këtu është fshati Bërdarski Geran, në Bullgarinë Veriore. Çdo vit aty mbahen takime tradicionale të komunitetit të Banatit, ku të rinjtë mund të mësojnë më shumë për rrënjët, traditat dhe identitetin e tyre.
Svetllana Karaxhova, doktorante në Akademinë Bullgare të Shkencave është kryetare e Shoqatës së Bullgarëve të Banatit në vendin tonë:
“Unë jam një bullgare e Banatit 100% me gjak të pastër, me origjinë nga Bërdarski Geran dhe ky është fshati më i madh i këtij komuniteti në Bullgari. Përderisa të ketë folës të kësaj gjuhe, ajo do të mbijetojë. Ndihem krenare për prejardhjen time, është ajo që na bën më të veçantë dhe jemi shembull sesi një komunitet mund të mbijetojë në kushte të vështira. Nëse bullgarishtja e Banatit është norma e dytë letrare, nuk shoh asnjë problem të pranohet se ata që e flasin atë e njohin gjuhën letrare bullgare. Pra, të mos mendojmë se kjo gjuhë bullgare, e pranuar këtu si letrare, është standardi i vetëm. Ka edhe variante të tjera të bullgarishtes së sotme. Pra, të gjithë njerëzit që mbajnë dialektin e tyre, të folurin e tyre, kudo që janë në botë, janë bullgarë dhe mbajnë një variant të gjuhës sonë bullgare. Dhe kjo është një pasuri e gjuhës sonë që duhet ruajtur. Të gjithë duhet të dinë versionin zyrtar të gjuhës në mënyrë që ne të komunikojmë me njëri-tjetrin, por secili le ta mbajë gjuhën e tij që flet si pjesë e një komuniteti më të vogël.”
Përveç dialektit pallken, që flitet në fshatin Bërdarski Geran, ka dallime të tjera midis bullgarëve të ortodoksisë lindore dhe bullgarëve katolikë të Banatit. Shumica janë në nivel familjar, vëren Marija Vëçkova Ronkova, nga Bërdarski Geran:
"Ka dallime në kuzhinën tonë dhe në festat tona. Edhe festat tona fetare kremtohen ndryshe nga ato ortodokse. Familjet tona janë shumë të bashkuara, ndihmojmë njëri-tjetrin dhe urimi tradicional mes nesh tingëllon kështu: "Falmes!", që do të thotë "Le të lavdërojmë Jezusin". Përgjigja është "Oveki" – d.m.th. “Përgjithmonë”, kështu e njohim ne mes vete - bullgarët e Banatit. Ne jemi bullgarë, nuk ndahemi nga populli ynë, por identiteti ynë është ai i bullgarëve të Banatit dhe do të jetë mirë që të ruhet e gjithë kjo – identiteti, gjuha, traditat, kultura.”
Lexoni më shumë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: bardarskigeran.eu, Facebook / Svetlana Karadzhova, Gergana Mançeva, BNR - Vidin
A ndodh që nëpër muze të ketë edhe disa eksponate të falsifikuara aq mirë sa nuk dallohen fare nga origjinalet - ka zëra dhe spekulime për këtë temë, por për momentin një seri e tërë falsifikimesh historike janë pjesë e një ekspozite në Muzeun Kombëtar..
Një statujë unike nga periudha romake e qytetit Odesos, e datuar paraprakisht në fund të shekullit II dhe gjysmën e parë të shekullit III, u gjet gjatë gërmimeve në zonën e stacionit hekurudhor në Varna, njoftuan arkeologët nga Muzeu Historik..
Një kompleks prej një duzinë shtëpish të vogla, të vendosura në pjesën jugore të qytetit shkëmbor Perperikon, u zbulua nga arkeologët nën drejtimin e Prof. Nikollaj Ovçarov. Sipas tij, bëhet fjalë për një lagje të tërë që daton nga shekulli XIII-XIV,..